Era favorizon zjarret, djegia e pyjeve po bëhet problem i madh, sot raportohen 5 vatra

Era favorizon zjarret, djegia e pyjeve po bëhet problem i madh, sot raportohen 5 vatra
Situata nga zjarret në vend mbetet akoma problematike, ndërsa problemi më i madh është djegia e pyjeve.

Emergjencat Civile bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 5 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Në Velipojë vijon ende zjarri, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe 30 forca ushtarake si dhe një helikopter të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Në fshatin Reps i Epërm, Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarri i favorizuar dhe nga era e fortë është përhapur në një sipërfaqe të madhe. Operacioni për shuarjen e flakëve vijon ende.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 75 punonjës zjarrfikës, 9 automjete zjarrfikëse,60 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, rreth 60 punonjës të Pyjores e të bashkive, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Në Gjirin e Lalëzit, Durrës, një vatër zjarri e cila kishte përshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pisha rrezikonte disa resorte turistike. Zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë. Pas disa orësh punë, vatra e zjarrit është shuar.

Në qytetin e Delvinës ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj pranë depos së ujit të qytetit. Shërbimi zjarrfikës së bashku me banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe disa rrënjë ulliri.

Vijon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Përroi i Qershisë” ndërmjet kufirit ndarës të Njësisë Administrative Lekas dhe Voskopojë, Korçë. Në këtë zonë po operojnë forca të shërbimit zjarrfikës Korçë, punonjës të bashkisë, të pyjores, forca ushtarake dhe banorë të zonës. Shuarja e flakëve po bëhet me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer malor. Nga zjarri është djegur një sipërfaqe pyjore me pisha.

/f.ç/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: