KOTËSIA E ËMBËL E VIZAVE- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KOTËSIA E ËMBËL E VIZAVE- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Tribunat dhe mediat janë mbushur me kërcënime dhe lajme se shqiptarëve do t'u kthehet regjimi i vizave për lëvizjen në Europë.  Politika nisi menjëherë të lundrojë si në një kotësi të ëmbël, pa e ditur çfarë po bënte. Mjafton që shqiptarët nuk kanë më viza për të ngritur stuhi. Në këtë stinë të nxehtë, zor se mund ta sajonte zoti nga qielli një lajm kaq të dobishëm, sa për të  mbushur boshllëkun politik.

Lajmi do të ishte i hidhët, po të ishte lajm i vërtetë.

Por, këtu është çështja... Policia e Holandës ka kërkuar bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në shtetin e tulipanëve, duke u bazuar në evidenca se shumë shpërndarës dhe trafikantë të drogës janë me origjinë shqiptarë. Menjëherë pas policisë, zëra nga parlamenti kanë thënë se mund t' i kërkojnë vendeve të zonës shenjen, që të bllokojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve...

Ky është lajmi që në fakt nuk është plotësuar ende si lajm i vërtetë për ta përdorur politikisht. I plotë do të bëhej lajmi atëherë kur parlamenti holandez do të merrte vendimin që të mbyllte kufirin e shtetit të vet (qoftë edhe për shqiptarët), dhe..., hapi përfundimtar kur Parlamenti Europian do të merrte vendim për të mbyllur kufijtë e shteteve anëtare (qoftë vetëm për shqiptarët).

Atëherë do të kishim një lajm, një çështje dhe një fushë politike.

Mirëpo ky moment nuk ka të ngjarë të vijë. Për shqiptarët, as për të tjerët rreth nesh, nuk do të ketë mbyllje kufijsh në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Prandaj  politika lundron në një kotësi të ëmbël gjatë stinës së verës, kur nuk ka punë tjetër.

Po të ishte politika realisht politikë, atëherë nuk do t'i lejonte vetes as edhe injorancën politike.

... Le të kthehemi në Holandë ku është iniciuar bllokimi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve:

1.

Nëse Parlamenti i Holandës do të merrte këtë vendim, sigurisht që nuk do të pranohej nga Parlamenti Europian, sepse politika e BE-së është sforcuar me gjithë nervin e saj për të mbajtur kufijtë hapur.

Para se të vijë puna në Parlamentin Europian, vetë Holanda nuk mund ta marrë një vendin për mbylljen e kufijve. Parlamenti dhe qeveria e Holandës janë të bashkuar me vijën e BE-së për mbajtjen hapur të kufijve. Zgjedhjet e fundit parlamentare, më 15 mars të këtij viti, nxorën fitimtar kryeministrin aktual, Mark Rutte- një europianist i vendosur të ruajë trashëgiminë e deritanishme të BE. Ai fitoi  33 vende në një parlament me 150 vende, dhe bashkë me Partinë e Punës (20 vende) e të tjera, po qeveris Holandën në përputhje, pa hezitim, me politikat e BE-së. Fitoren e zotit Rutte e pritën me brohoritje të fuqishme ata në Bashkimin Europian, që ndjekin politikën e kufijve të hapur, - nga Junker deri te zonja Merkel...

Po të kishte fituar kundërshtari i zotit Rutte, atëherë puna mund të ndryshonte. Opozitari Geert Wilders, i cili disa herë gjatë fushatës iu afrua fitores dhe e tejkaloi atë, - sipas sondazheve, - kishte premtuar largimin nga vendi të emigrantëve të pa regjistruar, mbylljen e kufijve për emigracionin masiv... Dhe, më në fund, gaboi rëndë kur tha se do të largonte nga vendi të gjithë myslimanët...

Por mr. Wilders nuk fitoi... Pikërisht për këto arsye, me sa duket. Tani Holanda qeveriset nga një qeveri dhe parlament që ndjekin, pikë për pikë, politikat e liderëve liberalë të BE-së për mbajtjen hapur të kufijve...

Politikanët këtu që lundrojnë në këtë kotësinë e heqjes së vizave nga Holanda, më lënë përshtypjen se duhet të dorëzojnë titullin si politikanë; ata janë injorantë politik.

2.

E dyta, le të kthehemi në BE ku merren vendime kaq të mëdha sa ç'mund të ishte edhe përjashtimi i shqiptarëve nga ligji europian i Shengenit për lëvizjen e lirë. Sikur të ndodhte e pamundura, atëherë BE-ja e cila aktualisht përjeton krizën e vet, do të ndodhej në një krizë më të tmerrshme mes vetë anëtarëve të saj, sepse BE nuk mund të marrë vendime përzgjedhëse, p.sh., vetëm për shqiptarët, ose të verdhët, ose mishngrënësit në hell, ose malokët... Po të ndodhte, vetë qytetërimi Europian do të vihej në pikëpyetje.

Po të marrë BE-ja vendime për mbylljen e kufijve për kombet, kufij që i hapi pak vite më parë, atëherë kutia e Pandorës mund të hapej deri në kufijtë mes Francës dhe Gjermanisë. Por sidoqoftë, kjo nuk ndodh, edhe për shkak të politikave aktuale të BE-së. Ky institucion, edhe pse i sëmurë, po qëndron më këmbë për shkak të politikës së kufijve të hapur. Kjo e bën dallimin me Brexit dhe me doktrinën e Trump kundër emigracionit masiv pa kufij të kontrolluar. Dy a tre shtete si Hungaria dhe Polonia, që janë në harmoni me Brexit dhe Trump, nuk mund të luajnë ndonjë rol, sot për sot, në vendimet e BE-së...

Politikanët që luajnë me vizat lehtësisht, mund të them se janë foshnjarakë; ata duhet të dorëzojnë titullin si politikan.

3.

Dhe, së treti, çfarë kanë kuptuar këta nga lufta e botës!?

Që nga 23 qershori 2016 i Brexit dhe 8 Nëntori 2016 i presidencës së Trump, bota ka ndalur frymën duke parë " ndeshjen" mes elitave liberale tradicionale që kërkojnë botë pa kufij dhe konservatorëve që kërkojnë sovranitet, kufij të kontrolluar, qeveri jodemagogjike. Deri më sot, BE-ja mban fort anën e të parëve, - të liberalëve burokratikë të botës "kufij të hapët".

Atëherë, vallë, vetëm për shkak të policisë së Amsterdamit ose të njëqind shqiptarëve që shpërndajnë drogë në Holandë, BE-ja do të rrëzojë veten nga shtylla ku po mbahet me thonj e me dhëmbë?!

Mendoj se politikanët që nuk e kanë mësuar këtë, të dorëzojnë titullin...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: