DUAM ARMË DHE MUNICIONE-OPINION NGA ROLAND QAFOKU

DUAM ARMË DHE MUNICIONE-OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të dalësh pa armë në rrugë në Shqipëri, pastaj të ankohesh se të vranë, është njësoj sikur të dalësh pa çadër në Londër e të ankohesh se u lage. Edith Durham-i e përcaktonte kështu lidhjen e shqiptarit me armët, më shumë se një shekull më parë. Çudia është se edhe në vitin 2017, arma shihet sërish, gati si objekt jetësor i trupit. Janë 120 të vrarë gjatë vitit 2016, dhe me ritmet aktuale që po kalon krimi në Shqipëri, kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe në fund të 2017-s. Të gjitha janë kryer me armë pa leje. Vrasja është bërë kaq e zakonshme, sa në gazeta dhe televizione nuk përbën lajm të parë. Cila mbetet zgjidhja? Pajisja me armë. Nga fillimi i vitit 2015 deri tani, policia ka pajisur 301 persona, për të mbajtur armë me leje. Në dukje është shifër e vogël, por alarmante është numri i kërkesave. Të dhënat flasin se janë me mijëra kërkesa nga biznesmenë, sipërmarrës, zyrtarë të rangjeve të larta dhe jo vetëm, deri tek qytetarët e thjeshtë që paraqesin interesin për t’u pajisur me armë. Ndërkohë që në strukturat e shtetit, janë 10 mijë policë dhe po aq ushtarakë, zyrtarë, gjykatës, prokurorë, kryetarë bashkish, të pajisur me armë, sipas një ligji të posaçëm. Me një llogari të thjeshtë, i bie të jenë rreth 25 mijë shqiptarë që zotërojnë armë zjarri me leje, mbështetur në ligj. E ndërsa mësojmë gjithnjë numrin e të vrarëve me armë pa leje, askush nuk mund të japë një shifër të saktë, të numrit të atyre që zotërojnë armë pa leje, pa kryer një krim. Të dhënat operative të policisë bëjnë me dije që sindroma e vitit 1997, la pasoja të shumta sa që mendohet se janë po aq armë pa leje, edhe në qarkullim. Në shtëpi apo të fshehura, të groposura apo të lëna në objekte të braktisura, - të gjitha janë potenciale të rrezikshme të një krimi të mundshëm. Por çfarë domethënie ka kjo armatosje e popullit? Përveç dëshirës dhe pasionit konstant për të patur një armë, kriminaliteti, pasiguria dhe mendësia që një ditë do të të duhet për t’u mbrojtur ndaj dikujt, janë arsyet kryesore të armatosjes. Kësaj duhet t’i shtojmë efektin dhe pasojat që ka lënë masivizimi i dukurisë së kanabisit. Vërtetë që tani nuk ka asnjë rrënjë të mbjellë në të gjithë vendin, por fara e mbjellë në mendjen e shqiptarëve dhe helmimi që iu bë popullatës, është dhe do të vijojë gjatë.

Të paktën zyrtarisht, është pranuar se janë afro 30 vrasje në një hark kohor shumë të shkurtër, të cilat kanë patur si motiv drogën. Zonat e influencës, prishjen e pazareve e deri te konkurrenca, janë arsyet e mëdha të këtyre vrasjeve.  Rrjedhimisht për një pjesë të popullsisë, sigurimi i jetës nuk i lihet në dorë policisë dhe zbatimit të ligjit, por te pajisja me armë për t’u përballur vetë.

Është gati i njëjti mentalitet, si gjatë sistemit komunist kur u armatosën i madh e i vogël, për të luftuar armikun imagjinar. Ndërkohë, në depo ushtarake kishte armë dhe municion për të luftuar 1 vit, pa ndërprerje. Aq sa kjo mani, u fiksua edhe në këngët e asaj kohe. Çdokush që fati i rezervoi në jetë të jetonte sado pak në komunizëm, duhet t’i kujtohet kënga “Dua armë e municione...” e kënduar nga Vera Dervishi. Videoklipi paraqiste një grua të veshur me rroba ushtarake, që kërkonte armë dhe municion për të luftuar fashizmin. Një mani tipike, pa ndonjë vlerë, kur lufta e Dytë Botërore kishte 30 vjet që kishte mbaruar, ndërsa kënga fliste për luftë, duke e shoqëruar këtë me kërkesën për armë.

Çudia është se kemi gati të njëjtin mentalitet, edhe sot. Është e lehtë të shikosh një armë. Sapo dy vetë debatojnë, shahen dhe grushtohen, në fund nxjerrin armët. Sapo makinat fërkohen me njëra-tjetrën, të dy shoferët nxjerrin armët. Armën e shikon edhe në duart e fëmijëve. Moda e lodrës pistoletë apo automatik është bërë epidemike. Ai zot e di, se si ka mundësi që mjaft prindër u ushqejnë fëmijëve lojëra me automatik që bën ta-ta-ta dhe pistoleta që nxjerr zjarr nga gryka!

Ai Zot e di, se si do të jenë këta fëmijë nesër, kur të rriten, ndërsa në vegjëlinë lodra më e dashur për ta, ishte automatiku. Është mentalitet te i rrituri që ia transmeton të voglit. Në mënyrë masive, mendja u shkon te arma. Një pjesë cilësohen më të ndershëm, se e kërkojnë armën me leje. Unë arrij të kuptoj që çdo polic privat i cili ruan një ndërmarrje private, duhet të pajiset me armë. Unë e kuptoj që edhe deri truprojat e një biznesmeni, duhet të kenë armë. Por nuk e kuptoj kurrë, që një biznesmen të ketë armë, që një deputet të ketë armë, lëre pastaj një qytetar i thjeshtë. Për çfarë e duan? Edhe në rastet më ekstreme që mund të kenë, a është ajo armë që do t’u mbrojë jetën? Atëherë, për  çfarë u duhet? Në trupin e kujt do ta shkrepin? I bie që ta provojnë në familjen e tyre, në trupin e gruas, të fëmijëve apo edhe të prindërve, siç po ndodh aktualisht. Prandaj, përpara se të japë leje për armë, policia dhe gjithë shteti, duhet të çarmatosë këtë popullatë konkretisht, por edhe në mendje. Dhe kjo ka vetëm një mënyrë: Duke vendosur rend dhe siguri, që fjalët e Durham-it të mbeten thjesht kujtimi i zi i një shekulli më parë, atëherë kur vërtetë po të dilje pa armë në rrugë dhe të ankoheshe se të vranë, ishte njësoj si në Londër, të dilje në rrugë pa çadër dhe të ankoheshe se u lage. Atëherë ishte atëherë, tani është tani. Jetojmë në vitin 2017.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: