20 milionë euro kanabis, kapet në Itali kushëriri i Tahirit

20 milionë euro kanabis, kapet në Itali kushëriri i Tahirit
Moisi Habilaj është shndërruar në emër të njohur në Shqipëri që kur opozita e akuzoi si lidhje e ish-ministrit të Brendshëm me trafikun e kanabisit. Lulzim Basha: PD ka denoncuar për 4 vite lidhjen e qeverisë me këtë klan. Sali Berisha: Saimir Tahiri drejt arrestit ndërkombëtar. Reagon ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani: Hetova për këtë grup, por më arrestuan si “i korruptuar”

Policia e Katanias, në rajonin e Siçilisë, njoftoi se ka shkatërruar një bandë italo-shqiptare që merrej me trafik droge dhe armësh nga vendi ynë drejt Italisë.

Falë operacionit të koduar “Rosa dei Venti”,  janë prangosur 11 persona me urdhër të gjykatës së Katanias, 9 prej të cilëve do të qëndrojnë në paraburgim deri në mbyllje të hetimeve. Banda, sipas akuzës, i përket një organizate kriminale italiano-shqiptare, që merrej prej kohësh me trafik ndërkombëtar droge dhe armësh.

Sipas vlerësimeve të hetuesve, vitet e fundit kjo bandë ka qenë në gjendje të transportojë mbi 3500 kilogramë marihuanë në Itali, nga bregdeti shqiptar. Grupi gjithashtu u kap me disa armë Kallashnikov dhe qindra municione.

Droga do të përdorej për të furnizuar sheshet e Katanias, në krahinat e Raguzës dhe Siracusa, duke realizuar një xhiro që vlerësohet në mbi 20 milionë euro.

Tre nga të arrestuarit ishin shqiptarë: Miridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe Moisi Habilaj. Ky i fundit është akuzuar që katër vjet më parë si kushëri i ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe si lidhje e tij e drejtpërdrejtë me trafikun e kanabisit.

Vetë Habilajt kanë pranuar se janë kushërinj të largët me ish-ministrin, por akuzat e opozitës i kanë konsideruar si spekulime.

Pas daljes së lajmit, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Partia Demokratike ka denoncuar për 4 vite lidhjen e qeverisë me këtë klan, lidhjen e afërt të Tahirit me këtë bandë. “Audi” i famshëm i ministrit, përdorej pikërisht nga ky që sot u arrestua në Itali. Edi Rama arrestoi Dritan Zaganin, oficerin e policisë që e denoncoi këtë lidhje dhe sulmoi opozitën pareshtur. Po sot çfarë do të thotë? Vetëm ngarkesa e kapur prej policisë italiane vlen 20 milionë euro. Po në 4 vite, sa para qarkulloi narkomafia me mbështetjen e Tahirit dhe mbrojtjen e Ramës?”, shkruan Basha.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, shkruan se arrestimi i Habilajt është paralajmërim për arrestimin e vetë Saimir Tahirit.

“Habilajt, sipas kontrollit të TIMS, kanë transportuar drogë jashtë vendit 27 herë me makinën e kushos-bandit ministër Saje qorri, dhe ky trafik, i denoncuar nga Zagani, i kushtoi postin këtij të fundit”.

Nga jashtë vendit, ku ndodhet i mërguar, ka reaguar edhe ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani, i pari që ka përmendur lidhjen Habilaj-Tahiri. Zagani, ishte një ndër personat e parë që denoncoi mbrojtjen që, sipas tij, Tahiri po iu bënte kushërinjve, për të mbjellë dhe trafikuar drogë drejt Italisë.

“Vite më parë kur unë, si polic i "korruptuar", u arrestova me urdhër të kushëririt të Moisiut, ministrit të asokohe, z.Saimir Tahiri,nga Saja dhe shefi i tij u tha që unë isha një i arratisur dhe kriminel, që bashkëpunoja me trafikantët dhe se kushëriri i shkretë ishte bisnesmen i pastër...! Pres me ankth si do të reagojë Shqipëria për këto "shpifjet" që unë kam vite e vite që i hetoja... dhe u shpallën si shpifje nga të gjitha strukturat e shtetit, deri te vetë lartgjatësia e tij, zoti Rama...!”, shkruan Zagani.

Vetë ish-ministri i Brendshëm ka reaguar mbrëmë duke kërkuar dënim maksimal për të arrestuarit. “Akuzat e Bashës as më kanë bërë, as më bëjnë përshtypje”, tha Saimir Tahiri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: