RRIMË NËN HIJE E TALLIM VETEN- OPINION NGA SONILA MEÇO

RRIMË NËN HIJE E TALLIM VETEN- OPINION NGA SONILA MEÇO
Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Të gjithë e duan të vërtetën, por rrallëkush do të jetë i ndershëm. Dhe për këtë, pasojën e vuan realiteti që i lë vendin një perceptimi ku ankorojmë dëshirat tona, sikur të jenë fakte konkrete. Një paradoks që na bën të dyshojmë tek vetja, aftësinë logjikuese, të përhumbemi në zgjidhje të çmendura problemesh edhe më absurde. Që të mos i shkoj avazit vapës trullosëse, po merrem me një paradoks që herët a vonë, do të na vendosë në një tjetër edhe më të madh brenda këtij të voglit. Ngjan problem i çmendur? Ja ta analizojmë, duke mbledhur përballë një gjetjeje disa të tjera, për të evidentuar se në cilën barrikadë qëndron absurdi, apo çmenduria. Të paktën të shpëtojmë veten përmes arsyetimit, se disa kanë vendosur të qëndrojnë si Liza, në fantazitë e tyre.

Eurobarometër ka publikuar vrojtimin standard mbi temën e ekonomisë, si pjesë e studimeve periodike që Komisioni Europian realizon për vendet anëtare dhe ato kandidate të familjes së përbashkët. Sipas vrojtimit, 55 për qind e shqiptarëve janë shprehur se gjendja ekonomike e Shqipërisë është përgjithësisht e mirë, 44 për qind e vlerësojnë atë përgjithësisht të keqe, ndërsa 1 për qind nuk ka dhënë asnjë vlerësim.

Koha e pyetjeve përkon me javën e fundit të majit, në çeljen e fushatës më të çuditshme elektorale ku, prej situatës ekonomike, u evitua një bilanc i tërë rezultatesh nga qeveria e 2013-ës dhe u ofruan programe alternative me togfjalëshin “nxjerrjen nga kriza” si zgjidhje. Ndaj, të lexosh optimizëm kur pala e qeverisjes fshihej prej bilancit pozitiv të munguar dhe ajo opozitare kërkonte ndërhyrje kirurgjikale, kur statistikat e brendshme e të huaja dëshmonin moment kritik për ekonominë, ende jo konkurruese as në rajon, do të thotë se mes realitetit e perceptimit, faktit e deklarimit, ka një hendek jo të vogël për të cilin as vetë qeveria nuk ka qenë në dijeni. Përndryshe diskursi elektoral do të përqendrohej fort tek kjo ekonomi e mirë e premtimeve të realizuara, që prodhojnë optimizëm frymëzues.

Eurobarometër ka pyetur 1083 veta, ballë për ballë, dhe rezultatet gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Europian. Sipas tij, krahasuar me vjeshtën e vitit të kaluar, pjesa e shqiptarëve që e vlerësojnë të mirë gjendjen ekonomike, është rritur me 20 pikë përqindje. Shqiptarët e vlerësojnë ekonominë më pozitivisht edhe se sa qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian.  Sipas vrojtimit, në BE janë vetëm 45 për qind e qytetarëve që e vlerësojnë si të mirë situatën ekonomike të vendit të tyre, ndërsa 51 për qind mendojnë se ajo është e keqe. Megjithëse niveli i varfërisë në Shqipëri, është më i larti në Europë dhe të ardhurat për frymë janë disa herë më të vogla, madje më të ultat në rajon. Madje sipas Eurostat në vitin 2016, Shqipëria renditej me Bosnje-Hercegovinën si më të varfrat në rajon. Të besojë vallë shqiptari i thjeshtë tek ekonomia shqiptare, më shumë se francezi e gjermani tek ekonomia e vendit të tij? Mundet dhe këtu ende nuk jemi në kufijtë e paradoksit, megjithëse treguesit e Eurostat po na e kthjellojnë nga pak udhën drejt atij kufiri.

Çdo matje opinion publik është e mirëpritur, aq më tepër kur besueshmëria e tyre i lihet apriori faktit se janë realizuar nga ndërkombëtarë dhe nuk ndikojnë interesa të drejtpërdrejta pushtetarësh. Por nëse Europa vetë po rreket të korrigjojë mosnjohjen e problematikës në rajon, nëpërmjet injektimeve të investimeve në infrastrukturë dhe një angazhimi akut politik për të shmangur në moment të fundit krizat, ia vlen të bëhemi skeptikë mbi rolin e përfaqësuesve të tyre në Tiranë. Jo për cinizëm militantesk, as për gjueti shtrigash, por për një arsye bazike: Është ekonomia, buka e përditshme, mirëqenia e secilit, e ardhmja e fëmijëve, djersa e ballit, kursimet e  një jete, pensioni për të shtyrë ditët e perëndisë. Dhe këtu duhet më shumë se thjesht respekt për shifrat edhe kur ato serviren nga Eurobarometri; këtu duhen fërkuar mirë sytë, se realiteti nuk shihet në xhamat e syzeve të shtrenjta të eurokratëve që kokërr investimi nuk hodhën në samitin e Triestes për Shqipërinë. Por do të shkoj pak më vonë edhe aty.

Si shpjegohet ky rezultat përballë fakteve kokëfortë të një ekonomie që o duhet të nisë kthesën, o do na zërë përfund?

Le t’i marrim me radhë kundër argumentet:

Le të qëndrojmë tek vrojtimet e opinionit publik. Gallup realizoi një sondazh, disa muaj më parë, në lidhje me perceptimet e shqiptarëve për situatën në vend. Koha përkon saktësisht me atë të Eurobarometrit të Komisionit Europian. 56% e shqiptarëve në atë sondazh shpreheshin se ishin gati të emigronin dhe shkak kryesor i kësaj zgjedhjeje qe situata ekonomike. Pra, më shumë se gjysma e shqiptarëve, në të njëjtën periudhë, duan të largohen dhe po aq shohin të lumtur mirëqenien ekonomike të vendit?

Pa të vijojmë ca më tej:

Le të mendojmë për një çast se cila qe kryefjala e katërvjeçarit 2013-2017, në deklaratat e qeverisë shqiptare: Reformat. Dhe reformat janë të dhimbshme, nuk prodhojnë optimizëm, krijojnë pakënaqësi masive dhe nuk gjithëpranohen. Aq më pak kur efekti i tyre shtrihet përtej një mandati. Pa i hyrë diskutimit efikase ose jo, sepse ende treguesit makroekonomikë nuk i kanë përthithur efektet e tyre, si ka mundësi që masat shtrënguese që rënduan më së pari shqiptarin e thjeshtë, prodhojnë lumturi në perceptimin e shqiptarëve për mirëqenien e tyre?

Sot, Europa mat mirëqenien ekonomike dhe jo thjesht GDP-në e cila e dimë që duhet të jetë edhe trefish më e lartë se parashikimet e këtij mandati që të perceptohet në mirëqenie. PBB (prodhimi i brendshëm bruto) mat vlerën totale të të mirave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend. E dimë po ashtu se përpos Tap-it e Hidrocentralit të Devollit, konsumi nuk do të mund të bënte mrekulli me rritjen ekonomike. Po me të ardhurat, po me pasurinë e çdo shqiptari ç’ka ndodhur?

Le ta pasurojmë analizën për të mos u çmendur në paradoks: Asgjë e re në frontin e investimeve serioze. Klima e biznesit, sistemi tatimor me ndryshimet e befasishme në legjislacion, sjellja e administratës tatimore, kanë mbajtur larg, apo bërë të largohen, nga sytë këmbët, shumë investitorë të huaj. Ende mungojnë huat e mëdha nga institucione ndërkombëtare për projekte madhore në vend. Komisioni Europian publikoi, pak ditë më parë, raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë,  Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën, për periudhën 2017-2019. Raporti vlerëson se: “Investimet janë të bazuara në burimet bazë natyrore dhe së fundmi, po nxiten nga dy projektet e mëdha të energjisë. Përfundimi i këtyre projekteve dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para, mund të përbëjë rrezik për rritjen nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë. Sa vlerë të shtuar në ekonomi kanë krijuar investimet e huaja? Aq sa nga 1083 qytetarë, më shumë se gjysma, të shohin të kënaqur të ardhmen me premisën e së sotmes?

Por tek e fundit, edhe nëse reformat janë të dhimbshme, nëse ekonomia ecën, zhvillohet, perceptimi mbath syze rozë. Por për cilën ekonomi po flasim? Për atë sociale që nuk e ndërtuam dot kurrë me reformat liberale, privatizimet, koncesionet e korrupsionin masiv? Ku përdoren taksat e shqiptarëve? Për çfarë kanë shërbyer? Di kush të thotë se përtej “kryeveprave” të Rilindjes Urbane a ka Rilindje Ekonomike? Mundet që ato intervista, ballë për ballë, të jenë bërë nën ndonjë hije palme të shuar, diku në një nga sheshet e betonuar bukur estetikisht, në stola pa gjelbërim në mes?

Por faktet do na ndihmojmë të mos çmendemi paradoksit të raportit:

Jo më larg se dy ditë më parë, Departamenti i Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Bashkimit Europian publikoi listën e projekteve të miratuara në Samitin e Triestes ku morën pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova. Në total u miratuan 6 projekte për sektorin e transportit rrugor dhe një për energjinë në vlerë 194,1 milionë euro. Këto projekte parashikohet të hapin më shumë se 2000 vende të reja pune, do të rrisin mundësinë e tregtisë mes shteteve të Ballkanit, do të zhvillojnë më tej zonat nga do të kalojnë e do të sjellin përfitime të ndjeshme edhe për ambientin. Por Shqipëria nuk bën pjesë në asnjë nga  projektet për të cilët Bashkimi Europian do të japë fonde. Pra, Shqipëria nuk bind dot BE-në për të dhënë fonde mbi investime madhore. Nuk kanë besim. Po më shumë se gjysma e 1083 të pyeturve, ku besojnë me kaq optimizëm?

Por kujdes, një argument në mbështetje të absurdit shfaqet në horizont:

Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të deklaronte se ekonomia  po shkon drejt ekuilibrit dhe ka shanse të mira zhvillimi. Ai iu referua rritjes së tremujorit të fundit ardhur nga rritja e konsumit dhe investimet e biznesit. Sapo mendon se paradoksi po shpërbehet me një argument të vjen direkt kundër argumenti: Investimet e biznesit janë bërë me fondet e veta, sepse rritja e kredisë nuk i ka shërbyer dot nevojave të sipërmarrjes. Ku i gjeti biznesi? Dhe ky përgjigjet me optimizëm tek ata 1083 të pyetur nga Eurobarometri?

Por le të qëndrojmë tek sondazhet, tek vrojtimet e institucioneve. Sipas Monitor-it, sondazhi i Institutit për Ndërmjetësim  e Demokraci  në Shqipëri dhe Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje në Maqedoni, dëshmon se mbi 84% e kompanive shqiptare përfshihen në raste që fshijnë të ardhurat dhe se 52% e shqiptarëve nuk marrin një kupon tatimor sa herë që blejnë një mall apo një shërbim. Po ashtu, Raporti i Organizatës Ndërkombëtare OXFAM,  e përfshin qeverinë shqiptare në 10-shen e fundit mes vendeve si Nigeria, Timori Lindor, Afganistani etj., më të keqen për të luftuar pabarazinë.

Atëherë, me një rregull treshi, del se ekonomia nëse nuk është financuar nga paraja zyrtare, por është mbështetur nga informaliteti. Kali i betejës së reformave ekonomike të qeverisë së vitit 2013. Pra, nuk ka rritje të shëndetshme, masat shtrënguese kundër informalitetit, masat e forta në fushën e fiskut, kontrollet e ashpra dhe “nxirja” e jetës sipërmarrëve me veprime të ashpra, thjesht kanë sjellë rezistencë. Këta persona janë pyetur në sondazhin ballë për ballë? Këta që kanë ikur pa marrë kuponin tatimor, apo këta që kanë përdorur paranë informale? Apo ata të pasurit që favorizohen në kurriz të të varfërve që mbajnë barrën fiskale që refuzojnë të parët? Se kështu thotë OXFAM mbi pabarazinë. Pabarazi që e bën qytetarin vulnerabël, të paqartë për ku e si shkon mundi i tij që vilet përmes taksave. Pra, gjithë aksioni madhor që do të sillte rritjen e shumëpritur, rezultoi në efektin e kundërt të asaj që kërkonte të zgjidhte. Të ardhurat në buxhet nuk u rritën, treguesit e besimit të biznesit ranë, me gjithë përpjekjen për t’i treguar shtetin informalitetit. Mirëpo një përpjekje për të vënë rregull në varfëri, kur një pjesë të atyre që duhet të sjellin zhvillim (biznesin) i konsideron armiq, thjesht sa shton mënyrat për të rishpërndarë varfërinë, duke bërë të pasurit më të pasur me mënyra të jashtëligjshme dhe të varfrit më të varfër, nëpërmjet bërjes më shumë shtet (ose duke menduar se po bën).

Po i shkoj avazit kundër argumenteve të një rezultati absurd si ky i Eurobarometrit:

Që kjo ekonomi të funksionojë e të rregullohet, duhet të ekzistojë. Duhet të njohë konkurrueshmërinë, prodhimin vendas që nuk mbytet në gjenezë nga importi, biznesin vendas që nuk ia del dot pa ryshfet e sidomos kur ai kalon edhe vlerën e tenderit të fituar në paranë publike. Shqipëria nuk po arrin dot të shfrytëzojë kapacitetet e saj eksportuese. Ndërmarrjet shqiptare që prodhojnë për eksport e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë me mallrat e tyre në tregjet rajonale dhe më gjerë dhe këtë e dëshmojnë shifrat në rënie të muajve të fundit.  Thellimi i deficitit tregtar të vendit është klasifikuar nga raporti më i fundit i BMI Research, pjesë e grupit vlerësues të njohur Fitch, si sfida më kryesore për financat e Shqipërisë. Pra, një ekonomi jo konkurruese, si do të mund të krijojë premisën e rritjes edhe duke qenë nën morsën e masave shtrënguese? Në këtë raport të Eurobarometrit, a është përgjigjur ndonjë nga eksportuesit shqiptar?

Ja edhe një tjetër kundër argument:

Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane, CIA, publikoi të dhënat për Shqipërinë. Sipas saj: “Kodet e taksave komplekse dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”. CIA analizon se sektori i bujqësisë i cili kontribuon pothuajse në gjysmën e punësimit dhe në një të pestën e PBB-së, kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë për ekzistencë, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe përhapjes së vogël, parcelat e tokës. A mund të mendojë më shumë se gjysma e shqiptarëve se nuk është kështu?

Pra, nuk është paradoksi që na bën të na ziejë koka mbi absurdin e gjetjeve të Eurobarometrit. Nuk ia vlen cinizmi me ata që e kanë realizuar, ama i them fqinjit e mikut tim, bashkatdhetarit të panjohur optimist e i lumtur me mirëqenien e ekonomisë në vend: Mos u tall nën hijen e palmës së shuar, në stolat pa gjelbërim në mes, me eurokratët që kanë lënë plazhet për t’u shëllyer betonit tonë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: