FACEBOOK-u, SI PASQYRË E LIDERËVE POLITIKË- OPINION NGA ALFRED PEZA

FACEBOOK-u, SI PASQYRË E LIDERËVE POLITIKË- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pasi ish-Presidenti, Bujar Nishani, bëri dy postime njëra pas tjetrës këto ditë, në faqen e tij zyrtare të facebook, me siguri që shumëkush ka menduar se kjo është shenjë e qartë se, pas dorëzimit të detyrës, do t’i rikthehet jetës aktive politike. Në sezonin e ri, mes traditës së përgjithshme në demokracitë liberale ku posti i kreut të shtetit konsiderohet si maja dhe i fundit post politik për një aktor të rëndësishëm dhe dilemës për angazhimin, duket se ka fituar apo më mirë, ka qenë e planifikuar me kohë, qenia e tij në politikën aktive. Gjatë një interviste në fund të mandatit, Nishani tha se "nuk e shoh veten në moshën e pensionit për t’u tërhequr në jetën time private" . Ai la të hapura tri opsione:

  1. Angazhimin në politikë;
  2. Në shoqërinë civile;
  3. Ose në organizata që janë të baraslarguara nga partitë politike, por që i shërbejnë politikës.

"Mbetet për tu parë dhe është ende herët për të vendosur", - përfundoi ai. Kur ende nuk është mbushur një muaj nga dorëzimi i stafetës tek Ilir Meta, "enigma" u zgjidh. Ishte faqja e tij zyrtare në facebook, postimet dhe gjuha politike e përdorur në të, që të qartësojnë dhe të orientojnë më shpejt, në lidhje me të ardhmen e ish-Presidentit.

Për shkak të përdorimit masiv të rrjeteve sociale, jo vetëm gazetarët, por edhe çdo qytetar tjetër që ka akses apo dëshirë të ndjekë më në detaje dinamikën e zhvillimeve politike, mund ta përdorë facebook-un si pasqyrë, për të parë jo vetëm aktivitetin e përditshëm të aktorëve kryesorë, por edhe për të kuptuar nëpërmjet tij, "planet" e tyre për të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për opsionet e tjera që ofron interneti, ku edhe rrjetet e ndryshme sociale janë shndërruar në një instrument i pazëvendësueshëm komunikimi mes të zgjedhurve dhe votuesve të tyre.

Sipas një studimi të fundit të Internetworldstat të publikuara edhe nga mediat tona tri ditë më parë, Shqipëria ka 1.4 milionë përdorues të facebook, "në një shifër që është gati 50% e totalit të popullsisë që jeton brenda vendit". Nëse rikujtojmë këtu se ne kemi specifikën e rrallë se nëpër botë ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se brenda kufijve të Shqipërisë, atëherë merret lehtë me mend se numri i adresave në facebook që përdorin shqiptarët, është shumë herë më i lartë dhe mendohet se e kalon shifrën e 2 milionëve. Ky nuk është një sport thjesht shqiptar, po të kemi parasysh se mesatarja e përdoruesve për frymë të popullsisë, na rendit në vendin e 22 në Europë. Ndërkohë që niveli i penetrimit të internetit, ka arritur në masën e 62.6%, duke na renditur ne vendin e 37 në Europë, ose thënë ndryshe, bëjmë pjesë në 10-tëshen e fundit.

Në fillim të gushtit, sipas një hulumtimi të gazetës serbe "Danas", kryeministri Edi Rama klasifikohej në Europë, si një ndër 3 kryeministrat më të pëlqyer në rrjetet sociale, nisur nga numri i ndjekësve në faqet e tyre zyrtare. Përpara tij renditej Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, me 2.5 milionë ndjekës e më pas vinte kryeministri i Rusisë Dmitry Medvedev me 1.5 milionë ndjekës. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sot mbi 1 milion e 120 mijë ndjekës dhe një numër të pafund komentuesish për çdo postim. I fundit e mbyllte listën kryeministri i Sllovakisë, me vetëm 4 mijë e 604 ndjekës, aq sa mund të kenë me dhjetëra e mijëra qytetarë të thjeshtë shqiptarë.

Fakti që në Gjermaninë, me një popullsi mbi 80 milionë banorë, vetëm 40% e tyre kanë facebook dhe në Rusinë me mbi 143 milionë, kanë vetëm 7.5% e tyre, është një tregues i qartë, sesa aktive janë shqiptarët kur është fjala me u marrë me politike. Çfarë përveç të tjerash presupozon, se duke e patur politikën sportin e tyre më popullor, kjo me siguri ndikon edhe tek fakti se janë po kaq të vëmendshëm edhe tek leximi që ata i bëjnë aktivitetit të liderëve dhe aktorëve kryesorë në lojë. Kjo shihet tek komentet e shumta që shoqërojnë postimet e politikanëve. Nga ana tjetër, aktiviteti i politikanëve kryesorë në rrjetet sociale, është një ndër burimet kryesore të informacionit edhe për mediat tradicionale dhe ato online, gjë që ndikon në rritjen e interaktivitetit mes atyre që i prodhojnë dhe atyre që i përcjellin apo komentojnë dhe i analizojnë lajmet, për lexuesin më të gjerë.

Është ndoshta kjo edhe arsyeja se përse duke parë aktivitetin e përditshëm të gjithkujt në facebook-un e tyre, (por edhe në twitter, etj.,) e kupton se cili prej tyre është zhgënjyer më shumë nga zgjedhjet e 25 qershorit, e kush jo. Kush i ka bërë pushimet verore në korrik, e kush në gusht. Apo cili prej tyre, i ka bërë pushim të dy muajt bashkë dhe pret me nge 9 shtatorin, ditën e mbledhjes së Parlamentit të ri, për të rifilluar aktivitetin së bashku me nisjen e sezonit të ri politik dhe parlamentar. Sikundër, ka prej tyre që duke shfrytëzuar vakuumin e krijuar nga aktiviteti i të tjerëve, pavarësisht se ka qenë me leje, ndoshta edhe me mijëra kilometra larg Shqipërisë, ka vijuar të jetë aktiv në rrjetet sociale, si për të thënë që për të nuk ka pushime.

Ilir Meta sa kohë që ishte kryetar i LSI dhe kreu i Kuvendit, preferonte komunikimin tradicional ose atë alternativ, për të komunikuar me qytetarët apo anëtarët dhe mbështetësit e tij dhe të partisë. Ndaj mediat nuk kishin si ta anashkalonin lajmin për hapjen e faqes të tij zyrtare në facebook më 24 korrik, ditën e ceremonisë së marrjes së detyrës nga paraardhësi Bujar Nishani, si Presidenti i ri i Republikës.

Astrit Patozi ka qenë shumë më tepër aktiv në rrjetet sociale, pas zyrtarizimit të listës së kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit, sesa më parë. Mospërfshirja e tij në listën e kandidatëve për kuvendin e ri, e përfshiu edhe më shumë se më parë, në një betejë të fortë politike dhe publike me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Facebook-u i tij ka qenë një dritare aktive komunikimi jo vetëm me ndjekësit dhe mediat, por edhe me kundërshtarët e tij.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Jozefina Topallin e cila për aq kohë sa ishte në krye të Parlamentit (2005- 2013), pothuajse nuk ishte fare pjesë aktive e rrjeteve sociale. Përgjatë katër viteve të kaluara kur PD-ja ishte në opozitë dhe ajo në opozitë gjithnjë e më të hapur e publike me kryetarin e PD, Basha, aktiviteti i saj në rrjetet sociale ka ardhur gjithnjë duke u shtuar. Në përpjesëtim të drejtë me thellimin e krizës dhe përplasjeve të saj me kundërshtarët brenda partisë së vet në veçanti dhe të së djathtës në përgjithësi.

Ben Blushi, për aq kohë sa nuk e kishte kristalizuar dhe nuk e kishte marrë vendimin për t’u larguar nga PS-ja, dhe për t’u bërë nismëtar i krijimit të partisë së re që kryeson, LIBRA, nuk kishte preferuar të bëhej pjesë e komunitetit virtual të rrjeteve sociale. Megjithëse gazetar e shkrimtar, kishte preferuar komunikimin me qytetarët, përkrahësit dhe kundërshtarët e tij politikë, ose nëpërmjet mediave tradicionale, ose nëpërmjet tribunës së Parlamentit, nëpërmjet fjalimeve që mbante pothuajse çdo të enjte ose nëpërmjet mesazheve direkte ose indirekte që jepte në hapësirat e librave të tij jo të pakët. Siç dihet, ai vetë dhe kandidatët e tjerë të partisë së tij, nuk arritën të fitonin ndonjë mandat përfaqësimi në Kuvendin e ri. Pas disa deklaratave sporadike në mediat tradicionale apo ato online, Blushi pothuajse nuk po e përdor më faqen e tij zyrtare në facebook. Shenjë e qartë e dilemës së tij për të ardhmen e angazhimit politik dhe të komunikimit nëpërmjet saj, me mbështetësit dhe kundërshtarët. E njëjta gjë mund të thuhet pak a shumë edhe për kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka patur më shumë postime në faqen e tij zyrtare, por kryesisht produkte të të tjerëve.

Sa i takon Lulzim Bashës, nga ajo që mund të lexohet nga intensiteti dhe cilësia politike e postimeve, kuptohet se po i shijon pushimet gjatë gushtit. Ndoshta për shkak të lodhjes që i solli humbja në zgjedhjet e 25 qershorit, e mbi të gjitha fitorja në zgjedhjet për kreun e PD-së më 22 korrik. Por ai e ka gjithnjë një ngushëllim, kur vjen fjala për raportin me zgjedhësit dhe përkrahësit e PD-së nëpër rrjetet sociale. Për aq kohë sa Sali Berisha, mbetet më aktivi së bashku me Edi Ramën në facebook. Doktori e ka treguar jo vetëm tani, por edhe kur nuk kishte internet, se komunikonte dhe vazhdon të komunikojë me njerëzit, edhe atëherë kur nuk duhet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: