BSH: Ekonomia shqiptare rritet më shpejt se rajoni

BSH: Ekonomia shqiptare rritet më shpejt se rajoni
Megjithë problemet që mund të ketë brenda saj, ekonomia shqiptare po rritet më shpejt se ajo e vendeve të tjera të rajonit ku ajo bën pjesë. Kështu rezulton të paktën sipas të dhënave krahasuese për secilin prej tyre, sipas të cilave, Shqipëria fakton së fundmi shifra më të larta të rritjes ekonomike.

Të publikuara nga vetë Banka e Shqipërisë, ato bëjnë me dije konkretisht se vendi ynë zotëron nivelin më të lartë të këtij treguesi për fundvitin e vitit të kaluar, 2016, deri në 4.1%. Shifër kjo së cilës i përafrohet vetëm Turqia, deri në nivelin prej 3.5% për të njëjtën periudhë. Ndërsa vende të tjera, të tilla si Kosova apo Serbia e kanë patur atë në nivelet respektive prej 2.5% dhe 3.5%. Madje Greqia fqinje, mund të thuhet se e ka patur në nivel negativ rritjen ekonomike në fund të vitit 2016, përkatësisht prej -1.0%. Teksa e ulët mund të thuhet se rezulton gjithashtu ky tregues dhe për Italinë, edhe pse në nivel pozitiv, vetëm 1.1%.

“Përjashtim nga kjo ecuri bën Maqedonia, ku turbullirat politike kanë ndalur rritjen ekonomike”, bën me dije ndër të tjera banka qendrore në raportin e saj lidhur me studimin krahasimor të ekonomive të rajonit ku bën pjesë edhe Shqipëria. “Ekonomia e Maqedonisë përjetoi staniacion në tremujorin e parë. Situata e trazuar politike ka ndikuar në nivelin e investimeve dhe pasiguria ka frenuar prodhimin vendas, duke sjellë frenimin e eksporteve. Shpenzimet konsumatore kanë shënuar rritje. Me qartësimin e situatës politike, pritet që ekonomia të përmirësohet në periudhën në vazhdim”, analizon më tej raporti në fjalë, duke iu referuar shtetit fqinj të Maqedonisë.

Teksa merr në analizë ndërkaq, edhe shifrat e pjesës së parë të këtij viti, sipas të cilave Shqipëria rezulton sërish (të paktën zyrtarisht) se ka një nivel të kënaqshëm të rritjes ekonomike si e tillë. Konkretisht, ato tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2017 ekonomia e vendit tonë është rritur me nivelin deri 3.9%. Shifër kjo së cilës ia kalon vetëm Turqia, me 5%, por asnjë vend tjetër i rajonit, e duke treguar kështu se Shqipëria vazhdon të mbetet superiore ndaj fqinjëve të saj sa i përket shpejtësisë së rritjes ekonomike. Kundrejt vendeve të tilla si Serbia, që njihen për ecurinë e tyre ekonomike, por që për këtë pjesë të vitit e ka patur rritjen e saj vetëm në nivelin prej 1.2%. Apo edhe vende të tjera të zhvilluara ekonomikisht si Greqia apo Italia, të cilat këtë tregues për fillimin e këtij viti e kanë patur respektivisht në nivelet prej 0.4% dhe 1.2%.

 “Italia dhe Greqia, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, po fuqizohen”

“Ekonomitë e vendeve kryesore partnere tregtare të Shqipërisë, Italia dhe Greqia, kanë treguar përmirësim të aktivitetit ekonomik”. Ky është një tjetër konstatim që jepet nga Banka e Shqipërisë, duke referuar faktin se në fillim të këtij viti që të dyja këto vende kanë shënuar tregues pozitivë të ecurisë së tyre. Konkretisht, raportohet se ekonomia e Italisë ka përfituar nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe e investimeve. “Ekonomia e Greqisë është rikthyer me rritje pozitive në tremujorin e parë të vitit, falë rritjes së fortë të investimeve dhe përmirësimit të shpenzimeve konsumatore. Treguesit paraprakë sugjerojnë një rritje të konsumit në periudhën në vazhdim, por situata është e veshur me pasiguri në lidhje me rifinancimin e borxhit publik”, vlerëson gjithashtu BSH-ja. Teksa shtohet ndër të tjera fakti se inflacioni në të dy vendet ka ndjekur një prirje lehtësisht rënëse, duke qëndruar nën nivelin e shënjestruar nga BQE-ja.

Inflacioni dhe papunësia, ende të larta në Shqipëri

 Nuk është vetëm rritja ekonomike, por mesa duket edhe inflacioni dhe papunësia, për të cilat Shqipëria dallon mes fqinjëve të saj sa u përket niveleve të larta të tyre. Kështu rezulton sipas të dhënave krahasimore mes tyre, të cilat e nxjerrin vendin tonë me një nivel të lartë të çmimeve të konsumit, apo siç njihet ndryshe inflacioni, si edhe të papunësisë. Konkretisht, inflacioni vjetor në Shqipëri është raportuar në nivelin prej 2.2%, më i lartë ky se në vende të tilla të zhvilluara ekonomikisht si Italia e cila e ka atë deri në 1.2%, apo Greqia 1.0% etj. Dhe më të ulët se Turqia, e cila e ka patur inflacionin vjetor deri në nivelin prej 10%. Nga ana tjetër, edhe për papunësinë Shqipëria dallon mes fqinjëve të saj pasi e ka atë ende të lartë, deri në nivelin prej 14.2% shënuar zyrtarisht në gjysmën e këtij viti. Vlerë kjo thuajse e barabartë me atë të Serbisë, që e ka deri në 14.6% etj. Megjithatë, duhet thënë se rajoni ku bën pjesë vendi ynë, në tërësi e ka të lartë nivelin e papunësisë, duke kapur shifra deri në 30%, siç ka qenë ajo e shënuar sivjet nga Kosova.

 

KRAHASIMI

Ndërsa ekonomia shqiptare ka shënuar ritme të saj rritëse deri në nivelin prej 4%, ajo e Eurozonës vazhdon që të jetë më e ngadaltë në ecurinë e saj. Këtë e faktojnë shifrat më të fundit, sipas të cilave rezulton se ekonomia e Eurozonës si e tillë ka shënuar një rritje në nivelin prej vetëm +0.6% në tremujorin e parë të këtij viti. “Kjo shifër ka qenë më e lartë se tremujorët e mëparshëm, si edhe i ka kaluar vlerësimet dhe pritjet paraprake të agjentëve financiarë”, vlerësojnë gjithsesi ekspertët e ekonomisë lidhur me një ecuri të tillë. Duke shtuar më tej faktin se rreziqet ndaj rritjes shfaqen të balancuara, ku zhvillimet politike botërore qëndrojnë në anën e poshtme. “Inflacioni ka shfaqur ngadalësim, për më tepër, ai bazë vijon të jetë i ulët. Projeksionet e fundit e shikojnë atë në rritje graduale në terma afatmesëm”, konstatojnë më tej ekspertët.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: