Basketbolli shqiptar “në mjerim”, Ponari: Konstantinides të respektojë kontratën

Basketbolli shqiptar “në mjerim”, Ponari: Konstantinides të respektojë kontratën
Basketbolli shqiptar pas paraqitjes së dobët të kombëtares kuqezi në paraeleminatoret e botërorit 2019 u ndesh me akuzat e trajnerit Antonis Konstantinides, i cili dha edhe dorëheqjen. Trajneri qipriot tha se i është dashur të bëjë edhe rolin e masazhatorit apo dhe shoferit të taksisë, akuza të rënda këto në drejtim të federatës shqiptare të basketbollit. Presidenti i këtij institucioni Avni Ponari ka bërë të ditur se trajneri nuk ka bërë asgjë më shumë sesa detyra e tij.

“Duhet të theksoj se trajneri ka bërë vetëm detyrën e tij, asgjë më shumë nga ato që pretendon. Sigurisht që në vitin e dytë të punës së tij ka patur më shumë probleme dhe kjo lidhet me sjelljen e sportistëve. Megjithatë kemi folur dhe unë pres që ai të respektojë kontratën deri në fund të 2017. Për sa i përket faktit që nuk e duam kombëtaren ka të drejtë pasi pjesëmarrja e tifozëve në pallatin e sportit ka qenë e pakët në përkrahje të ekipit,” u shpreh Avni Ponari.

Ponari nënvizoi problemet e mëdha që kalon sporti i basketbollit në Shqipëri dhe nuk mund të zgjidhet prej tij, pa një strategji shtetërore.

“Sigurisht që nuk mund të flasësh për basketboll kur ne si federatë e kemi grandin vjetor 80 mijë euro, ndërkohë që vetëm ekipi i Sigal Prishtinës ka buxhetin vjetor 800 mijë euro. Në Kosova 30% e taksave shkojnë për sportin ndërkohë që këtu çdo qeveri nuk ka menduar aspak për sportet e tjera përveç futbollit,” – theksoi Ponari.

Sakaq, trajneri i përfaqësueses shqiptare të basketbollit, Antonis Kostandinidhes, dha dorëheqjen menjëherë pas paraeliminatoreve të botërorit 2019, pas humbjes me shifra të thella me Holandën.

“Ndeshja me Holandën ishte kulmi i problemeve të shumta që kishim si skuadër përfaqësuese e Shqipërisë, por gjithashtu tregoi edhe nivelin e basketbollit shqiptar në përgjithësi. Sigurisht kjo nuk është një gjë të cilën e  them për justifikim. Unë i thash edhe djemve të cilët së bashku me mua, pasi unë jam trajneri, bëmë një figurë të shëmtuar. Duhet të na vijë turp të dalim në rrugë. Por ky vit i dytë ka qenë shumë i vështirë për mua. Na kanë refuzuar 6 lojtarë dhe nuk e di përse, mund të them se shume probleme vijnë nga mungesa organizimit këtu. Më vjen keq t'ju them se në këto dy vite kam konstatuar faktin që ju nuk e doni këtë kombëtare të basketbollit. Problemet organizative më kanë detyruar të bëhem menaxher, doktori apo shoferi i taksisë pasi nuk kishim shef ekipi. Por ky eliminim ka edhe një fitore brenda, ju mësoi të kuptoni ku jeni, krahasuar me të tjerët”, u shpreh Andonis Kostandinidhes, nga prania e të cilit pritej që basketbolli në Shqipëri të kishte një ngritje, por duket se problemet janë aq të shumta sa ky sport është i destinuar të vuajë dhe të mos ringrihet si dikur.

Kostandinidhis më pas thekson faktin se prej kohësh federata e kishte braktisur.

“Unë e falënderoj shumë Avni Ponarin, i cili më dha këtë mundësi, por ai nuk besoi tek mua asnjëherë. Gjithmonë ka patur këshilltar jo të mirë. Që nga momenti që zgjedh një trajner investon para tek ai dhe bëhet fjalë për një trajner me eksperiencë, duhet t'i besosh atij 100%. Më vjen keq gjithsesi që po iki pa mundur t'i kthej gjë pas për investimin e kryer ndaj meje. Me stafin tim krijuam një plan për sportistët që luajnë jashtë. Sipas tij ne duhet të udhëtonim dy-tre herë në Itali, Greqi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të grumbulluar lojtarë, por asnjëherë nuk u realizua kjo gjë sepse mungonin financat. Kosto, kosto, kosto, na thonin se herë përmendej kjo gjë”, u shpreh Kostandinidhes.

Ndërkohë në momentet e fundit, përveç problemeve dhe rezultateve të dobëta të kombëtares, edhe ana familjare pas sëmundjes së rëndë të bashkëshortes së trajnerit Kostandinidhis e kanë detyruar atë që të mos ketë dilema për të ndërprerë kontratën me kuqezinjtë.

“Kam një problem të madh shëndetësor me bashkëshorten këtë vit. Pasi përfunduam ndeshjen me Austrinë, i kërkova federatës që të mos vija për ndeshjen e fundit pasi situata familjare është kritike. Deri më sot, nuk më kanë kthyer ende një përgjigje as po as jo. Megjithatë unë zgjodha të vij dhe të respektoj kontratën duke bërë punën time sa më mirë të mundem. Në këto vite unë kam krijuar një emër të mirë në Evropë si trajner dhe për këtë kërkoj respekt”, u shpreh Kostandinidhes.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: