“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Elisa Spiropali i shkruan NASA-s: Vetëm Edi Rama mund të zhdukë eklipset

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Elisa Spiropali i shkruan NASA-s: Vetëm Edi Rama mund  të zhdukë eklipset
Shoqja Elisa Spiropali i shkruan NASA-s: Vetëm Edi Rama mund  të zhdukë eklipset

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Antena jonë ka mundur të kapë dërgesën elektronike të shoqes Elisa Spiropali, politikanes së njohur të Rilindjes. Po e bëjmë atë publike, ashtu sagllam siç është shkruajtur, pa i hequr asnjë pikë, pasi edhe shoqja Elisa kur ishte te Doganat, nuk hoqi asnjë para mënjanë nga ato që duhet t'i dorëzonte shtetit. Ajo punoi me përkushtim dhe me dashurinë e një rilindaseje për vendin tonë, që ishte fukara në kohën e Saliut. Për këtë punë pa përfitim edhe u përzgjodh në listën për deputete. Ja letra:

E mirënjohura "Agjensia Kombëtare e Hapësirës dhe Ajërudhëtimit"!

Arsyeja që po ju shkruaj, ka të bëjë me një ngjarje globale. Para disa ditësh, siç edhe ju ndoshta e mësuat, ndodhi eklipsi i plotë i Tokës. E keni parasysh besoj se ç'është eklipsi. Kur Hëna i zë pamjen Diellit. Mora vesh se njerëzit u tmerruan kur e panë veten në errësirë.

Frika mbërtheu shumë vetë. Edhe një ish-shoqen time që e mora të punonte në dogane si doganiere e thjeshtë, e kapi paniku aq shumë, sa harroi ku kishte fshehur 200 mijë euro.

Më pas e mblodhi veten dhe i gjeti. Edhe mos t'i gjente, s'do bëhej hataja, se ajo ka të tjera para mënjanë. Nuk i ka këtu në Shqipëri.

Unë për vete çuditem se si i zë paniku njerëzit. Mua p.sh. nuk m'u drodh fare qerpiku. Unë s'kisha frikë kur më tha Edi Skenderbeu të shkoja te zyra e tij e të jepja dorëheqjen, jo më nga eklipsi. Tani me thënë të drejtën fare, kur më tha për dorëheqje, eklipsi më mbuloi të tërën. M'u errësuan sytë fare. Gjunjët më lanë, sa desh rashë. Më thënë të vërtetën sagllam, rashë disa minuta madje. Gjithsesi nga eklipsi s'kisha frikë. Po fare, madje.

Si unë, që nuk kishte frikë fare, nuk kishin frikë me qindra mijëra shqiptarë të tjerë që janë mësuar me errësirën, që pllakosi vendin gjatë mandatit të Sali hajdutit.

M'u kujtua eklipsi dhe paniku i njerëzve, e tani që gjeta pak kohë nga angazhimet e mia që më presin gjatë të ardhmes në drejtim, thashë t'ju shkruaj. Mendova: Përse mos të ndihmoj në çështjet me karakter global, përderisa edhe liderin neve e kemi global.

Së pari, po sqaroj faktin se përse emrin e agjencisë tuaj, nuk e shkruajta në gjuhën angleze.

Mos kujtoni se unë nuk e di këtë gjuhë. E di, e madje mjaft mirë. Ma ka përmirësuar edhe një kompani që Edi Rama, apo siç i them unë, Skënderbeu, thirri këtu te neve që të na rregullonte doganat. Lesh na i rregulloi. Më falni për shprehjen "lesh", po mua personalisht më zuri gjuha lesh, pasi ju thosha përherë që ishin tepër të paaftë.

Them "lesh na i rregulloi", pasi Edi Skenderbeu i rregulloi vetë dhe mjaft mirë madje.

I dhamë 8.5 milionë lekë kot fare asaj kompanie. Madje tani që po e kujtoi, nuk ishin lekë, ishin euro. (E çuditshme se si flas akoma me lekë). Pra siç e thashë, kjo kompani na la në baltë, apo  na "bëri glasën" siç i thonë këtej nga ne. Na mori paratë dhe asgjë nuk bëri për doganat. Shyqyr që isha unë në krye e bëra vetë, se të qe për atë kompani, më bosh do ishte arka.

E kam marrë aq inat atë kompani, sa tani nuk më bëhet të dëgjoj dhe përdor emra në anglisht. “Crown Agents” e kishte emrin. Po ç'prisnim ne nga një kompani me një emër të tillë, ama! Kur e mendoj tani. Kemi qenë të papjekur shumë, atë herën e parë që punonim dhe drejtonim me përkushtim në doganë.

Edi Rama ka qenë i pjekur, por them që neve të tjerët, kemi qenë aguridhe fare. Sidomos ai Shkëlqimi, ai ish Ministri, ai ishte fare bylmez. Po si mund t'i besonim neve një kompanie me të tillë emër?! "Agjentët e Kurorës"! Bo bo, kur e mendoj! Thirrëm Agjentët e Kurorës Britanike, të na rregullonin punë neve! U pika, kush e solli! D.m.th. pika ish-ministrit! Po agjentët britanikë bënë lëmsh Lindjen e Mesme para një shekulli, e jo mos të bënin lëmsh doganat tona.

Ama e zhduku fare Edi Skendërbeu. “Ikni, zhdukuni, ju tha, s'keni më punë këtu!” Hallall!

Mua më mori në zyrë dhe ma bëri të qartë. Do largohesh më tha, por do vish përsëri, se ta kam nevojën, pasi  je tmerrësisht e aftë dhe e pakorruptueshme.

Po ja u them këto, për t'ju treguar se ç'është në gjendje të bëjë Edi Rama, Skënderbeu ynë.

Jua garantoj unë që vetëm Ai, e zhduk eklipsin fare. Jam më se e bindur për këtë.

Si e zhduk, do thoni ju! Me litar e zhduk. Nuk më besoni? Në qafë paçi veten, nëse nuk më besoni. Lërini njerëzit të llahtarisen nga frika e një palo eklipsi, atëherë!

Më falni! Ndoshta u tregova pak e ashpër me ju. Nuk është faji juaj që nuk më besoni, se nuk e keni parë që Ai përpara zgjedhjeve lindi Diellin. Po, po e lindi. E me se. Me vetëm një litar. Me të tërhiqte Diellin. Ta dini ju si është Ai në tërheqje! Mjeshtër është.

E kuptoni!? Lindi Dielli për shqiptarët, vetëm  me një litar. I tillë është Edi Rama, Skënderbeu ynë. Unë jua rekomandoj që ta merrni, se do zgjidhni punë. S'do ketë më eklipse, e kështu gjonash të frikshme mbi Tokë. Mendojeni këtë që po ju them!

Ai e zhduk fare si fenomen. Jepini vetëm litar e ndonjë euro, e nuk do ketë më eklipse, jua siguroj unë me fakte, po qe nevoja. Ja, po ja u jap:

Ai zhduku "Crown Agents" nga Shqipëria. Ikën, e s'u dukën më këtu.

Ai po zhduk 60 mijë shqiptarë çdo vit, që ikin e kërkojnë azil jashtë. Ca me maune, e ca me aeroplanë. Ca nga Rinasi, e ca nga Bari. Ikin, zhduken nga ky vend.

Ai zhduku fare PD-në. Le që ajo u zhduk vetë, me bekimin e Salës...

Ai zhduku nga ky vend edhe ata artistët, tani së fundmi. Hë mo si e kishin emrin ata? A po! Shpëtim Saraçin me të shoqen. Ikën ata, u zhdukën fare nga Shqipëria. Zhduku edhe atë që gjasme këndonte në Australi. Ai rrinte ngrohej në diell me kangurët andej, e bënte sikur ishte tenor i madh. Vijnë i shesin dengla Edi Skënderbeut disa të paaftë.

Filluan të shanin disa antirilindas, Edi Skënderbeun për faktin që zhduku atë muzikant Saraçin. U pika antirilindasve! Shpëtimi do i bie pianos atje. Do bëjë gjithë ato para, pasi ka zanat.

Kot nuk thotë Edi Skënderbeu, që duhen zanatet. Eeee, po është zanat muzika. S'të lë pa bukë. Të nxjerr nga fukarallëku qemania, sikur edhe në metro t'i biesh.

Talleshin kur theshte Skënderbeu ynë për rëndësinë e zanatit. Pa shikoni tani...!

Gjithsesi, unë për vete nuk do iki. Unë nuk ika atëherë kur e kisha litarin në fyt, jo më tani, që ma hoqi Rama nga fyti. Në fakt edhe për ta vënë, ai e vuri. Ama u tregua burrë, e kuptoi gabimin dhe unë e ndjej që do më japë përsëri kolltuk qeverisës. Nuk ka ku iki jashtë unë. Po edhe nëse do kisha, e pse të iki? Këtu Edi Skënderbeu ynë po bën shtet, e tani po pres që unë të jem përsëri pjesë drejtuese e tij, siç edhe jua thashë. E kam për nder të bashkëpunoj me të. Sa mirë do jetë sikur të kthehem prapë aty ku isha.

Eh, rri e rri dhe kujtoj kthimin tim në dogana. Me duket ndonjëherë si t'i kujtosh litarin, në shtëpinë e të varurit. Mendoj dhe them; A do mundem unë vallë...?

Meqë ra llafi te litari. Jua siguroj edhe juve që do mbeteni të kënaqur ashtu si edhe unë, nëse e merrni për çështjen e zhdukjes së eklipseve. Është i vetmi që ju zgjidh punë, vetëm me një litar. Merreni dhe do e shikoni rezultatin spektakolar, që vetëm ai mund ta bëjë.

Me sinqeritet pa doganë

Elisa, ish drejtoreshë për çdo Doganë

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: