Mosmarrëveshjet politike/ Për arrestimin ose jo të Saimir Tahirit priten dy raporte në Kuvend

Mosmarrëveshjet politike/ Për arrestimin ose jo të Saimir Tahirit priten dy raporte në Kuvend
Këshilli i Rregullores, Imuniteteve dhe Mandateve, pritet të hartojë raportin lidhur me çështjen e imunitetit të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Deputeti socialist i kësaj legjislature, Saimir Tahiri,  akuzohet nga prokuroria si i përfshirë në afera të grupeve kriminale, ndërsa kërkohet leja për arrestimin e tij.

Pas përfundimit të dëshmive të prokurorëve dhe vetë ish ministrit Saimir Tahiri, opozita dhe shumica kanë shkëmbyer kundërshti për mënyrën sesi duhej të vijonte procedura.

Duket se do të jetë e vështirë, në mos e pamundur, që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për të dalë me një raport mbi këtë çështje.

Maxhoranca pretendoi se është e gatshme të japë leje për hetimin e mëtejshëm të Tahirit, por në gjendje të lirë, ndërsa opozita kërkon arrestimin e tij.

Nga këto ndasi që ekzistojnë në Këshillin e Rregullores së kuvendit, maxhoranca dhe opozita pritet t’i paraqesin parlamentit dy raporte të ndara në seancën që parashikohet të mblidhet këtë të mërkurë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: