Azili, IOM: Shqiptarët, të parët që kthehen mbrapsht

Azili, IOM: Shqiptarët, të parët që kthehen mbrapsht
Shqiptarët janë të parët që po kthehen mbrapsht nga vendet e Bashkimit Evropian në mënyrë vullnetare. Dhe kjo, kryesisht për shkak të ndryshimit të politikave të këtyre të fundit lidhur me azilin. Një fakt i tillë pohohet nga vetë ekspertët e IOM-it, organizatës ndërkombëtare të njohur të emigracionit, në një raport të fundit lidhur pikërisht me rikthimin vullnetar dhe të asistuar të emigrantëve. Sipas tyre, në situatën e re të krijuar me lëvizjet e emigrantëve, përfshirë këtu edhe ata shqiptarë, kanë ndikuar një sërë faktorësh, ku përfshihet numri më i ulët i aplikimeve për azil. “Faktorë me ndikim përfshijnë ndryshimet në politikat kombëtare të migracionit dhe azilit”, saktësojnë ekspertët e IOM-it. Më tej, ata japin edhe shifra konkrete rreth shqiptarëve që po kthehen vullnetarisht në vendin e tyre të origjinës, pasi po e kuptojnë tashmë dhe po ndërgjegjësohen rreth faktit se në vendet e BE-së nuk kanë ndonjë shans për të përfituar azil.

Kështu, bëhet fjalë saktësisht për rreth 4421 shqiptarë që janë kthyer në atdhe, vetëm gjatë periudhës së muajve janar-qershor të këtij viti. Një shifër kjo më e ulët në fakt, po ta krahasojmë me atë të një viti më parë, kur ajo ka qenë në nivelet rreth 10 mijë të tillë. Por që gjithsesi, e rendit sërish vendin tonë të parin në listën e dhjetë vendeve me kthimet më të larta të qytetarëve të tij nga vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, në total, përgjatë gjithë vitit të kaluar 2016, shqiptarët e kthyer kanë qenë rreth 18 mijë të tillë, duke e kryesuar listimin evropian për këtë aspekt. Porse janë parakaluar vetëm gjatë periudhës së muajve prill-qershor të këtij viti, nga irakianët.

Jo nga Azia ku ka luftë, por 40% e emigrantëve nga Evropa Juglindore

Ajo që bie në sy në raportin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Emigracionin, është fakti se rreth 40% e totalit të emigrantëve që kanë shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe më pas janë kthyer pasi nuk kanë parë asnjë perspektivë integrimi brenda tyre, rezulton të jetë pikërisht nga rajoni i Evropës Juglindore. Ku mes të cilave përfshihet edhe Shqipëria, që zë vendin e parë prej kohësh për një tregues të tillë. Ndërsa qytetarët e vendeve aziatike, renditen pas tyre, megjithë problematikat e nxehta që ato kanë aktualisht, të tilla si ato që kanë të bëjnë me luftërat apo konfliktet e armatosura. Konkretisht, këto vende zënë rreth 15% të totalit të emigrantëve që janë kthyer nga vendet e BE-së, ku më në sy bien pikërisht ata që vijnë nga Iraku, rreth 4 mijë të tillë vetëm gjatë këtij viti, duke u renditur direkt pas atyre nga Shqipëria. E kjo, për arsyen se emigrantët sirianë, në tërësi nuk kthehen mbrapsht, por u jepet azil nga vendet e Bashkimit Evropian, kurse Iraku nuk gëzon të njëjtën peshë problematike tashmë për autoritetet evropiane që merren me dhënien e azilit ndaj qytetarëve ekstra-komunitarë.

 

Gjermania, vendi kryesor pritës për emigrantët

Njësoj siç kanë referuar më parë edhe institucionet e tjera evropiane, të tilla si Eurostat-i, Gjermania rezulton të jetë vendi kryesor i Bashkimit Evropian i cili pret më shumë emigrantë se të tjerët. Dhe kjo për vetë faktin, pasi ata aty pretendojnë që të përfitojnë azil, në një kohë kur vende të tjera evropiane të tilla si Franca apo Luksemburgu kanë dhënë tashmë sinjale të qarta për moslëshimin më të “dritës jeshile” për dhënie azili, kundrejt atyre që ato i konsiderojnë si emigrantë të cilët vijnë nga vende të vlerësuara tashmë si të sigurta, mes tyre edhe Shqipëria. Kështu, IOM në raportin e tij të fundit konfirmon se Gjermania ka shërbyer si vendi i kthimit për mëse 16.645 emigrantë që u janë drejtuar sërish vendeve të tyre. Teksa ajo ka mbajtur vendin e parë për një tregues të tillë edhe gjatë vitit të kaluar, 2016, me një shifër totale të tyre deri në 30.4 mijë; si edhe në vitin pararendës, 2015, kur ky tregues ka qenë në nivelin prej 54 mijë.

 

Nga Ballkani, pas Shqipërisë, Serbia e Maqedonia me më shumë emigrantë

Nga rajoni i Ballkanit, pas Shqipërisë, rezulton se janë Serbia dhe Maqedonia, dy vendet me më shumë emigrantë të kthyer mbrapsht nga vendet e Bashkimit Evropian. Kështu, sipas shifrave respektive të IOM-it, rezulton se në këto dy vende gjatë muajve të këtij viti janë kthyer vullnetarisht 1689 dhe 1512 emigrantë. Shifra këto të larta, thuajse sa Shqipëria, po të shohim tabelën përkatëse që i rendit ato pas vendeve të tilla problematike të kontinenteve të tjera, si Iraku apo Etiopia, përkatësisht me 1689 dhe 1512 persona të kthyer vullnetarisht në territorin e tyre. E duke treguar në këtë mënyrë se nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka një dyndje të madhe të qytetarëve që po aspirojnë të integrohen në vendet e Bashkimit Evropian. Porse tashmë të cilësuara si vende të origjinës së sigurt nuk kanë shans që të përfitojnë azil brenda tyre dhe prandaj i kanë edhe kthimet mbrapsht në nivele kaq të larta.

Numri i të kthyerve, sivjet ka qenë më i ulët se në vitin pararendës 2016

Sipas IOM-it, deri në fund të muajit qershor të këtij viti, numërohen në total 38 mijë emigrantë nga 136 vende origjine të cilat kanë kërkuar asistim prej autoriteteve ndërkombëtare të emigracionit për t’u kthyer në vendlindje. Shumica prej tyre, saktësisht në nivelin prej 70% të tyre janë meshkuj, ndërsa 30% janë femra. Nga këta, 24% e emigrantëve të kthyer janë fëmijë, ndërsa 0.8% janë identifikuar si viktima të trafikimit gjatë periudhë që kanë qëndruar në vendet pritëse. Nga ana tjetër, ekspertët e IOM-it referojnë se përgjatë këtij viti, numri total i të kthyerve ka qenë më i ulët se në viti pararendës 2016, për shkak të volumit më të ulët të ikjeve që emigrantët kanë zgjedhur të kryejnë drejt vendeve europiane.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: