Çako mbledh drejtuesit e policisë: Jemi afër objektivit por duhet vëmendje dhe një plan masash

Çako mbledh drejtuesit e policisë: Jemi afër objektivit por duhet vëmendje dhe një plan masash
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka organizuar një mbledhje me drejtuesit e policisë në qarqe.

Në këtë takim Çako vlerësoi punën e deritanishme dhe prezantoi objektivat e ardhshëm të uniformave blu nëpërmjet një plani plani masash që do të merren.

Gjithashtu Çako paralajmëroi edhe ndëshkime në radhët e punonjësve të policisë që abuzojnë me detyrën.

Kreu i bluve shprehu vlerësim drejtuar Policisë në kuadër të realizimit të detyrave të ruajtjes së rendit dhe qetësisë gjatë sezonit turistik dhe rezultateve të arritura në drejtim të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të saj.

“Krahas punës së mirë që është bërë, përsëri vihet re se në drejtim të goditjes së fenomeneve të paligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit ka mangësi dhe për këtë qëllim jemi mbledhur sot për të përcjellë disa mesazhe, porosi dhe shqetësime të cilat kanë të bëjnë me këtë fenomen", u shpreh Çako.

Ndërkoh ai shtoi se ka një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen për disa vepra penale kundër mjedisit si: prerja e paligjshme e pyjeve, peshkimi i ndaluar, zjarret në pyje, ndotja e ujërave apo vjedhja e energjisë elektrike.

“Duke filluar që sot për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit lufta kundër paligjshmërisë në territor, për veprat penale të mësipërme do trajtohen nga Policia e Shtetit njësoj si po parandalohet dhe goditet fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike.

Për këtë qëllim do të hartohet një plan masash i ngjashëm me atë të kultivimit të bimëve narkotike ku do të parashikohen një sërë detyrash si kontrolli me përgjegjësi i  gjithë territorit. Për këtë kontroll përgjegjësit kryesore do të jenë punonjësit e policisë. Edhe në këtë rast qëndrimi në punë do të vlerësohet nga kontrolli mbi këtë territor dhe në rastin më të keq edhe marrja në përgjegjësi penale. Kjo përgjegjësi do të jetë edhe për zinxhirin komandues.

Detyrë tjetër e rëndësishme është kryerja e hetimeve dhe vënia përpara përgjegjësisë e nëpunësve të agjencive të ndryshme shtetërore, të cilat kanë për detyrë të mbikëqyrin territorin dhe parandalojnë veprat penale të mësipërme”, deklaroi Çako.

“Jemi në prag të përmbushjes së objektivit, por jemi në një periudhë që duhet shtuar shumë vëmendja. Duhet të vazhdojnë kontrollet e të gjithë territorit sidomos kontrollet e vendeve dhe ambienteve të mbyllura”, u shpreh ai. /f.ç/

Foto: Google

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: