“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Veliaj, letër Shpend Ahmetit: A nuk të vjen marre? Po turp nuk ke që...?

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Veliaj, letër Shpend Ahmetit: A nuk të vjen marre? Po turp nuk ke që...?
Shoku Erion Veliaj, letër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti: A nuk të vjen marre? Po turp nuk ke që...?

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

I dashtun Shpend! Si je me shëndet, heu bre burrë? A ke ken mir' a? A je tuj u mërzit? Ça je tuj ba? A po t'shijojmë q' ato pushime?

E shikon Shpend si jam në dialektin geg të Kosovës? Mjeshtër jam. E kam të lindur ndryshimin e dialekteve, or ti shoq.

Bëj shaka. Ti e di që nuk e kam të lindur. E kam të fituar, me punë vetëmohuese. Punë që ka të bëjë me përgatitje dhe mund. Partia jonë i kushton rëndësi të madhe këtij fenomeni.

A e mban mend p.sh., kur shoku Ditmir shkonte në Shkodër dhe fliste shkodriançe, "mor ta marrsha". E kemi udhëzim nga qendra. Duhet që (gjatë fushatës sidomos), me patjetër të përshtatemi me dialektin e zonës. Ndryshe, na gjen belaja. Unë, gjatë fushatës sime, flisja tironçe. Ti e di që në selinë e Partisë Socialiste vijnë përherë këshillues, e na i mësojnë këto gjera. Na merrnin frymën me leksione leksiokoro-fonetike.

Nejse, Shpend e lëmë këtë muhabetin e dialekteve. Do kemi kohë të flasim për të, gjatë e gjerë. Madje edhe lart. Pra në të treja dimensionet.

Të uroj Shpend për shtëpinë që mami jot bleu në Shëngjin. Ta gëzosh! Nuk më erdhi fare çudi kur mora vesh që mami jot me kursimet e saj, arriti të blente një shtëpi pranë detit. Të tilla janë mamatë tona, në të dyja anët e kufirit. Mama nikoqire.

Edhe mami im kur e mori vesh që mami jot bleu shtëpi, u gëzua shumë. "Thuaj Shpendit, - më tha, - që ta gëzojë shtëpinë! Mos harro ta përgëzosh", - më kujtoi kur dola prej dere.

E ç'është një shtëpi në plazh, or Shpend. Asgjë nuk është. Unë habitem se përse medias në Kosovë i bën përshtypje, një blerje e tillë. Media antikombëtare. Nuk duan që të hedhësh paratë e tua, d.m.th. paratë e mamit tënd, në Shqipëri. Janë të shitur te shovinistët këto media. A do bënte "gam-gam" media sikur ti ta blije, d.m.th. sikur mami  ta blinte në kryeqytetin e Kosovës?! Ç'bëri Prishtina, e ç'bëri Shëngjini. Tre orë larg njëra-tjetrës janë. Me Rrugën e Kombit që nisi të bënte në letër Pandeli Majko.

Eh mor Shpend! Me ç'shoh, edhe ju atje keni "media të kazanit". Bëjnë namin për një copë shtëpi. Ç'nuk po heqim ne këtu nga këto media. Ti e di. Disa media këtu më bënë namin për mamin tim, që më bëri një palo dasmën në kala në një lokalitet të humbur, në Gjirokastër. Pale të ma kishte bërë në ndonjë lokal këtu në Tiranë, se ç'do bënin. Do mbushnin faqet me dasmën time. Janë "media kazani" këto këtu, or Shpend. Nuk kanë të ngopur me thashetheme. Me ç'shikoj, kazan i keni edhe ju mediat.

Kazan këtej, e kazan andej. S'na u ndanë kazanët, or Shpend! Ama unë ja u kam gjetur ilaçin këtyre "kazanëve". Kur të takohemi ta them, se s'dua të ta shkruaj, se ku i dihet. Bie letra në ndonjë dorë që s'më do dhe e bën publike.

Unë rastësisht e dëgjova këtë muhabetin e shtëpisë, që mami jot paska blerë në Shëngjin. Shiqo! Ne qeveritë këtu vërtet nuk i kemi dhënë Kosovës loke, portin e Shëngjinit që ta përdorte për mallrat e veta, po ja ç'bën nxitja private. Shpresojmë që edhe mamatë e liderve të tjerë aty në Kosovë, të vijnë dhe të blejnë shtëpi këtu.

Madje jo vetëm shtëpi. Më mirë është që të blejnë pallate. Do i them mamit tim që të blejë ndonjë pallat aty në Shëngjin. Mundësisht që të jetë pranë pallatit që do blesh ti më vonë. Sikur të jemi afër njeri-tjetrit, do jetë mrekulli fare. Mami mua ma plotëson menjëherë dëshirën. Le që ti e di këtë fakt. Ishallah, edhe jotja...!

Sa mirë do jetë sikur të rrimë pranë e pranë me shtëpi, se edhe politikisht ne të tillë jemi.

Ti e nise me atë partinë... Hë mo me atë "Fryma e Re". Unë e nisa me G99. Të dy e pamë që me partitë tona, s'kishim gjë në vijë. Nuk bëhet prokopi me parti të vogla, or Shpend.

Ndaj unë ju bashkova PS-së dhe ti Vetëvendosjes. Jemi të zgjuar të dy, Shpend. Kot nuk kemi studiuar të dy në Havard neve. Në fakt, "kam studiuar lesh" unë, se më tepër kam bredhur nëpër botë me lëvizjen rinore. Gjithsesi atje na kanë instruktuar mirë se si të bëjmë politikë dhe para. Këto të dyja ecin bashkë.

Kot nuk jemi të majtë, ne fundja. Mendojmë për popullin, për njerëzit e vuajtur. Unë e di Shpend që ti shtëpinë në Shëngjin e ke blerë pikërisht se i do njerëzit e punës. Shëngjinasit kanë qenë marinarë të zotë dhe punëtorë, që nga koha e ilirëve. Ti nuk mund të rrish larg njeriut të punës, Shpend. Ndaj bli edhe një shtëpi në Tiranë, të rrish pranë meje, si njeri i punës që jam. D.m.th. thuaj mamit ta blejë.

Ore Shpendi, se nuk të kam pyetur unë; Ti çfarë shpendi je? Je grabitqar, apo i butë?

Po të pyes pa të keq, të betohem. Le që pse të betohem. Ti e di që ne të majtët nuk e kemi ndjenjën e të keqes ndaj tjetrit. Ne bëjmë ç'është e mundur që ta shikojmë tjetrin të mos vuajë. Tani m'u kujtuan nga biologjia llojet e shpendëve, e thashë të të pyesja njëherë.

Mua personalisht më dukesh shpend i butë. Nuk ta them që të mërzitesh. Të betohem!

Le që pse të të betohem. Po të ishe grabitqar, do kishe fituar gjithë ato para dhe do e kishe blerë vetë shtëpinë në Shëngjin. Nuk do kishe pritur të ta blinte mami. Kushedi sa para do kishe bërë sikur të ishe shpend grabitqar. Prishtina është me fat që ka në krye një shpend si ty. Jam krenar për ty! Të përshëndes, or Shpend jograbitqar!

Ika tani se më duhet të montoj ca kronika. Jo, jo nuk janë kronika dasme. Atë punë e kemi mbaruar me kohë neve. Janë kronikat që ja u nis mediave. Ata i japin siç ja u nis unë.

Nuk i lodh gazetarët dhe kameramanët, që të më vijnë nga pas. Pse ç'jam unë të lodh klasën punëtore! Ne për ta rropatemi.

Përqafime, or Shpend, se e zgjata shumë.

PS. Ore Shpend, se tani u kujtova unë; Po turp nuk ke që..., a nuk të vjen marre heu burrë i dheut, që shkon e blen në Shëngjin një shtëpi 50 metra katrorë?!

Ti qofsh! Me gjithë atë bark që ke ti, habitem se si do mundesh të rrish aty brenda, në aq pak vend. Unë për veten time megjithëse jam i dobët, vilën mami po ma bën të madhe.

Ika tani. Ore këtë që shkrova "PS", mos kujto se është Partia Socialiste. Është "Post Scriptum". Jo se të shkon mendja te varianti i parë ty, e di unë, meqë je i majtë ndaj.

Unë s'jam me Partinë Socialiste o byrazer. Unë jam me Rilindjen.

Të përqafoj! I yti, Erion Veliaj!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: