Mos ma “zhurmoni” Pogradecin...

Mos ma “zhurmoni” Pogradecin...
Nga Juela Meçani

Vendosa të shkoja këtë verë në skutën time të përhershme kur dua ripërtëritje dhe qetësi, në Pogradec. Këtë qytet dhe liqenin e tij, e kam si verën e kuqe, nuk më mërzitet kurrë. Po më the “eja të shkojmë në Pogradec”, kërcej përpjetë si fëmijë, pranverë, verë, vjeshtë e dimër qoftë.

Duke e imagjinuar se qyteti do të ishte plot me turistë, zgjodha të rrija pranë një fshati në hyrje të tij, buzë liqenit. Resort komod, gjelbërim, pishinë e gjerë me ujë kristal, kushte optimale, ushqim bio me një superçmim. Por sigurisht që darkave ma donte shpirti atë shëtitjen karakteristike buzë liqenit dhe në këtë vapë të nxehtë, mezi prisja të endesha me vajzën në freski e pranë njerëzve shumë të qytetëruar, që më së shumti, zgjedhin Pogradecin.

Sapo mbërrita “ne turizmi”, hap sportelin e makinës për të dalë dhe ... më buçiti koka. Një muzikë në ekzagjerim të lartë m’u përplas në fytyrë dhe shtanga sepse nuk e prisja. Verë është dhe këto këngë rinore dëgjohen kudo, por nuk e prisja të më vinin nëpër kokë pikërisht aty ku është emblema e shëtitjeve romantike, qytetare, elegante. Në shëtitoren e Pogradecit jo, nuk e prisja e nuk e doja.

Ngrita kokën lart e shikoj që tarraca (e hapur) e ish-turizmit ishte kthyer në klub nate, natë i thënçin sepse ishte ora 20.30 dhe nga tarraca të vinte bujshëm e gjithë top-lista e hiteve verore Kosovë-Shqipëri, pa munguar edhe disa ripërsëritje të “Despacido”-s legjendë. O Zot, po kjo tani? Kush ma ka vjedhur Pogradecin?

E vërtetë është që në rrugët e këtij qyteti magjik, për mua, kishte shumë të rinj e të reja, si asnjëherë më parë. Por a mund të lejoheshin jo një, por disa klube me muzikë të lartë, në mes të pedonales?

Sepse vetëm pak metra përtej turizmit, ballë për ballë, ja ku na ishin ngritur jo një, por dy klube me muzikë larg çdo imagjinate të lartë. Njëra buzë liqenit, e sajuar mes ca perdeve e kallamave, në një bar plazhi dhe tjetra, ohhh, në oborrin e një vile të vjetër, nga ato perlat që ka ende në këmbë ky qytet. Por nga oborri ku ka shëtitur Lasgushi e kanë çelur trëndafilat, altoparlantët ulërinin në dialekte e gjuhë të ndryshme muzikore.

 

E në mes të këtyre dy “mostrave” pa shije, shtrihej pedonalja e Pogradecit, me në ballë klubin zhurmëmadh e absurd të ish-turizmit. Njerëzit ishin në rrethim injorance!

Pse e kishin lejuar këtë gjëmë nuk e di, rrethinat e këtij qyteti kanë mjaft hapësirë e natyrë të bukur për të ndërtuar klube të këtij lloji. Pastaj, ky qytet e ka mburrje klimën e tij, liqenin, ushqimin, freskinë. Sapo thith ajrin e këtij qyteti, rigjenerohesh në mendje, shpirt e trup. Këtë aset pse duhet të na e komercializojnë patjetër? Aty ku është i vetmi qytet turistik ku buzëqeshje ke në çdo shërbim e ku nuk përpiqen të të mashtrojnë nga çdo anë, pse dreqi e marrtë, duhet të fusin duart babëzitë njerëzore që nuk njihkan limit?

Mos ma “zhurmoni” Pogradecin, mos ia prekni magjinë e tij unike, lëreni një parajsë qetësie në këtë vend të trazuar nga nervat, bëjeni qoftë edhe për veten tuaj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: