Zeqiri kopja e Ronaldos (Foto)...merkato e Kukësit “alarmon" moldavët

Zeqiri kopja e Ronaldos (Foto)...merkato e Kukësit “alarmon" moldavët
Një ditë pasi mësoi emrin e kundërshtarit në Champions, Kukësi prezantoi tre blerje të bujshme. Përballë ekipit moldav, Sheriff Tiraspol, në raundin e dytë të Champions, ekipi kampion i Shqipërisë do të ketë dy lojtarë, ndër më të dalluarit e kampionatit shqiptar, Hair Zeqiri dhe Rustem Hoxha.  Mesfushori vlonjat Hair Zeqiri u prezantua dje me fanellën e Kukësit, duke u rikthyer te verilindorët pas sezonit të parë që kaloi me këtë ekip, 2014-2015.

Zeqiri, prezantimi te Kukësi, përveç se u shfaq me syze si Ronaldo, do të ketë edhe numrin 7. Tani atij i mbetet të thirret edhe "HZ-7" 

Ronaldo, me "look"-un që besohet se ka frymëzuar mesfushorin e Kukësit, Hair Zeqiri

Zeqiri, 28-vjeç, nënshkroi një kontratë 1+1 me kampionët e Shqipërisë dhe do të mbajë fanellën me numrin 7-të, të njëjtin numër që mban edhe Cristiano Ronaldo. E veçanta e prezantimit është se vlonjati është shfaqur edhe me të njëjtin “look” si asi portugez i Realit, çka ia ka shtuar sadopak “drithërimat” kundërshtarit moldav, Sherif Tiraspol.

Përforcimi i dytë i rëndësishëm i Kukësit ka qenë mbrojtësi Rustem Hoxha. Ish-kapiteni i Teutës, 25-vjeç, ka arritur po ashtu një marrëveshje 1+1 me klubin verilindor dhe u prezantua sot në zyrat e klubit kampion.  Kukësi synon kalimin e raundit të dytë kualifikues të Champions, ndërsa objektivi madhor i këtij sezoni në Europë është arritja e fazës së grupeve të Europa League.

Ish-kapiteni i Teutës, Rustem Hoxha, prezantimi i djeshëm nga Kukësi

Pas dy lojtarëve, Hair Zeqiri dhe Rustem Hoxha që erdhën nga Teuta dhe Flamurtari, Kukësi ka prezantuar zyrtarisht para mediave mbrëmjen e djeshme edhe blerjen e tretë të merkatos së verës. Mbrojtësi spanjoll Albert Serran, 32 vjeç, i shoqëruar nga menaxheri i klubit verilindor, Naim Halili, ka qenë më herët pjesë e klubeve të njohura si Espanyol në Spanjë, apo edhe Swansea në Angli.

Prezantimi i Albert Serran, 32 vjeç, i shoqëruar nga menaxheri Naim Halili

Në vitet e fundit, ai ishte pjesë e disa skuadrave të njohura në Qipro. Pas prezantimit me Kukësin, ai shpjegon edhe arsyet se përse zgjodhi  për të vazhduar karrierën te kampionët në Shqipëri.

“ Kukësi më dha mundësinë për të luajtur në Champions League. Që kur kam qenë fëmijë kam ëndërruar të luaj në këtë kompeticion dhe kjo është një arsyet se përse unë jam këtu. E njoh historinë e klubit dhe e di që jam bërë pjesë e një skuadre që ka kaluar tre ture në Europë përpara disa sezonesh. Prej vitesh Kukësi është në majat e futbollit shqiptar dhe këtë vit ja doli të fitonte edhe titullin kampion, jam i lumtur për këtë fakt sepse jam bërë pjesë e një prej skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar”.

Spanjolli beson se Kukuësi do taa kalojë ruandin e dytë të Champions përballë Sheriff Tiraspol të Moldavisë. - “Në Champions League nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të jemi kompetitv, të japim më të mirën tonë në këtë kompeticion. Shorti deri diku ka qenë i favorshëm për ne dhe mendoj se i kemi shanset për ta kaluar raundin e 2-të. Megjithatë para së gjithash unë dua të njoh shokët e mi të skuadrës dhe të shoh nga afër gjendjen e ekipit. Me Kukësin kam firmosur një kontratë 1-vjeçare me opsioni rinovimi edhe për një tjetër sezon,” – theksoi mbrojtësi spanjoll.

Menaxheri Naim Halili premtoi se te Kukësi në ditët e ardhshme do të afrohen të tjerë futbollistë cilësorë, njëri prej të cilëve mesfushori izraelit Siraj Naser.

Albi Alla, sipas Naim Halilit është ende në kontratë me Kukësin dhe ai mbetet futbollist i skuadrës verilindore

Këto ditë presidenti Safet Gjici është në fushatë elektorale teksa kandidon për deputet, ndërkohë menaxheri Halili thotë se mbështetja e presidentit vazhdon maksimalisht për përgatitjet e ekipit kampion, në Champions League.

aranit muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: