JETA E BUKUR E INSTAGRAM-it

JETA E BUKUR E INSTAGRAM-it
Nga MERI DISHNICA

 

Atë vjeshtë, Instagrami mbërriti në Apple’s app store i shoqëruar nga një përshkrim i thjeshtë “Të bëjmë fotografitë e telefonave të shpejta, të thjeshta, të bukura”. 6 Tetor 2010, shënoi kështu lindjen e një aplikacioni që sot ka më shumë se 700 milionë përdorues aktivë anembanë globit.

Aftësia e këtij aplikacioni për të shndërruar fotot e thjeshta në disa kryevepra të vogla, joshi shumë shpejt njerëzit, - që nga ata më të thjeshtët e deri tek politikanët, modelet, aktorët dhe influencuesit e shumtë të rrjeteve sociale. Gjetën aty ngjyrën që i mungonte, gjetën atë eliksirin e bukurisë së përjetshme nën filtrin magjik, gjetën foton pa të meta, por gënjyen shumë.

Gënjyen shumë teksa filluan të kënaqin dëshirat e tyre më të thella, për të qenë më të gjatë, më të hollë, me dhëmbë më të bardhë (apo më të drejtë), me fytyrë pa njolla, pa shenja të akneve të vjetra e të reja, por, mbi të gjitha, duke gënjyer se janë të lumtur në çdo orë të ditës.

Shumë të lumtur edhe kur nuk janë, aktivë edhe kur nuk janë, madje nga shtëpia postohen fotot më spektakolare. Pikërisht kur je ulur në divan i kthehesh albumeve dhe poston… dhe më e keqja është se nuk poston për vete, por për ndjekësit, fansat, stalkerat.

Një përmbushje e profecisë së “dukjes” për të cilin ky rrjet social shqyhet. Nevoja urgjente për tu dukur, ashtu siç nuk je, pa të meta… Nevojë për konfirmimin e asaj që nuk je, por që do të doje të ishe… Ajo modelja e kopertinës (në rastin më të keq, një Kardashian). Nevojë për konfirmim nga miq të sheqerosur që shpërndajnë komplimente me xixa (Zemër, ti nuk je aq yll? E di?!)

Jam e sigurt se themeluesit e Instagramit nuk donin të arrinin këtë, nuk donin të stimulonin një idiotësi, të çonin njerëzit drejt budallallepsjes së shfaqjeve të kota, si kope masive nuditeti, vaniteti dhe buzëqeshjesh histerike. Ndoshta themeluesit e Instagramit thjesht donin t’i jepnin mundësinë të gjithëve të bënin foto të bukura profesionistësh, të lartësonin thjesht njerëzoren, jo falsitetin… E megjithatë, falsiteti mbizotëroi, sepse modeli i gabuar është më i lehtë për tu ndjekur.

Ndoshta është faji i rrjeteve sociale për ato çfarë na ofrojnë, ndoshta është faji ynë për modelin që zgjedhim të ndjekin. Ndoshta, standardi ideal nuk është dhe aq ideal sa duket…

Ndoshta është e vërtetë se modelet e revistave të bëra në photoshop dhe stili i jetës së njerëzve të famshëm na bë të ndihemi shumë keq, - aq keq sa gjejmë “shpëtim” veten tek magjia e instagramit. Por harrojmë se në këtë mënyrë bëhemi armiq të vetes sonë. Ne kemi keqinterpretuar gjithçka, jemi manipuluar dhe më keq akoma… vdesim të manipulohemi. Kemi krijuar një kulturë të krahasimit, por, më keq akoma, krahasohemi me imazhe false… jetë false… njerëz fals…

Ndërkohë që shkruaj, më kalon para një vajzë e famshme instagrami, e cila nuk kishte lidhje as me finesën dhe as me bukurinë që shfaq në të, e megjithatë…. Mijëra duan të jenë si ajo!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: