Vapa “than” edhe paratë e buxhetit

Vapa “than” edhe paratë e buxhetit
Përveçse ka krijuar probleme të mëdha me thatësirën dhe zjarret në rang vendi, vapa e këtyre javëve të fundit duket se të tilla i ka hapur edhe qeverisë me paratë e saj, e cila është detyruar të rishikojë buxhetin vjetor për muajt mbetur të 2017-ës. Kështu, përmes një akti normativ i cili do të publikohet menjëherë në Fletoren Zyrtare, pra do të bëhet i detyrueshëm për zbatim pa qenë nevoja t’i kalojë Kuvendit, ajo ka miratuar shtim parash për blerje të energjisë elektrike, por në të njëjtën kohë edhe për fondet rezervë si të tilla. E thënë ndryshe, qeveria ka vënë në dispozicion më shumë para’ sesa kishte programuar në fillim të vitit për ngjarje të paparashikuara siç mund të jenë pikërisht ato që kanë lidhje me motin. Nisur pikërisht nga tejzgjatja e vapës së kësaj vere, e cila u shoqërua me një kosto të shtuar për shtetin shqiptar jo vetëm për import të ri të energjisë elektrike, por në të njëjtën kohë edhe për menaxhimin e situatës së zjarreve.

Konkretisht, Akti Normativ i qeverisë parashikon që huadhënia për energjinë elektrike, nga buxheti i shtetit të kapë një vlerë të re prej 4.5 miliardë lekësh, nga vetëm  1.5 miliardë lekë që ajo ishte programuar në fillim të vitit kur nisi vënia në zbatim e buxhetit të këtij viti. Sikundër, nga ana tjetër, ai parashikon edhe një rritje të fondit rezervë, përkatësisht deri në vlerën e 2.7 miliardë lekëve nga 1.5 të tilla që ai ishte parashikuar në kohën kur u hartua dokumenti themelor i financave të shtetit. Kësisoj, janë plot 4.3 miliardë lekë që shteti ia shton arkës së tij të buxhetit, vetëm për të përballuar situatat që kanë lidhje me motin kryesisht, deri në fund të këtij viti. Një shumë kjo, që sipas ekspertëve të saj, në fakt nuk do ta rrisë aspak vlerën e borxhit publik, pasi pretendohet që të kompensohet me më shumë të ardhura të siguruara në tërësi prej shtetit.

Urdhri: Deri në 1 miliardë lekë për përballimin e emergjencave natyrore

“Deri në 1 miliardë lekë, për përballimin e emergjencave natyrore”. Ky është urdhri i ri i ministrisë së Financave, përfshirë në ndryshimet e reja bërë ndaj buxhetit të shtetit për pjesën e mbetur të këtij viti. Një frazë kjo që po të shohim me kujdes, nuk ka qenë aspak e përfshirë në dokumentin zyrtar të ligjit për buxhetin e shtetit 2017. E përfshirë saktësisht në ndryshimet e bëra në nenin 13 të tij, ajo sqaron faktin sesi qeveria tani po tregohet më e parapërgatitur në rast të ndonjë situate të mundshme emergjence natyrore, siç kanë qenë në fakt të ngjashme ato të krijuara gjatë kësaj vere për shkak të zjarreve të shumta në gjithë sipërfaqen e vendit. “Fondi rezervë i buxhetit, prej 2.7 miliardë lekësh përdoret: Deri në 1.2 miliardë lekë, për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, nga Këshilli i Ministrave; Deri në 500 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; Deri në 1 000 milionë lekë, për përballimin e emergjencave natyrore”, saktëson neni 4 i Aktit Normativ të qeverisë.

Nuk ndryshohet borxhi, mbahet në të njëjtin nivel

 Borxhi publik i qeverisë mbetet për muajt e mbetur të këtij viti, i njëjtë me atë që ishte parashikuar në fillim të tij teksa u zyrtarizua dokumenti i buxhetit të shtetit 2017. Kjo konfirmohet në aktin normativ të miratuar së fundmi nga qeveria për ndryshimet brenda tij. “Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit për vitin 2017, është 31 699 milionë lekë”, saktëson ajo në këtë akt normativ, njësoj në fakt siç thuhej edhe në buxhetin 2017. “Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1.103.025 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë: stoku i borxhit shtetëror 1.045.386 milionë lekë dhe stoku i borxhit shtetëror të garantuar 57 639 milionë lekë”, detajon më tej qeveria, duke mos ndryshuar në këtë mënyrë parashikimet e saj rreth treguesit të borxhit, të bëra që në fillim të këtij viti.

 

Qeveria: Do arrijmë të mbledhim 2 miliardë lekë më shumë nga sa kishim parashikuar

Qeveria ka rritur me 2 miliardë lekë planin e të ardhurave buxhetore, që do të thotë se buxheti parashikon të grumbullojë më shumë të ardhura në muajt e mbetur të vitit. Një fakt të tillë e tregojnë të dhënat e aktit normativ të miratuar dje prej saj, sipas të cilave, rezulton se të ardhurat e parashikuara të mblidhen në kuadrin e gjithë buxhetit vjetor 2017 janë në vlerën totale prej 438 miliardë lekësh, nga vetëm 536 të tilla që ishin parashikuar në fakt në fillim të vitit. Ndërkohë që paralelisht, qeveria raporton se ka kursyer edhe 4.1 miliardë lekë nga interesat e borxhit, duke e konsideruar këtë si një formë të ardhurash, të cilat do t’i faturohen arkës së buxhetit të shtetit. “Buxheti për vitin 2017 është: Të ardhurat 438 401 milionë lekë; Shpenzimet 469 600 milionë lekë”, saktëson akti normativ i qeverisë.

 

Nuk ndryshon fondi i pagave e pensioneve, mbetet në fuqi rritja e tyre gjatë këtij viti

Një detaj tjetër që bie në sy gjatë leximit të aktit të fundit normativ të qeverisë, është edhe ai i mosndryshimit të fondit të pagave dhe pensioneve parashikuar në buxhetin 2017, duke lënë në fuqi rritjen e tyre që u realizua në muajt e parë të tij. “Fondi për rritjen e pagave prej 5.5 miliardë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë fond përfshihen efektet financiare për rritjen e pagave në njësitë e qeverisjes qendrore, në institucionet e arsimit të lartë, në funksionet e reja transferuar buxhetit vendor nëpërmjet grantit specifik, si dhe në fondin e sigurimit të kujdesit shëndetësor”, kujtojmë se përcaktohej në buxhetin e shtetit 2017.

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: