Sezoni turistik, kosovarët po i braktisin plazhet shqiptare

Sezoni turistik, kosovarët po i braktisin plazhet shqiptare
Ata mbeten ende të shumtë në numër, por gjithsesi, më pak të pranishëm se më parë në plazhet shqiptare. Fjala është për qytetarët e Kosovës që mbërrijnë përvit në rivierën e Shqipërisë, të cilët po pakësohen nga viti në vit, edhe pse figurojnë ende të parët në listimin e të huajve që e zgjedhin atë për pushime. Dukuri kjo e konfirmuar zyrtarisht edhe nga të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se gjatë periudhës së muajve qershor-korrik të këtij viti në vendin tonë kanë mbërritur më pak kosovarë se për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konkretisht, INSTAT referon se për muajin qershor, i cili përkoi edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, numri i kosovarëve që erdhën në Shqipëri për pushime zuri vetëm 31% të totalit të turistëve. Një nivel ky më i ulët, po ta krahasojmë me atë prej 40.2% që ata zunë kundrejt gjatë qershorit të vitit të kaluar. Sikundër, edhe për muajin korrik raportohet një shifër mjaft e dobët e kosovarëve, vetëm 297 mijë të tillë, në krahasim me 444 mijë që mbërritën korrikun e kaluar, duke shënuar një rënie drastike të tyre, deri në nivelin prej -33.2%.

Më tej, ekspertët e statistikave japin edhe të dhënat vjetore rreth një krahasimi të tillë, duke saktësuar se për gjithë muajt e këtij viti, në plazhet shqiptare kanë mbërritur në total rreth -17% më pak kosovarë se vitin e kaluar. Respektivisht, nëse në periudhën janar-korrik të këtij viti numërohen rreth 866 mijë të tillë që kanë ardhur në Shqipëri, për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër ka qenë deri në 1 milion kosovarë. Që të gjitha, shifra që flasin qartë për një dobësim në vijueshmëri dhe të dukshëm të fluksit të kosovarëve që vijnë të pushojnë në Shqipëri. Deri dje, një zë mjaft potencial për turizmin shqiptar dhe që u shoqërua edhe me investime të konsiderueshme posaçërisht për pushuesit kosovarë, sidomos në bregdetin e Durrësit.

Maqedonasit, fqinjët e rajonit që po  na afrohen gjithmonë e më shumë

Maqedonasit rezultojnë që të jenë ndër fqinjët e rajonit tonë, të cilët po na afrohen gjithmonë e më shumë sa i përket aspektit turistik si të tillë. E thënë ndryshe, mjaft maqedonas kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime, ndryshe nga kosovarët, të cilët duket se po e braktisin një përvojë të tillë. Konkretisht, të dhënat zyrtare flasin për një sasi të shtuar të vizitave të maqedonasve drejt vendit tonë, deri në 12.1% të totalit në qershor të këtij viti, krahasuar me 11.8% që ajo ka qenë në qershorin e vjetshëm. Por edhe për korrikun raportohen shifra në rritje të tyre, respektivisht deri në 95 mijë të tillë, nga vetëm 79 mijë që ishin në korrikun e kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 19.6%. Kurse rritja vjetore, në tërësi e maqedonasve që vizitojnë Shqipërinë për gjithë periudhën janar-korrik 2017 ka rezultuar në nivelin prej 9.6%. Duke referuar kështu se ata po tregohen gjithmonë e më shumë dashamirës ndaj tokës shqiptare, teksa e zgjedhin si destinacion për ta vizituar.

Harta e vizitorëve, “boom” nga Gjermania e Italia

Mund të thuhet se ata kanë shënuar një “boom” të vërtetë vizitash drejt vendit tonë gjatë këtij viti. Kështu, qytetarët e Gjermanisë dhe të Italisë janë listuar ndër të parët sa u përket atyre, me nivele mjaft të larta rritëse krahasuar me vitin e kaluar. Konkretisht, siç raporton Instituti i Statistikave, vetëm për muajin korrik të këtij viti, u numëruan plot 21 mijë gjermanë që mbërritën në Shqipëri, kundrejt vetëm 15 mijë të tillëve një vit më parë, e duke shënuar kështu një rritje vjetore të konsiderueshme, deri në nivelin prej 45.4%. Ndërsa në tërësi, gjatë periudhës së muajve janar-korrik të këtij viti, mund të thuhet se kanë qenë rreth 63 mijë vizitorë gjermanë drejt Shqipërisë, krahasuar me vetëm 40 mijë të tillë vitin e kaluar, respektivisht me një rritje deri 56%. Një trend ky i ngjashëm me atë të vizitorëve nga Italia, që vetëm për muajin korrik u shtuan me 37%, kurse për gjithë vitin deri në 56%.

 

Polakët në krye të listës, rritje deri në nivelin prej 77% krahasuar me vjet

Polakët mund të thuhet pa frikë se kanë qenë edhe “qershia mbi tortë” e këtij sezoni turistik. Teksa kanë shënuar edhe rritjen më të madhe statistikore të vizitave të tyre drejt vendit tonë. Një rritje kjo e cila ka arritur deri në nivelin prej 77%, vetëm për muajin korrik. Por edhe ajo vjetorja ka qenë goxha e konsiderueshme, deri në nivelin prej 71%. Respektivisht sipas shifrave, rezulton se ndërsa në muajin korrik të vitit të mëparshëm në Shqipëri mbërritën 17 mijë polakë, në korrikun e sivjetshëm ata arritën deri në 31 mijë të tillë. Kurse në total, për gjithë periudhën e muajve janar-korrik të vitit të kaluar polakët që e kanë vizituar Shqipërinë ka qenë 34 mijë, kurse gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti kanë qenë rreth 58 mijë.

Në muajin korrik, 2.8% më shumë vizitorë të huaj drejt vendit tonë

“Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin Korrik 2017 është 1.379.302. Krahasuar me Korrik 2016, ky tregues rezulton me rritje 2.8%”. Kështu pohojnë ekspertët e statistikave në raportin e tyre më të fundit, duke sqaruar me detaje se “numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 864.023, krahasuar me muajin korrik 2016”. Kurse në total, për gjithë periudhën e muajve të parë të këtij viti, ata kanë konfirmuar se ai ka qenë në total prej 5.199.145 vizitorësh, duke u rritur me 5,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Nga ana tjetër, ekspertët shtojnë se të larta kanë qenë edhe daljet e shqiptarëve nga vendi gjatë muajit korrik të këtij viti, respektivisht në nivelin prej 1.362.491 të tillësh , duke shënuar një rritje me 6.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: