Mblidhen 188 mln lekë më pak për korrikun...KESH, tender 22.4 mln euro për energjinë

Mblidhen 188 mln lekë më pak për korrikun...KESH, tender 22.4 mln euro për energjinë
Buxhetit të shtetit pas gjysmë së parë të vitit i mungojnë miliona lekë (të rinj) duke mos realizuar planin e grumbullimit të të ardhurave në gjashtë muajt e parë të vitit. Për të përballuar thatësirën pjesa e dytë e vitit nis me një kredi prej 22.4 mln euro që do të përballohet nga buxheti i shtetit. Në këtë situatë duket se performanca ekonomike nuk është edhe aq optimiste.

Vonesa e mosdeklarimit publik të të hyrave fiskale mund të shpjegohet me faktin se Ministria e Financave nuk ka mundur të realizojë detyrimin ligjor të grumbullimit të tyre sipas planifikimit.

Në fund të muajit korrik buxhetit i mungojnë më shumë se 188 milionë lekë të rinj, që vijnë nga mosarkëtimi i të ardhurave.

Gropën më të madhe në buxhet, sipas një vëzhgimi të Televizionit Publik Shqiptar,  e përbën edhe në këtë rast tatimi mbi vlerën e shtuar, pra taksa e konsumit e cila shënon rreth 63 milion lekë të rinj më pak se planifikimi.

Pa realizim janë edhe tatimi mbi fitimin dhe akciza, taksa që paguajnë mallra e ashtuquajtur të fortë, si birra, karburantet, kafeja dhe parfumet. Duket se Ministria e Financave e ka parandjerë këtë performancë të dobët në grumbullimin e të ardhurave, përderisa ka rishikuar buxhetin e vitit 2017, ku tatimi mbi vlerën e shtuar ulet me rreth 3 miliardë lekë.

Të hyrat fiskale të gjashtëmujorit të dytë, do të jenë më të vështira për t’u realizuar edhe për faktin se ka qenë vetë dikasteri i financave që ka planifikuar një peshë me të lehtë të agjencive shtetërore të tatim taksave në 6 mujorin e parë, për ta rënduar atë në gjysmën e dytë të vitit.

Grafiku i shpërndarjes së të hyrave fiskale për vitin 2017 e shpjegon më së miri këtë.

Ministria e Financave ende nuk e ka publikuar tabelën e plotë të treguesve të konsoliduar fiskalë për periudhën janar-korrik 2017.

Ndërkohë që në buxhet mungojnë të ardhurat nga thatësira e tezgjatur e kësaj vere, Shqipëria është detyruar të importojë mbi 80 për qind të energjisë elektrike, duke shtuar borxhin e jashtëm.

Koorporata elektro-energjitike shqiptare ka çelur tenderin për importin e energjisë elektrike, pak ditë pasi banka botërore i autorizoi përdorimin e kredisë 22.4 milionë euro për blerje të energjisë.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri në 29 gusht për të paraqitur ofertat e tyre. Referuar kërkesë-ofertës zyrtare, KESH do të blejë 129 mijë megavat energji për gjithë muajin shtator, duke lehtësuar disi operatorin e shpërndarjes së energjisë, i cili duhet të sigurojë vetëm një pjesë të importit për shtatorin, në mënyrë që të garantohet tërësisht konsumi në vend.

Edhe për muajin shtator sasia e blerjes së energjisë elektrike do të jetë e lartë, thuajse e njëjtë me gushtin. Ndërkohë për dy muajt e verës, korrikun dhe gushtin, OSHEE ka paguar 53.6 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike.

Si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta OSHEE u detyrua të hapte një tender të dytë për gushtin me vlerë 1.6 milionë euro për të siguruar energjinë e plotë deri në fund të këtij muaji. Ndërkohë, situata në kaskadën e lumit Drin vijon të mbetet kritike nga thatësira e tejzgjatur.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: