Ikin ministrat teknikë, dorëzojnë dorëheqjet

Ikin ministrat teknikë, dorëzojnë dorëheqjet
Zv/Kryeministrja Ledina Mandija konfirmon largimin e të propozuarve prej Partisë Demokratike dhe përfundimin e dorëzimin e raportit për standardet e zgjedhjeve të 25 qershorit. Dorëhiqet edhe zv/ministri i Jashtëm

Alket Aliu

Ka zgjatur vetëm tre muaj misioni i ministrave teknikë në qeverinë Rama. Zv/kryeministrja, Ledina Mandija ka konfirmuar për “Albanian Free Press” se ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra, së bashku me pesë ministrat e propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha.

Aktualisht të dorëhequr janë ministri i Brendshëm, kolonel Dritan Demiraj, ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ministrja e Financave, Helga Vukaj, ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri,ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Mirela Karabina dhe ministrja e Mirëqenies Sociale, Xhuljeta Kërtusha­.

Edhe zv. ministri i Jashtëm, Halil Hyseni, i propozuar nga PDIU, ka vendosur të lërë postin duke e motivuar me “arsye personale”.

Zv/Kryeministrja Mandija ka konfirmuar gjithashtu për gazetën “Albanian Free Press” se raporti për zgjedhjet është përfunduar dhe dorëzuar. Prej disa javësh, Mandija dhe ministrat teknikë kishin deklaruar se qëndrimi i tyre në detyrë kushtëzohej pikërisht me raportin për standardet e zgjedhjeve të 25 qershorit.

Duket se deri në instalimin e qeverisë së re, që do të dalë nga Kuvendi i ri që pritet të mblidhet në shtator, kompetencat e ministrave teknikë do të ushtrohen nga zëvendësministrat aktualë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: