Skandal apo arsye! Pse u zhduk Luiza Gega?

Skandal apo arsye! Pse u zhduk Luiza Gega?
Pas mbylljes së Kampionatit Botëror, Federata Shqiptare e Atletikës paralajmëroi masa disiplinore ndaj atletes Luiza Gega, e cila me atletin Izmir Smajlaj ishin sportistët e vetëm shqiptarë që kapnin normat për këtë eveniment. Por çështja shtrohet se a i trajton Shqipëria kampionët e rrallë të saj siç trajtohen kudo kampionët e Europës dhe të botës?    

Aranit Muraçi

Atletika njihet ndryshe edhe si “mbretëresha” e sportit. Nga ky sport dalin kampionë të përmasave botërore që frymëzojnë brezat e rinj. I tillë ishte sprinteri xhamajkian, Usain Bolt, i cili u dëmtua gjatë garave dhe nuk e mbylli karrierën ashtu siç do të dëshironte. Megjithatë me disa medalje ari dhe rekordet botërore që vendosi gjatë dekadës së fundit, në 100 dhe 200 metra, Bolt largohet nga sporti i atletikës si njeriu më i shpejtë që historia e njerëzimit kishte parë ndonjëherë.

Edhe Shqipëria ka kampionët e saj, ende jo në rang botëror. Por kemi kampionë europianë, të cilët nga pesha specifike që zë vendi ynë në kontinent apo puna që bëhet në Shqipëri, mund të konsiderohen heronj. Në kampionatin Botëror të Atletikës zhvilluar muajin e fundit, ndodhi çudia më e madhe, ndonëse çuditë në vendin tonë për bëhen gjithnjë e më shumë ngjarje të zakonshme. Dy sportistët tanë më të mirë të atletikës, Luiza Gega, në vrapimin e 3.000 metrave me pengesa, dhe Izmir Smajlaj në kërcimin së gjati, munguan në atë që konsiderohet veprimtaria më e  madhe sportive e karrierës së tyre, pas Olimpiadës. Të dy sportistët kishin kohë që përgatiteshin, e prisnin botërorin me optimizëm, madje zhvilluan për disa muaj me radhë një fazë përgatitore intensive, edhe pse nga kushtet e afruara u ankuan shpesh për vështirësitë. Luiza Gega ishte deri në Kenia për përgatitjet, aty ku dalin atletët më të mirë në botë. Por pranoi me dëshpërim për “Albania Free Press” se një pjesë të shpenzimeve të përgatitjeve i mbuloi nga xhepi i saj. Pak javë para Kampionatit Botëror të Londrës Luiza Gega theu rekord kombëtar në Oslo. Ajo po stërvitej në Dardhë e Voskopojë të Korçës, dhe papritur, kur pritej të garonte në një event të madh, shpresa e madhe e sportit shqiptar për të arritur sukses në arenat ndërkombëtare mungoi. Hije të mëdha dyshimi janë ngritur mbi mungesën e Luiza Gegës.

Mungesa e Luiza Gega...dhe kampionia amerikane 

Emma Coburn, atletja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 11 gusht fitoi medalje ari në disiplinën e 3.000 metrave, në të njëjtën garë ku duhet të garonte edhe atletja shqiptare Luiza Gega. Vendin e dytë e zuri patriotja e saj, Courtney Frerichs dhe medaljen e bronzit e mori atletja nga Kenia, Jepkemoi. Nga 42 pjesëmarrës që ishin regjistruar në këtë garë, garuan 40 atletë. Luiza Gega ishte atletja e vetme që mungoi, ndërsa atletja amerikane Colleen Quigley u s’kualifikua.

“Kampione bote! Çfaaarë?!?!!! Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan për këtë arritje kaq të madhe,” – u shpreh pas garës Emma Coburn. Atletja që mban rekord botëror në 3.000 metra ka shumë admirues në SHBA, por fitoren e saj e ka ndjekur edhe Luiza Gega, e cila i është bashkuar mbi 15 mijë ndjekësve në profilin e saj Facebook, që i ka dhënë “like” këtij suksesi, duke u kthyer në një prej fansave të rivales së saj.  Në finale nga 15 sportiste, e vetmja atlete europiane që arriti të kualifikohej ishte gjermania Gesa Felicitas Krause, e cila u pozicionua në vendin e 9-të (9:23.87). Luiza Gega vetëm pak kohë më parë theu rekord kombëtar në garat e Oslos (9: 26.05). Me të njëjtin rezultat nëse nuk do ta përmirësonte në Londër, Luiza Gega jo vetëm që nuk do të diskutonte kualifikimin në garën finale të 11 gushtit, por do të ishte atletja e dytë nga Europa pas Gjermanisë, që do të rreshtohej krah atleteve më të mira të planetit.

Por sportistëve tanë u kërkohet me pa të drejtë medalje në të tilla gara, qoftë edhe nga opinioni publik i painformuar mbi ecurinë dhe përpjekjet e tyre për të përfaqësuar sa më denjësisht Shqipërinë.  Zona e medaljeve është si të thuash që të pretendohet nga kombëtarja shqiptare e futbollit që të fitojë Kupën e Botës, kur në tërë historinë e saj nuk ka arritur dot të marrë pjesë asnjëherë në finalet e këtij eventi. E megjithatë në çdo ndeshje kualifikuese kombëtarja për çdo fitore bën krenarë të gjithë shqiptarët. Kështu që edhe Luiza Gega do ta kishte të vështirë të arrinte zonën e medaljeve, për faktin se atletet amerikane as në fillimet e karrierës së tyre nuk mund të ankohen për kushte dhe jo kur SHBA i vlerëson si kampione të mundshme. Atletet e Kenias thuhet se e kanë në gen atletikën, madje ky vend ka fituar shpesh medalje në Olimpiadë, për meshkuj e femra.  Por, megjithatë, me rezultatet e mëparshme në rast se do të motivohej dhe përgatitej maksimalisht, Luiza Gega kishte të dhëna që ta nderonte Shqipërinë. Gjithnjë nëse mes saj e trajnerit Taulant Stërmasi dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Atletikës nga ana tjetër, nuk do të kishte pasur mosmarrëveshje. Të tilla mosmarrëveshje, si të mos mjaftonin problemet e tjera që ka sporti në Shqipëri, e lanë vendin tonë pa asnjë përfaqësues, në disiplina të ndryshme të Kampionatin Botëror të Atletikës. Luiza Gega, pas kësaj mungese të habitshme nuk dihet nëse do të gjej motiv që të vazhdojë të kërkojë suksese të mëtejshme.

 

Rezultati i kaluar i Izmir Smajlaj...Europa pas tij në Londër    

Federata Shqiptare e Atletikës nderoi disa muaj më herët kampionin e Evropës, Izmir Smajlaj, dhe nënkampionen e Evropës, Luiza Gega, si sportistët më të mirë të vitit 2016. Të dy sportistët kanë dominuar garat gjatë viteve të fundit, duke thyer rekorde kombëtare, por kanë njohur edhe sukses ndërkombëtar.

 

Në muajin mars Izmir Smajlaj u shpall kampion Europe për sallat e mbyllura në Boegrad, sukses që bëri krenar të gjithë shqiptarët. Por në Londër në mungesë të tij, dhe të Luia Gegës...mungoi Shqipëria. Askush nuk e ngriti zërin mbi këtë mungesë, çka vërteton se për të arritur sukses ndërkombëtar nuk kemi asnjë strategji kombëtare, asnjë dëshirë, as ndonjë shqetësim. Në sport mund të punohet individualisht për pasion, por jo se ka ndonjë përpjekje serioze. Thjesht suksesi vlerësohet si diçka që mund të vijë vetvetiu. Dhe gara pas suksesit të një sportisti në vendin tonë vazhdon se kush e kush t’i bashkohet më shumë meritës.

Në disiplinën e Smajljat, kërcim së gjati, kampion bote u shpall Luvo Manyonga nga Afrika e Jugut, medalje argjendi mori  Jarrion Lawson i SHBA dhe medalje bronxi  Rushwahl Samaai sërish nga Afrika e Jugut. Pozicionin më të mirë për një atlet nga Europa e mori Michel Tornéus, Suedi, i cili doli i teti në garë. Suedezi në muajin mars mori medalje argjendi, duke u renditur pas Izmir Smajlajt, që mori medalje ari. Rezultatet tregojnë se Shqipëria ka dy ndër atletët më të mirë të Europës në disiplinat e tyre.

Ndëshkimi që s’vlen... Masat disiplinore ndaj Luiza Gegës?!

Duke ngritur shumë pikëpyetje mbi mungesën e Shqipërisë në botërorin e atletikës, fillimisht nga Federata Shqiptare e Atletikës, u tha se Luiza Gega nuk mori pjesë për shkak dëmtimi.

Dhe Smajlaj për këtë arsye nuk rezulton të mos ketë qenë i regjistruar fare në disiplinën e tij. Kampioni Smajlaj për “Albanian Free Press”, ndryshe nga Luiza Gega e cila prej mungesës “pa arsye” ka kaluar në heshtje të plotë, tha se momentalisht ndodhet në Itali me pushime. Pas mbarimit të Kampionatit Botëror, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli u shpreh dje se Luiza Gega dhe  trajneri i saj duhet të paraqiteshin në kampionat, pavarësisht situatës, çka ka pranuar mosmarrëveshjet. Për këtë shkak ai ka kërkuar të zbatohet rregullorja me masë disiplinore ndaj Luiza Gegës. Por çfarë shembulli do të sjellë për të tjerët masa disiplinore  ndaj atletes së vetme që kemi dhe prej së cilës atletika mund të na përfaqësojë në Olimpiadën e ardhshme, Tokio 2020?!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: