“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Mirela Kumbaro: Kush dhe si më kërkuan që lulishten ta quaja Antonio Gramshi

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Mirela Kumbaro: Kush dhe si më kërkuan që lulishten ta quaja Antonio Gramshi
Flet shoqja Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës: Kush dhe si më kërkuan që lulishten ta quaja Antonio Gramshi.

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

"Antena Jashtë Familjes" sjell sot bashkëbisedimin plot finesë me shoqen Mirela Kumbaro. Për ta takuar atë, ishte mjaft e lehtë. Asnjë pengesë burokratike. Pritëm vetëm dy minuta në korridor. Ja bashkëbiseda që zhvilluam, me plot kulturë ndërkombëtare.

-Përshëndetje shoqja Ministre!

-Ma bëj kabull, që të lashë të prisje përjashta. Po flisja në telefon me "Institutin e Lartë të Arteve"...

-Nuk ka problem! Deshët të thoshit me "Universitetin e Arteve"?

-Më ka mbetur nga koha e monizmit, kur quhej Institut.

-Çfarë po flisnit me ta, shoqja Ministre...?

-Për konkurrimin e studentëve po flisja. E kanë sot. Pyeta nëse bëhet ky konkurrimi edhe në turqisht, apo në indisht.

-Ç'ju thanë?

-Bëhet vetëm në shqip, më thanë.

-Po shumë mirë...

-Konkurrim për aktorë, në gjuhën shqipe!? A jeni në vetë ju të "Antenës së Jashtme"?! Unë po të isha drejtuese e atij institucioni, do e zhvilloja konkursin vetëm në turqisht. Ca edhe në indisht, apo spanjishto-portugalisht.

-Përse, apo...?

-Si përse? Ja më thoni ju mua, ç'vlerë ka gjuha shqipe në kinematografi? Shikon ndonjë film televiziv në gjuhën shqipe, zotrote?

-Nuk di ç'të...

-Nuk di ç'të thuash, sigurisht, se të gozhdoj në vend unë me argumente. Universitet koti. Më ngritën nervat, që në sabah. Ja e shikon, edhe unë fola fjalë turqisht. E kur flasë unë që jam Ministre e Kulturës, nuk duan të flasin ata. Ky është kulmi! Unë vetë po mësoj turqisht, kam hequr dorë nga frëngjishtja.

-Qetësohuni shoqja ministre, se...!

-Ç'të qetësohem more shok! Nuk e shikojnë ata se ç'bëhet. Asnjë telefilm shqiptar nuk po prodhojnë mediat tona, e këta të "Arteve" bëjnë konkurs në shqip. Po bëjeni more në turqisht. Mirë në turqisht jo, se mbase nuk doni, se e keni akoma kunj që na kanë pushtuar ca qindra vite. Po bëjeni në indisht! Ç'të keqe ka ta bëjnë në këtë gjuhë, p.sh.?! Shikon ndonjë të keqe ti? Hë fol, ç'rri si gjytyrym!

-Po ç'të them unë, shoqja ministre. Unë mendoj që iu duhet zvogëluar koha televizive, me ligj. Duhet bërë si në disa vende të BE-së, që veç 30 minuta telefilma të huaj në ditë lejon. Apo si në Maqedoni që...

-Po ç'më përmend Maqedoninë, atë shtet koti. I ke parë indianet si e tundin belin kur kërcejnë. Hë, i ke parë?

-Jo, nuk i shikoj ato filma...

-Gabim bën që nuk i shikon. T'i shikoje, do të të lëshonte goja lëng. I fusin një të tundur të belit, që o nëne. Jo si këto tonat, që studiojnë me vite për t'u bërë valltare. Ato e kanë të lindur. Kanë lezet filmat e tyre. Fillon flet një llaf sot aktori, dhe e mbaron llafin në serinë tjetër.

-Ashtu?!

-Jo si këto seritë që bënin më parë televizionet tona. Aktorë llafazanë, s'ju qepej goja.

Gratë kanë nevojë që përveç se të shikojnë filmin, të bëjnë edhe ndonjë punë shtëpie. Këto filmat indianë janë tamam për to. Unë p.sh.; kur i shikoj, kënaqem. Se jo vetëm i shikoj, por edhe lexoj direktivat e Kryeministrit tonë për artin, në të njëjtën kohë.

-Nuk ju pengojnë në leximin e direktivave të shokut Kryeministër...?

-Jo more shok, nuk më pengojnë fare filmat indianë mua. Ato shyqyr që flasin pak, e kërcejnë shumë. Nejse, më falni se isha e irrituar me ata pseudo artistët e Arteve. Ju të "Antenës së Jashtme", përse keni ardhur?

-Erdhëm se deshëm t'ju pyesnim për këtë lulishten këtu përpara godinës së ministrisë, që i vutë emrin "Antonio Gramshi". Ç'ne këtë emër?

-Për këtë keni ardhur ju?!

-Po pra për këtë. A mos me vendosjen e këtij emri, keni shprehur nostalgjinë për stalinizmin dhe enverizmin, siç po thuhet në disa...?

- Ama "Mediat e Kazanit" dëgjon ti! Dëgjo more shok!  Vetë Antonio, nuk ishte stalinist, që ta dish ti. D.m.th. s'ishte as enverist. E di ti p.sh., që batalioni partizan "Antonio Gramshi", ka qënë pjesë e Brigadës I Sulmuese...? E di kush ka qenë komandant i kësaj brigade?

-Mehmet Shehu ka qenë, më duket...

-Ja pra që edhe batalioni nuk ka qenë enverist, por mehmetist. Pastaj vetë Gramshi është një nga kokat e mendimit politik, që ta dish. E di ti teorinë e tij të "hegjemonisë"?

-Jo nuk e di shoqja ministre...

-Nga ta dish, kur nuk lexon. Unë e kam lexuar kur kisha dëshirë frëngjishten. Sipas kësaj teorie, shtresat e pasura bombardojnë njerëzit e varfër me informacionet që duan. Kupton?

-Dmth, një lloj "Media të Kazanit", siç ka thënë edhe Kryeministri.

-Pikërisht. Pra të pasurit, ju japin fukarenjve prodhime mediatike që vetë të kamurit duan. Kështu të pasurit krijojnë njeriun që duan, e në këtë mënyrë mbajnë hegjemoninë, pra mbajnë sundimin. Besoj se ke parë p.sh. kur nxjerrin lajme për nipërit dhe mbesat e bukur të mbretërve, që pse mbajnë pantallona të shkurtra. Apo se filan princeshe është shpirt njeriu, se ajo medemek puthi një fukara në Afrikë.

-Po, po kam lexuar disa të tilla, me thënë të...

-E pra kështu, ja ky ishte Antonio Gramshi. Po shyqyr që fukarenjtë nuk e njohin teorinë e tij.

-Antonion e mora vesh. Nuk kuptoj: Ju përse i vutë emrin e tij, lulishtes?!

-Ma kërkuan disa të pasur pra. Vëri lulishtes emrin e Antonios, më thanë, që sa herë të vijmë në ministri e të diskutojmë për ndonjë projektligj që ka të bëjë me artin apo kulturën, ta kujtojmë. E duke e kujtuar Antonion dhe teorinë e tij, të jemi vigjilentë, që mos të na humbasë hegjemonia, sundimi mbi fukarenjtë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: