Alfred Bualoti: Edhe sot më quajnë “Vlashi”, por s’jetohet me të kaluarën

Alfred Bualoti:  Edhe sot më quajnë “Vlashi”,  por s’jetohet me të kaluarën
INTERVISTË/ Flet aktori, regjisori dhe presidenti i Festivalit teatror Ndërkombëtar “Butrinti 2000”: Teatri kombëtar i Pekinit harxhoi 90 mijë euro për të ardhur në festival

 

Alfred Bualoti:

Edhe sot më quajnë “Vlashi”,

por s’jetohet me të kaluarën

 

“Kam pasur fatin të luaj me aktorë gjigantë...”. Kështu pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press” aktori, regjisori dhe presidenti i Festivalit teatror Ndërkombëtar “Butrinti 2000”, Alfred Bualoti, teksa rendit emra të tillë si “Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Prokop Mima, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Roland Trebicka...”. Për të cilët thotë se ata, por edhe shumë të tjerë do ishin dhe sot të mëdhenj, pasi ata kishin brumin. “Brumi i tyre ishte i nivelit të lartë, ku çdo regjisor edhe sot mund t’u besonte rolet nga më të vështirët. Po ekziston brumi i mirë, bukën e bën siç e do, në çfarë forme dhe në çfarë madhësie e do...”, sqaron Bualoti. Teksa shton më tej se Prokop Mima mbetet margaritari i të folurit pastër të gjuhës së bukur shqipe. Ndërsa duke folur si regjisor, ai pohon se komedia “Pallati 176” mbetet unike, por sipas tij, ajo sot duhet të sillet në kohë ...

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Festivali i 15-të “Butrinti 2000” përfundoi me sukses. Cilat ishin risitë e këtij festivali të fundit në qytetin antik, aq shumë të diskutuar nga aktorët e huaj?

Ky ishte edicioni i 15-të i Festivalit teatror Ndërkombëtar “Butrinti 2000”. Nuk janë pak edicione dhe për Shqipërinë është ndër Festivalet Ndërkombëtarë më të vjetër, kurse për rajonin është një festival inkurajues. Ose më mirë të themi është bindës, pasi 15 edicione nuk janë pak. Rajoni ka festivale të kësaj natyre edhe 30 apo 40-vjeçare, pasi kanë qenë vende me demokraci kur ne ishin në sistemin komunist, por tashmë ne kur përfunduam festivalin e 15-të, themi se kemi traditën brenda, kemi një lloj konsolidimi dhe pranimi nga shumë faktorë të jashtëm e të brendshëm. Kjo edhe pse disa erëra fryjnë në të kundërt. Nga një pikëpamje na gëzon ky fakt, por nga ana tjetër, sigurisht është mirë të kthehet koka mbrapa e të mos rrimë në vend. Në këto vite kemi arritur rezultate, kemi parë përgëzime, por jo çdo gjë shkon në vaj. Edicioni i 15-të kishte 6 spektakle, 5 ishin trupa teatrore dhe  një ishte koncert i Orkestrës së Artit dhe të Kulturës të “Sigal” i dirigjuar nga “Mjeshtri i Madh” Ermir Dizdari. Kjo orkestër e harqeve kishte një performancë  të këndshme, një buqetë lulesh aromëshumë për të gjitha trupat pjesëmarrëse në hapje të Festivalit. Pra, dita e parë u hap me orkestrën frymore dhe pastaj me një dokumentar që kishim përgatitur për këto 15 edicione. Ky film na ngjalli shumë kujtime, pasi aty pamë hapat tona të para në këtë nismë, që na ishin turbulluar në kujtesë. Vitet ikin dhe koha bën të sajën, mosha të vetën dhe filmi na ringjalli ato që ne diskutonim, apo kishim në mendjet tona. Ishte moment interesant. Mes nesh shikoje artistë që dhe lotonin, pasi tashmë përreth nuk ishin disa prej atyre që kishin hedhur gurët e themelit të këtij festivali prestigjioz. Tashmë nuk kishim mes nesh ata diva të aktrimit që ishin në skenë në Festivalin e parë teatror “Butrinti 2000”, si i madhi Kadri Roshi, Violeta Manushi, Bep Shiroka, Drita Pelingu; për të ardhur tek yjet e skenës që tashmë në moshë mes lotësh kujtojnë miqtë e tyre si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, etj... Përpos tyre, neve në këtë film na ngjallën emocion të madh edhe shfaqjet që janë dhënë në Butrint, ku kanë kaluar regjisorë të mëdhenj të Evropës, shumë prej të cilëve kanë dhënë premiera atje. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Disa regjisorë me emër në Europë, përpara se të bënin premierën ën Sofje, Selanik apo në Shkup, më parë kanë dhënë premierë në Butrint dhe pastaj kanë marrë rrugën për në vendet e tyre. Nga kjo pikëpamje, ky film zgjoi kujtime.

Si pasuan ditët e tjera?

Ditët e tjera pasuan me pesë shfaqje teatrore apo grupe të ardhura nga vende të ndryshme. E para, Shqipëria kishte dy shfaqje. Një shfaqje nga “Albania Deance Teatër” i Gjergj Prevazit. Shfaqja e dytë e dhënë nga teatri “Migjeni” i Shkodrës me “Kanarina blu” e Stefan Çapalikut. Tre shfaqjet e tjera ishin të huaja. Shfaqja e parë ishte një shfaqje greke e mrekullueshme e një kompanie nacionale të ardhur nga Athina “Thesis Teatër”, shfaqja tjetër ishte nga Gjeorgjia e ardhur nga kryeqyteti Tbilis, teatri shtetëror dhe e fundit që ishte edhe risi për këtë edicion ishte dhe Teatri Kombëtar i Pekinit. Po, po i Pekinit, që dhe ne vetë nuk e besonim që vuri në skenë “Rikardi i tretë”. Ndërsa dy të parët luajtën dy komedi, ku grekët kishin komedinë “Ëndrra e një nate vere” të Shekspirit, ndërsa gjeorgjianët e Tbilisit luajtën “Shumë zhurmë për asgjë” po të Shekspirit. Në natën finale ishte “Rikardi i tretë” i luajtur nga trupa e Pekinit.

Ju e quajtët risi trupën e Pekinit, përse?

Kjo sepse trupa e Pekinit vinte me një koncept, një mentalitet, një qasje krejt të re, krejt të veçantë për ne. Ishte një trupë ndryshe nga se e mendonim, me ato çka kishim pasur lidhje në sistemin komunist, këtu e 27 vite më parë. Dikur me Kinën ishim shumë të lidhur, kryesisht në fushën e ekonomisë dhe atë ushtarake, por e them me bindje se me teatrin pak ose aspak lidhje kemi pasur, ndaj kjo shfaqje na befasoi. Pas kaq viteve pamë një trupë kineze, një kulturë, një interpretim, një lloj qasje ndryshe, plot harmoni, virtuozitet, elegancë, rrjedhshmëri. Thjesht një befasi. Ne kishim idenë se do vinte një trup aktorësh shtatvegjël, me një qasje modeste, por këtu ishte befasia. Pamë një trupë teatrore kur gjatësia ishte dominante, mbi 180 cm dhe qasje ndaj teatrit ishte perfekte. Mbaj mend se në sistemin monist kishte ardhur një trupë e operës ku dominonte më shumë fotoja e Mao Ce Dunit. Pra, ideologjizma. Tashmë shtangëm. Një trupë me elementë të traditës, kryesisht në pikëpamje të plastikës së aktorëve. Elementët teatrorë ishin mjaft modernë. Aty nuk kishte gjak në vrasje dhe ti shihje apo ndjeje gjak. Kishte doreza të kuqe të gjata, plastike në vend të duarve që i hiqnin, që i lëviznin, që i ndryshonin,. Në vend të vdekjes kishin një vello të zezë që  e fluturonin në ajër dhe ajo binte aty pranë dhe aktorët e shoqëronin. Ishin  disa elementë teatrorë që sot i ka zili çdo teatër modern botëror. Pra, ishte një teatër i vërtetë, plot  fantazi, plot krijimtari, ide, imazh, mesazh, vërtetësi dhe improvizim ideal. Kjo shfaqje bëri që festivali i 15-të të përfundonte me mjaft sukses.

Ku janë vështirësitë në realizimin e një festivali të tillë?

Vështirësia më e madhe është në mbështetjen që i bëhet festivalit, pra financa e tij. Në raport me vendet e tjera që bëjnë diçka të tillë, mbështetja jonë është fare, fare modeste. Nëse në fillimet tona në vitin 2000, ne hall të madh kishim nëse do të na vinte ndonjë trupë e huaj apo jo, sot këtë gjë e kemi tejkaluar dhe problem mbetet financa. Në vitet ‘2000 ne vinim pas luftës në Kosovës, ku mbante ende erë barut dhe shumë trupa kishin frikë të vinin në Butrint. Pra, ajo periudhë kaloi, trupat vijnë apo kërkojnë të vijnë vetë sot. Tani problemi është financa, që ne nuk kemi mundësi të ftojmë sa më shumë, pasi kërkesat janë në rritje, por ne nuk kemi mundësi t’i mbajmë, t’i ftojmë. Pra, shikon si kanë ndryshuar raportet?  Kërkojnë të vijnë shumë e ne nuk ftojmë as gjysmën e tyre. Le t’i referohemi një fakti të trupës kineze. Ne për këtë trupë nuk morëm përsipër që të vinte pothuajse asgjë. Ne nuk kishim mundësi t’i prisnim, por ata me ngulm kërkonin të vinin të luanin në Festivalin e Butrintit. Në fund, ata i morën përsipër të gjitha vetë dhe fatura e tyre për të gjitha shpenzimet ishte 90 mijë euro, ku 30 mijë euro kushtonte vetëm dekori dhe kostumet të ardhura nga Kina. Vetëm dhe vetëm të luanin në Butrint, ata morën përsipër një kosto të lartë, pasi Butrinti për ta është një vlerë e madhe e paimagjinueshme për kulturën e vjetër dhe për vetë teatrin e vjetër. Një nga përfaqësuesit e ambasadës kineze që kishte ardhur në Butrint me disa të tjerë, në fjalën e tij përcolli rëndësinë që i jep Kina artit dhe dëshirës së trupës së Pekinit për të ardhur në Butrint. Në këtë fjalë, ne pamë se Kina ka filluar një ekspansion të madh dhe në art. Shteti kinez jep, shpenzon shumë për artin. Ky duhet të jetë reflektim për ne. Ky reflektim duhet të fillojë që shteti dhe ne duhet t’i japim shumë rëndësi artit, teatrit.

Ju keni qenë aktor, regjisor, si morët përsipër të organizonit një Festival Ndërkombëtar të Teatrit?

Kur fillova të zbatoj këtë dëshirë, kjo ngasje nuk ishte vetëm e imja. Nuk isha i vetmuar, pasi këtë e konsumoja dhe me miq të tjerë. Unë këtë ide e kam konsumuar me mikun tim Edmond Xhumari, i cili sot e kësaj dite është drejtor organizativ i Festivalit. Edmondi ka qenë me një eksperiencë të madhe në ministrinë e Kulturës dhe të Kinostudios ku ka punuar. Ndihma e tij ishte e jashtëzakonshme nga ana organizative. Më pas kam pasur mbështetjen e shumë kolegëve të tjerë,  pasi ne nuk dinim nga marketingu, nuk dinim nga  lidhjet me botën, nga planifikimet etj. Fatmirësisht, ishim pjesë e një Instituti Ndërkombëtar të Teatrit Mesdhetar  që kishte dy qendra, njëra në Marsejë njëra në Madrid dhe ne u bëmë pjesë e këtij instituti dhe filluam të komunikojmë me të gjithë trupat pjesëmarrëse nga Spanja, Franca, Italia, etj...  Por filluam të komunikojmë dhe me një organizëm që u quajt “NETA” ku bënin pjesë shumë shtete të ish-Jugosllavisë dhe më gjerë në Ballkan (me Turqinë, Bullgarinë), etj... Pra, filloi një bashkëpunim i madh sepse ne ishim dhe anëtarë të themelimit të “NETA”-s.  Ne kaluam disa situata në vend në këto kohë si ngjarjet e vitit ‘97 dhe lufta e Kosovës që na e zvarritën paksa kohën e organizimit. Por koha punoi për ne. Të gjitha këto bënë që ne t’i kalonim situatat. Ne kishim diçka të artë me vete, kishim diçka që s’e kishte askush, kishim çelësin magjik, kishim Butrintin.  Kishim këtë perlë të Mesdheut që bota e njeh më mirë se ne. Neve na mbetej vetëm t’i afronim.

 

Si bota e njihte më mirë se ne Butrintin?

Po, po e njihte më mirë se ne. Dinin çdo detaj. E kishin lexuar mijëra herë historinë e tij. Ata vinin vetëm për ta prekur fizikisht, pasi teorikisht me mendje dhe ide e njihnin aq mirë sa unë befasohesha. Vetëm po të përmendje emrin “Butrint”, ata magjepseshin. Të gjithë aktorët e quajnë Butrintin xhevahirin më të rrallë. Shumë nga aktorët e njohur botërorë, sa hipnin në skenën e teatrit Butrintit, bënin kryqin. Po, kryqin. Para shfaqjes, ata kryqin e shoqëronin me fjalët “këtu është një përrallë”, “këtu është një magji”, “këtu është vendi më i bekuar që ka bërë Perëndia”. Kjo jo vetëm se Butrinti ka një teatër me akustikë të rrallë, por edhe nga peizazhi, pozicioni, ndërtimet, si dhe nga gurët e stërmëdhenj ngjitur me pyllin e bukur dhe të mahnitshëm. Ata nuk kishin përjetuar emocione të tilla  Të gjithë sa kanë ikur nga Butrinti kanë thënë që “patjetër do vijmë përsëri”. Ne edhe me një buxhet të vogël jemi munduar t’u themi se ne që kemi dalë nga rrënojat e Butrintit, kemi një zemër të madhe bujare, mikpritëse edhe pse jemi të varfër. Këtu dua të dal në një moment... Një aktor gjerman në koifidencë, pasi dolëm nga Butrinti në Sarandë më thotë: “Ju nuk keni mundësi të keni dalë nga këto rrënoja të çuditshme të Butrintit!”. “Përse?”, i thashë unë. “Por me gjithë këtë beton që keni hedhur në Sarandë e keni bërë bunker, kur ky vend nuk do beton por natyrën e qetë. Bëni një ligj kundër betonit”, ma ktheu.

Pra, në Festival u luajtën dhe komedi. Kujtojmë se ju jeni një nga regjisorët e komedisë së famshme “Pallati 176”.  Kjo komedi, a do të mund të konkurronte artistikisht me komeditë që u luajtën në Butrint?

Kjo është e vërtetë, por sot, pas 35-vjetësh komedia “Pallati 176” nuk mund të konkurronte me komeditë e Festivalit të Butrintit. Kjo sepse specifika e teatrit antik të Butrintit kërkon tjetër gjë. Pra, vendi. E dyta, teatri ka ecur shumë, teatri në Europë ka bërë hapa galopantë. Elementët e përdorur, përgatitja e thellë e mendimit filozofik të drejtimit të regjisë, dhe përgatitja e gjithanshme e aktrimit, bën që “Pallati 176” të mos vijë në kohë. Sot aktorët i ke njëherazi këngëtarë  të mirë, muzikantë, instrumentistë të mirë, balerinë të mirë, pra kanë një formim të gjithanshëm, një formim aq të madh, sa nuk ndan dot aktorin nga instrumentisti.

Atëherë, çfarë do të bëje që “Pallati 176” të vinte sot në kohë?

Kjo komedi sot duhet të ndryshojë në strukturën e saj. Pra, duhet sjellë në kohë nga shumë dimensione. Me atë mënyrë skenike që ajo ka funksionuar dikur, sot nuk mund të shfaqej për konkurrim në Festivalin e Butrintit. Ky festival ka lashtësinë, ka teatrin e vjetër, ka mesazhin tjetër, idenë e skenimit tjetër dhe shumë elementë që duhet t’i përshtaten këtij vendi me kaq histori të bukur. Këtë  e them për Butrintin, por në Tiranë sigurisht mund të shfaqet me disa korrigjime të kohës. Koha ecën, ecën dhe ajo sjell ndryshime të domosdoshme.

 

Në këto festivale, ke mësuar diçka të re si aktor?

Sigurisht po, po madje shumë. Çdo shfaqje ishte një leksion më vete për mua. Pra, kam mësuar shumë gjëra që teatri ka sjellë risi në botë. Çdo Festival për mua është një leksion edhe si aktor, edhe si regjisor, por edhe si menaxhues arti.

 

Ju në këtë festival kishit disa komedi. Si regjisor komedish, a do të mundni ju vetë të sillni një shfaqje të këtij niveli?

Arti është provë, sprovë. Ne kemi rënë në kontakt me shumë trupa teatrore nga gjithë bota, me trupa të vogla dhe të mëdha, me trupa nacionale dhe indipendente. Që të hyj në këtë garë, duhet të mendohem mirë. Duhet të përgatitëm emocionalisht, artistikisht me të gjitha versionet që duhen, që kërkon koha. Duhet të gjej mjetet shprehëse. Për kohën, ne kishim bërë shumë për komedinë, por koha ka ecur në zhvillimet e saj artistike. Por sot, sot, ah, duhet të punoj shumë, shumë dhe të studioj shumë të sjell një komedi të nivelit bashkëkohor...

Ne kemi pasur shumë artistë të mëdhenj që dhe ju vetë e thatë i keni pasur në festivalet e para. Këta artistë a do ishin po aq të mëdhenj dhe sot?

Kadri Roshi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Roland Trebicka, Violeta Manushi, e shumë të tjerë do ishin dhe sot të mëdhenj, pasi ata kishin brumin. Pra, brumi i tyre ishte i nivelit të lartë, ku çdo regjisor edhe sot mund t’u besonte rolet nga më të vështirët. Po ekziston brumi i mirë, bukën e bën siç e do, në çfarë forme dhe në çfarë madhësie e do.

 

Diku “Artisti i Popullit” , Reshat Arbana përmend se drama “Arturo Ui”, në atë kohë është luajtur më mirë dhe se trupa e Beogradit. Cili është mendimi juaj për këtë dramë të asaj kohe?

Ah, drama “Arturo Ui”, mbetet një shfaqje e madhe që dhe sot në Butrint do të qëndronte shumë mirë. Mbetet një nga shfaqjet më të suksesshme të Teatrit Kombëtar dhe të regjisorit  të madh Pirro Mani. Mbetet një nga ngasjet e tij më spektakolare. Unë kam qenë pjesë e kësaj shfaqjeje në fillim të saj si prezantues dhe e them me bindje që puna, mobilizimi, bashkëpunimi, përgjegjësia, mënyra e aktivizimit, mënyra e gjetjeve regjisoriale, mbeten nga më të shkëlqyerat në historinë e teatrit shqiptar. Ajo shfaqje e madhe pati një mangësi, pasi nuk pati rast të ballafaqohej me botën, pasi ai sistem ishte. Ne nuk dilnim jashtë për konkurrim. Ishte një shfaqje e madhe me artistë të mëdhenj dhe me një regjisor të madh. Ndërsa për shfaqje reale sot në Butrint, mund të them se ajo ishte një shfaqje me shumë skena dhe nga ana teknike ajo ishte shfaqje në rotativ, shfaqje e cila nuk mund të realizohej.

 

Ku ndihet më mirë Alfredi, si aktor, regjisor apo si organizator festivali?

Në situata që kanë qenë shpesh sa të favorshme, po aq dhe të  pavaforshme, sa për një arsye, po aq dhe për një tjetër, unë jam ndjerë shumë mirë në rolin e organizatorit, nga pikëpamja e rolit që ka pasur Festivali “Butrinti 2000” për vendin tonë. Kur shikoj sesi flasin të huajt për Butrintin, për atë teatër të lashtë me vende ulëse gurët e mëdhenj, ngelem i mrekulluar. Të gjithë pa përjashtim flasin për Butrintin si për një Zot të madh, të pazëvendësueshëm.  Një aktor maqedonas shumë i mirë, i cili erdhi për herë të parë në Butrint në vitin 2003, u ngrit në një konferencë shtypi dhe tha: “Unë vij për herë të parë në këtë vend, por në Butrint, në këtë qytet antik ka shkelur vetë Zoti, e ka prekur me dorë dhe e ka bekuar. Vallë a do kem rastin të vij prapë unë të luaj në këtë vend?”. Por këto fjalë i thonë të gjithë, të gjithë sa vijnë në Butrint. Pra, nga kjo pikëpamje them se kam bërë diçka për atdheun tim, për emrin e tij të panjohur, kur kemi gjëra kaq të bukura.

 

Ju keni luajtur me të gjithë  aktorët e mëdhenj shqiptarë, çfarë do thoni për atë plejadë që nuk jeton më? A ju kanë ndihmuar dhe çfarë ndjeni sot për ta?

Unë dhe brezi im keni pasur fatin që në Teatrin Kombëtar të kemi gjetur aktorë të përmasave të mëdha që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë. Unë të gjithë këta gjigantë i gjeta në teatër.  Isha një djalosh i ri, që erdha nga Gjirokastra pas rolit të Vlashit. Këta kolosë pa përjashtim, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Prokop Mima, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, etj... Mbaj mend që ishte dhe një aktor i ri shumë i ri të cilin e pëlqeja jashtë mase, Bexhet Nelku, i cili kishte luajtur tek një dramë e Fadil Paçramit. Ishte brilant, por vdiq shumë i ri, 30 e ca vjeç.  Të gjithë këta, na kanë mësuar pa asnjë hezitim, por dua të veçoj Prokop Mimën.

Pse Prokop Mimën?

Atë njeri e kam pasur njeri të zemrës, sepse i donte dhe i përkrahte shumë të rinjtë. Veçonte nga të tjerët në këtë drejtim. Ai vdiq i ri dhe na la plagë. Ai kishte disa parime të palëkundshme të tij që për kohën ishin shumë të vyera. E folura e tij skenike, apo shqipja siç e thoshte ai, ishin  deri në muzikalitet. Ai fliste aq bukur, aq pastër, me një diksion aq shprehës sa të mahniste. Nuk kam parë dhe nuk kam njohur aktor ta fliste aq bukur, pastër dhe me dashuri gjuhën shqipe. Në këtë drejtim, ai nuk të falte. Ai ishte një Fan Nol i një lloji tjetër. Ishte i jashtëzakonshëm. Ne e kishim ëndërr të flisnim shqipen tonë në atë mënyrë elegante sa Prokop Mima. Ishte ekzigjent deri në detaj. Shqipja në gojën e tij dukej sikur këndohej, jo sikur flitej. Një muzikalitet përrallor, deri në përsosje. Një gjë e tillë nuk shihet sot tek asnjë aktor. E them me keqardhje tek asnjë, pa diskutuar edhe mua që flas. Do të doja shumë t’i ngjaja në këtë pikë atij artisti të madh dhe të dashur. Ai për gjuhën nuk të falte, e kishte brenda vetes si gjënë më të çmuar. Fjala në teatër është e para. Pra, këtë fjalë ai e qëndiste në mënyrën më të bukur të mundshme. Sot shkon në teatër dhe dëgjon ndonjëherë një shqipe që s’e kupton. Ky është ndryshimi. Ishte i vetmi në llojin e tij. Kadri Roshi kishte plastikën, Prokopi kishte gjuhën artileri të rëndë. I papërsëritshëm...

Çfarë veçon tek Viloeta Manushi?

Një aktore e humorit tepër e rrallë. Ajo rolin e sillte tërë art. Unë me të kam lozur role si partner, por dhe si regjisor e kam pasur në dy vepra të miat “Valsi i Titanikut” dhe “Pallati 176”. Mbetet unike...

 

 

RRËFIMI

 

“Si regjisor kam shumë pengje”

“Sigurisht, si regjisor kam shumë pengje. Kam arritur të bëj më të mirën, por kjo nuk do të thotë se ky është fundi. Nuk jetohet vetëm me të kaluarën. Duhet të gjej shtigje të reja. Mua edhe sot më flasin “Vlashi” me emrin e një personazhi në filmin “Pylli i lirisë”, por kjo nuk do të thotë se me atë rol kam bërë gjithçka. Gjithkush duhet të lërë shenjë në jetën artistike. Por koha evoluon dhe dëshirat na rriten. Kam dëshirë të bëj si bashkëregjisor një komedi tjetër me atë sukses të “Pallati 176”, por të risjellë në kohë. Dikur kisha një komedi tjetër të një autori rumun, që e kisha prezantuar dhe në Teatrin Kombëtar, por nuk m’u dha mundësia ta vija në skenë. Dëshira është për një shfaqje tjetër si regjisor dhe besoj se koha më premton. Edhe si aktor, edhe si regjisor nuk kam një ide fikse, që dua të luaj këtë rol apo të vë në skenë këtë komedi. Jo thjesht të mendoj si të eci. Si aktor, kohët e fundit jam aktivizuar në dy role, i pari Hamleti tek një pjesë e Çapalikut dhe kam qenë me një projekt në Shkup, me një treshe aktorësh si Bajrush Mjaku (aktor shqiptar në Shkup), dhe Sabetin Shahiqi i Kosovës. Luajtëm në pjesën “Kërkohet një kloun plak” ku ne ishim tre klounë pleq, të cilët bashkohemi në interes të fabulës së pjesës”.

 

Krahasimi me ata grekë

 

“Aktorët tanë, larg

interpretimit modern”

 

Trupa e Athinës që luajti “Ëndrra e një nate vere”, erdhi me 6 aktorë. Më vjen shumë keq, kur shihja aktorët grekë dhe i krahasoja me ata të Tiranës. Tanët janë larg interpretimit modern. Pra, të rinjtë tanë duhet të marrin mësim nga aktorët e një kompanie teatrore indipendente greke. Ishin mbledhur nga krahina të ndryshme të Greqisë dhe nuk kishin mbështetje  as nga shteti, as nga ndonjë firmë e fuqishme me pasuri, por ata mbështetjen e kishin tek përgatitja e tyre, tek formimi i gjithanshëm, tek vizioni, tek konceptet e tyre moderne për teatrin. Një aktor i binte mandolinës, tjetri saksit, tjetri kitarës, një vajzë kërcente balet, të gjithë në harmoni. Regjisori kishte punuar me një koncept ndryshe dhe tepër me kurajë. Nuk kishte dekor, kishte pak elementë dhe maska, por kishte një disiplinë, një harmoni, një ndihmë tek njëri-tjetri (vishnin, zhvishnin) me një precizon befasues.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: