Interesa të ulëta, kreditë po preferohen në lekë

Interesa të ulëta, kreditë po preferohen në lekë
Doni të merrni një kredi? Ju leverdis më mirë në lekë, sesa në euro. Këtë ua sugjeron edhe vetë Banka e Shqipërisë, teksa konfirmon se me kalimin e kohës, interesat e kredive në monedhën vendase po njohin vetëm rënie. Ndryshe nga ato në monedhën evropiane, që vazhdojnë të mbeten ende të larta. E në një situatë të tillë, sipas ekspertëve bankarë, ia vlen që ta merrni një kredi në lekë, për më tepër që sipas tyre, kështu shmangni edhe rrezikun e luhatjes që valuta e huaj mund të pësojë gjatë viteve që keni para për shlyerjen e kredisë.

“Ndër vite, reduktimi i shpejtë i normave të interesit për kreditë e marra në lekë për individë ka ngushtuar ndjeshëm diferencën kundrejt atyre në valutë. Dhe ngushtimi i diferencës së normave të interesit ka ndihmuar edhe zhvendosjen e kreditimit të individëve për blerje banese nga monedha euro në monedhën vendase, ku një diferencë e tillë mes normave të interesit nuk justifikon marrjen përsipër të rrezikut të kursit të këmbimit që shoqëron kredimarrjen në valutë”, sqarojnë ekspertët bankarë lidhur me një dukuri të tillë.

Më tej, ata e vijojnë argumentin me dhënien e shifrave konkrete, sipas të cilave rezulton se diferenca aktuale e  normave të interesit për kreditë në lekë kundrejt atyre në valutë është në nivelin prej 3.5%, kundrejt një niveli goxha të lartë, prej 6.6% që ishte në vitet përpara krizës ekonomike (2007-2008). Madje për kreditë hipotekare, mund të thuhet se ajo ka rënë akoma edhe më shumë, respektivisht nga niveli prej 5% në periudhën përpara krizës ekonomike, në 1% që është aktualisht. “Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për individë në tremujorin e dytë të vitit rezultoi 7.3%, duke shënuar një rënie të lehtë kundrejt normës mesatare prej 7.5% të tremujorit të parë të vitit. Norma më të ulëta janë regjistruar këtë tremujor për kreditë konsumatore dhe për ato hipotekare, ndërkohë që për kreditë overdraft norma e interesit ka mbetur në të njëjtat nivele”, shtojnë mes të tjerash ekspertët e BSH-së.

Kredia në monedhën vendase, 60% e totalit që bankat u japin qytetarëve

Kredia në monedhën vendase, lek rezulton se zotëron pjesën më të madhe të portofolit të kredive që bankat kanë akorduar për qytetarët. Sipas shifrave të referuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ajo u rrit me nivelin prej 2.8 miliardë lekësh. Duke shënuar një përmirësim të dukshëm të saj, me nivelin rritës prej 1.5%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. “Në fund të tremujorit të dytë, kredia në lekë përbënte 60% të totalit të kredisë për individë, ose 1.2% më e lartë se fundi i 2016-ës”, cilësojnë ekspertët bankarë. Për të shtuar më tej faktin se “ndërkohë, kredia në valutë është tkurrur me nivelin prej -0.3% gjatë këtij tremujori, e ndikuar nga mbiçmimi i lekut ndaj monedhave kryesore”. Sipas tyre, diferenca minimale midis interesave të kredisë në lekë dhe atyre në euro ka mbështetur zhvendosjen e portofolit të kredisë së individëve drejt asaj në lekë. “Gjithashtu, edhe politikat e bankave për të përputhur monedhën e financimit me monedhën e të ardhurave kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të individëve për rrezikun e kursit të këmbimit dhe ka forcuar preferencën e tyre për kredimarrjen në lekë”, argumentojnë më tej ata. Duke përfunduar se në një farë mënyre, normat e ulëta të interesit të kredisë për individë në lekë kanë përkrahur edhe zhvillimin e shtimit të kërkesës së tyre për kredi, por në të njëjtën kohë edhe lehtësimin e kushteve të përfitimit të tyre nga bankat.

Edhe tek bizneset, mbizotëron huamarrja në monedhën vendase

Edhe pse me ritme më të ngadalësuara se në rastin e kreditimit të individëve, dhe për bizneset mund të thuhet se po preferojnë që tashmë kreditë prej bankave t’i marrin kryesisht në monedhën vendase, lek. “Rritja e kredisë për biznese është përcaktuar nga kreditimi në lekë, i cili, pavarësisht normave më të ngadalësuara se në tremujorin e parë, vijon të rritet me ritme të larta prej 8.4%”, vlerëson lidhur me një dukuri të tillë, raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë. Duke pranuar gjithsesi se rritja e portofolit të kredisë në lekë me 3.2 miliardë lekë nuk arriti të kompensojë tkurrjen e fortë, prej rreth 8.9 miliardë lekësh të kredisë në valutë, për të njëjtën periudhë. “Tkurrja e lartë e këtij portofoli është ndikuar ndjeshëm nga mbiçmimi i fortë i lekut ndaj monedhave euro dhe dollar, veçanërisht në muajt maj dhe qershor. Duke e rregulluar për këtë efekt, tkurrja e kredisë në valutë për biznese është rreth 0.5 miliardë lekë”, argumentojnë më tej ekspertët bankarë. Për të shtuar nga ana tjetër se këto zhvillime janë reflektuar në rritjen e peshës së kredisë në lekë ndaj totalit të bizneseve në nivelin prej 38.5%, ose 3.4% më e lartë se muaji qershor 2016. “Përgjatë vitit të fundit, portofoli i kredisë së bizneseve po shfaq një zhvendosje të shpejtë drejt monedhës vendase, nxitur edhe nga normat e ulëta të kredisë në lekë për këtë segment”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: