“ÇUDITË” SHQIPTARE ME NUMRIN E TË PUNËSUARVE- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

“ÇUDITË” SHQIPTARE ME NUMRIN E TË PUNËSUARVE- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Kur Sokol Balla e pyeti në emisionin e tij Arben Ahmetajn, rreth premtimit që kishte bërë PS-janë 2013-ën, për 300 mijë vende të reja pune, ministri socialist, pa iu dridhur qerpiku,tha se, në fakt, ishin krijuar edhe më shumë se 300 mijë vende pune gjatë qeverisjes së PS-së. Por sipas INSTAT-it, nga shtatori 2013 deri në mars 2017, shtesa e numrit të të punësuarve ishte vetëm 185 mijë (ku përfshihen edhe fshatarët e vetëpunësuar në bujqësi). Në fakt, edhe kjo shifër e INSTAT-it nuk duhet marrë shumë për bazë. Dhe ja sepse.

Sipas të dhënave të anketës së punës së INSTAt-it, rreth 1.17 milionë shqiptarë të moshës 15 vjeç e lart, ishin të punësuar në fund të marsit 2017. Rreth 40% e tyre ishin fermerë të vegjël, që mbijetojnë me një copë tokë. Ka një rënie prej10 mijë të punësuarish, krahasuar me fillimin e vitit 2012, kur ishin të punësuar rreth 1.18 milionë shqiptarë të moshës 15 vjeç e lart (shihni grafikun shoqërues). Kjo rënie në pamje të parë, është koherente me uljen e shpejtësisë së rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Por ajo që nuk është fare në koherencë me ecurinë e PBB-së, është luhatja gjigante që ka pësuar punësimi gjatë 5 viteve të fundit. Plot 18% ishte sipas INSTAT-it, rënia e punësimit nga tremujori i parë i 2012-ës deri në tremujorin e parë të 2014-ës. Dhe, për çudi, kjo ulje dramatike e punësimit u pasua me një ngritje po aq dramatike (20%) deri në marsin e 2017-ës.

Të tilla luhatje dramatike mund të ndodhin në periudha mbi dhjetëvjeçare, por jo brenda një kohë kaq të shkurtër.

Që numri i të punësuarve të binte me 18% (sa ra gjatë periudhës 2012-’14), duhej që PBB-ja të kishte rënë 18% (në kushtet e një rendimenti konstant në punë). Në fakt, PBB-ja u rrit (sadopak) gjatë asaj periudhe 2-vjeçare.

Nga ana tjetër, që numri i të punësuarve të rritej 20% (sa u rrit gjatë periudhës 2014-17), duhej që PBB-ja të rritej të paktën 20%. Në fakt, PBB-ja u rrit vetëm 8.9%.

Duke e marrë si të mirëqenë saktësinë e matjes së PBB-së nga INSTAT-i (meqenëse kjo matje mbikëqyret rreptësisht nga FMN-ja dhe Eurostati), i bie që ose shifrat e punësimit nuk janë fare të besueshme, ose që rendimenti në punë i shqiptarëve të ketë pësuar ulje-ngritje të paimagjinueshme brenda një periudhe 5-vjeçare. Po t’i qëndrojmë logjikës së shifrave zyrtare të INSTAT-it rreth punësimit, i bie që, me plot 210 mijë më pak punonjës, të jetë realizuar në tremujorin e parë të 2014-ës më shumë Prodhim i Brendshëm Bruto, se sa në tremujorin e parë të 2012-ës!!!

Analiza e mësipërme dhe grafiku shoqërues e bëjnë të qartë se nuk ia vlen t’i dëgjosh fare premtimet e partive politike për krijimin e qindramijëra vendeve të reja të punës, sepse INSTAT-i nuk na jep mundësi për një matje të saktë të numrit të vendeve të punës. Ndoshta INSTAT-i duhet të masë saktë se sa shqiptarë janë në kërkim të një vendi pune, por nuk e gjejnë dot atë. Dhe premtimet që bëjnë partitë duhet të përqendrohen pikërisht te pakësimi i këtij numri, përmes politikave ekonomike.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: