"STINË E MËRZITSHME NË OLIMP"-IN E POLITIKËS- OPINION NGA ALFRED PEZA

"STINË E MËRZITSHME NË OLIMP"-IN E POLITIKËS- OPINION NGA ALFRED PEZA
Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Titulli i dramës së vetme të Ismail Kadaresë, "Stinë e mërzitshme në Olimp", duket se i shkon më së shumti dhe i rri më mirë si diçiturë, raportit të medias dhe politikës shqiptare, gjatë këtyre ditëve të nxehta të muajit gusht, sepse sa më shumë që rriteshin temperaturat e motit, sa më të larta bëheshin flakët e zjarreve anekënd vendit, sa më shumë viktima përpinin ujërat tona dhe sa më shumë shtohej numri i turistëve të huaj që u dyndën si kurrë më parë në këto anë, aq më shumë dukej sikur mediat shqiptare kërkonin e kërkonin dëshpërimisht, veç lajme politike në Tiranën e zbrazët. Megjithëse është muaji zyrtar i pushimit për Parlamentin, për qeverinë, presidencën, ministritë, prefekturat, bashkitë e për partitë politike, mediat vazhdojnë të kërkojnë të kenë si kryesor, veç lajmin politik.

Çdo lëvizje, çdo foto, koment e çdo status në rrjetet sociale nga liderët politikë, ministrat, deputetët e kandidatët për deputetë, si dhe drejtuesit e qeverisë dhe shtetit, sado i parëndësishëm qoftë ai, zë menjëherë hapësirat e para të edicioneve, faqet e para të gazetave dhe lajmin kryesor në mediat online dhe rrjetet sociale. Duke riprodhuar të gjithë, pothuajse pa asnjë përjashtim, të njëjtin tekst, të njëjtin koment, të njëjtin qëndrim. Aq sa të krijohet ideja sikur të gjitha shkruhen nga e njëjta dorë dhe projektohen nga e njëjta mendje, dhe mediat, të gjitha së bashku, nuk janë më asgjë tjetër, veçse përcjellëse të të njëjtit produkt mediatik.

Rrallë, gjithnjë e më rrallë për të qenë më të saktë, hasen kronika, shkrime apo komente e analiza origjinale, autentike, nga ku mund të mësosh diçka tjetër të re e të kuptosh diçka më shumë se në mediat e tjera. Ndërkohë që po merr trajtë e po kristalizohet një lloj i ri gazetarie, që fare mirë mund të quhej edhe zhanri i "gurit në lumë". Ku ngrihet dikush me një lloj statusi apo një farë njohje publike e thotë apo bën diçka dhe të gjithë si të ishin në një gjueti kolektive shtrigash, sulen kush e kush të japë "mendimet", të bëjë "komentin" e tij, të thotë "gjykimin" e "fjalën" e tij, të bëjë "analizën" apo të japë sharjen e tij origjinale. Kjo duket se është edhe moda e re, e medias se re, në këtë stinë të mërzitshme lajmesh.

Nëse do na duhet të shohim një reportazh për turizmin shqiptar, për ofertën shqiptare turistike të këtij viti, për peizazhin, atraksionet, destinacionit, paketat, çmimet e ushqimit nëpër restorante, hotele, nëpër familje dhe bujtina, nëse duam të informohemi pak më mirë për trashëgiminë kulturore dhe historike që Shqipëria ofron gjatë kësaj stine e gjithë vitin për të huajt që duan të vijnë këtu, mos i kërkoni kot nëpër mediat tona, sepse nuk i kanë. Nuk do t’i gjeni. Po edhe nëse i kanë, i kanë marrë nga CNN, BBC, Reuters, Vogue, National Geographic, The New York Times. Apo nga mediat e tjera kryesore italiane, franceze, gjermane, angleze, amerikane, zvicerane, spanjolle, skandinave, etj.

E njëjta gjë edhe nëse dëshirojmë të mësoni më shumë për ekonominë shqiptare, për investimet e huaja, për projektet në lumin e Vjosës dhe ndikimin e tyre mjedisor, për TAP-in, për raportet Shqipëri-Serbi, për krizën e re politike në Kosovë, për pengesat në ushtrimin e të drejtës për gjuhën shqipe në Maqedoni, për interesin amerikan në Tiranë në lidhje me çështjen iraniane, për sukseset e artistëve dhe sportistëve shqiptarë nëpër botë, për historitë e suksesit të emigrantëve dhe bëmat e kriminelëve. Në këtë mënyrë të krijohet përshtypja, sikur mediat tona janë shndërruar me dëshirën e vet, në disa zyra thjeshtë lokale, për të mbuluar vetëm disa lajme të parëndësishme e me një interes krejt periferik për jetën e qytetarëve shqiptarë.

Ndërkohë që për lajmet profesionale, me rëndësi dhe interes kombëtar, duhet të mos shqetësohemi, sepse ka kush na i bën. Ka kush na mbulon e nga ku t’i marrim pa u lodhur fare, sepse tani ato kanë filluar të na i shkruajnë, të na i transmetojnë të tjerët. E në këto kushte, të gjithëve ne nuk na mbetet gjë tjetër, veç t’i përkthejmë për t’i mësuar nga mediat e huaja. Nga agjenci, televizione, radio, gazeta, website dhe nga gazetarët ndërkombëtarë.

Nisur nga kjo logjikë, ky realitet, nga kjo tendencë dhe ky mjerim, mos u mërzisni, sepse gjithnjë ka shpresë, për aq kohë sa e kemi mësuar tashmë, se ajo vdes e fundit. Sepse stinës së mërzitshme në Olimpin e politikës shqiptare, po i vjen fundi. Pasi kaloi mesi i muajit dhe po hyjmë me shpejtësi në zonën që të gjithë e njohim si "gusht dhe gunë". Nga fillimi i javës tjetër, metereologët parashikojnë jo vetëm ulje temperaturash, por edhe shi, erë, furtunë dhe rrebesh. Shenjë e qartë dhe e sigurt, se liderët tanë politikë, po bëhen gati që t’i mbarojnë pushimet, e do fillojnë t’i lenë së shpejti plazhet. Do i largohen gjithnjë e më shumë bregdetit dhe do fillojnë të kthehen një e nga një, ashtu siç edhe ikën, në Tiranë.

Do të mbarojnë edhe leksionet me rroba plazhi nga kampet verore të të rinjve të politikës, ku i treguan për të "n"-tin gusht me radhë, se demokracia shqiptare qenka prapë e brishtë. Ndërkohë që ministrat teknikë, më në fund u dorëzuan dhe dhanë dorëheqjet, për t’ua lënë bashkë me raportin për zgjedhjet, detyrën e tyre zv.ministrave që gjetën e lanë përsëri po aty. Një zv/ministër dha dorëheqjen për shkaqe personale. Javës tjetër, Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare dhe opozita do të rikthehet me forca të reja për të na i mbushur përsëri mediat me lajme të vjetra.

Dalëngadalë do të vijë më pas edhe shtatori, muaji më pjellor e i shumëpritur për politikën dhe të gjithë ata që nuk mund të jetojnë pa lajme politike. Pa do të na mblidhet Parlamenti i ri, do të krijohet qeveria e re, do të na rreshtohet në krahun e djathtë opozita e re e do të na fillojnë përsëri disa debate të vjetra. Çdo të enjte, mos harroni të filloni të bëheni gati për të parë nga ora 10:00 deri në mesnatë, debatin në Parlament, se si shahen, fyhen, kërcënojnë, akuzohen, akuzojnë dhe debatojnë deputetët tanë për gjithçka e për çdo gjë, por vetëm për rendin e ditës, jo e jo.

Pastaj do të rifillojë sezoni i ri i debateve politike televizive. Temat e reja do të analizohen përsëri, po nga ata analistë të vjetër. Lajmet e reja do të komentohen përsëri në po të njëjtat studio të vjetra. Më pas do të vijojë nëpër kafene, stola, parqe, mejhane, restorante, zyra e nëpër familje të diskutohet se kur do të zbatohet përfundimisht reforma në drejtësi? A do të bashkëpunojë presidenti i ri me kryeministrin e ri? Po me kryetarin e ri të Parlamentit? A do të bashkëpunojë kryetari i PD-së me kryetaren e LSI-së? A do të unifikohet opozita? Çfarë qëndrimi do të mbajnë amerikanët? Po BE-ja? Çfarë po mendon për ne sot Donald Trump-i? Po Angela Merkel?

Më pas fillojnë sondazhet nëpër rrjetet sociale, me pyetjet e tipit: A do të përçahet PD-ja? A do të krijojë Astrit Patozi, parti të re? Kë ministër vlerësoni më shumë? A do të bashkëpunojë opozita me presidentin? Kur do të pranohet Shqipëria në BE? Të paktën të kujtohet dikush e të bëjë një pyetje më të hairit. Për shembull: Kë duhet të fusë në portë trajneri i kombëtares: Berishën apo Strakoshën?

Pasi t’i kemi diskutuar, marrë e dhënë përgjigjet për të gjitha këto pyetje, mos u largoni nga celulari, nga kompjuteri apo nga televizori, sepse nuk kemi mbaruar akoma. Madje hollë-hollë, tani duhet të fillojmë të informohemi pak, sepse është radha të mësojmë e kuptojmë ndonjë gjë të re për ekonominë shqiptare, problemet tona sociale, investimet e huaja, për hapjen e vendeve të reja të punës, për rritjen dhe stabilitetin ekonomik, turizmin, sportin, artin e kulturën. Ku do t’i gjeni të gjitha këto? Mos u mërzisni! Na i kanë bërë gati. Mjafton të filloni të shfletoni nga pak, mediat e huaja.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: