Termat e munguara të fushatës, për çfarë nuk u fol ndër fjalime

Termat e munguara të fushatës, për çfarë nuk u fol ndër fjalime
Eglantina Nasi

“Integrimi në BE”, “sporti”, “çështjet sociale”, “personat në nevojë”, “mjedisi” dhe shumë koncepte si këto, i dëgjuam të përmenden shumë pak ose fare në fjalimet e liderëve politikë gjatë kësaj fushate elektorale. Duke mbetur kësisoj terma të munguara të saj. E kësisoj, pa përgjegjësinë e përmbushjes së ndonjë premtimi rreth tyre gjatë katër viteve të ardhshme...

***

Ato mund t’i quajmë fare mirë “termat e munguara” të kësaj fushate elektorale, pasi nuk janë përmendur thuajse fare në fjalimet e liderëve politikë. Fjala është pikërisht për disa koncepte, të cilat nuk kanë zënë vend fare në përballjen e liderëve të politikës me elektoratin, para zgjedhjeve të 25 qershor 2017. Koncepte këto, me të cilat në fakt, po t’u rikthehemi fushatave të mëparshme, mund të sjellim ndër mend se jo vetëm që ishin në qendër të fjalimeve të liderëve politikë, por madje, shpesh ato vendosnin për ndryshimin e kursit të votës së elektoratit nga njëra forcë politike, tek tjetra. Një i tillë për shembull është ai i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një kartë e luajtur fort kjo pak vite më parë nga politika vendase, sidomos para realizimit të liberalizimit të vizave me zonën Shengen. Ku kjo e fundit shërbeu si një masë konkrete për popullatën shqiptare, që ta kuptonte realisht se çfarë ishte në të vërtetë integrimi në BE si i tillë. Por që gjatë kësaj fushate, mesa duket, nuk ka qenë aspak në qendër të vëmendjes së politikës, përveçse ndonjë përmendjeje të tij shkarazi dhe thjesht si një shtojcë e fjalimeve rutinë të përfaqësuesve të saj. Kjo ndoshta e lidhur edhe me faktin se koncepti i integrimit, me kalimin e viteve është keqpërdorur nga politika teksa ia ka servirur “me mbidozë” popullit të saj, teksa ka qenë po vetë ajo, e cila e ka dëmtuar ecurinë e tij me ulje-ngritjet e zhvillimeve të saj.

Nga ana tjetër, ajo që ka rënë në sy gjatë kësaj fushate elektorale ka qenë edhe mungesa e trajtimit në detaje të çështjeve sociale si të tilla, edhe këto një “armë’ e fortë deri më sot në duart e politikës jo vetëm për të bërë fushatë, por edhe për të fituar zgjedhjet. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se përveç shigjetimit të mënyrës sesi është ndarë deri tani ndihma ekonomike, nga liderët e politikës, thuajse nuk është marrë fare në analizë problematika e kategorisë së personave në nevojë, të tillë si invalidët (për të cilët në fushatën e fundit u fol dhe u premtua shumë). Por as edhe me kategori të tilla si romët apo egjiptianët, etj. Teksa çështja e pakicave dhe minoriteteve si e tillë përmendet nga politika vetëm kur ata shkojnë për takime elektorale në fshatrat e Dropullit dhe të Sarandës e vetëm kaq. Sikundër, edhe çështjet e pensioneve janë përmendur vetëm shkarazi, përmes shifrave simbolike sesa do të rriten ato, por pa dhënë asnjë plan të detajuar sesi do të realizohet një gjë e tillë. Por as shoqëruar me ndonjë masë konkrete sesi do të ndihmohet mosha e tretë në katër vitet e ardhshme të qeverisjes. Madje edhe për rininë, që përmendet kaq shumë në fjalimet e politikanëve në këtë fushatë, përsëri nuk ka një strategji të detajuar sesi do të ndihmohet realisht ajo dhe si do të krijohen mijëra vende të reja pune të premtuara rreth saj.

ANKESA

“70% e partive i kanë anashkaluar çështjet e mjedisit”

Organizatat mjedisore në vend, para pak ditësh kanë ngritur publikisht shqetësimin se partitë politike sipas tyre, nuk i kanë trajtuar fare gjatë kësaj fushate elektorale çështjet e mjedisit. “Ata të mendojnë qartë dhe saktë se si do të ecet me zhvillimin ekonomik të ardhshëm. Por që të eliminosh pasuritë e vendit, të krijosh ndotje të mëdha, të krijosh situata mjedisore që sjellin sëmundje të mëdha, ose humbje jetësh njerëzish, të gjitha këto ndikojnë në zhvillimin e një vendi. Mos kërcënohet zhvillimi ekonomik nga borxhet dhe degradimet mjedisore”, ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, Xhemal Mato i organizatës “Ekolëvizja”. Ndërsa ka pohuar se mbi 70% e partive politike tyre nuk kanë asnjë detaj për apo plan për mjedisin, në katër vitet e ardhshme.

DUKURIA

Çështjet shëndetësore, më pak të diskutuara se më parë

Ju kujtohet? Shëndetësia falas, ishte një nga argumentat kryesore që u përdor gjatë fushatës së fundit, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Por që këtë herë, nuk është se ka patur të njëjtën peshë në fjalimet dhe programet elektorale. Madje mund të thuhet se çështjet dhe problematikat që shqetësojnë sektorin e shëndetësisë nuk janë më në qendër të tyre. Duket se liderët politikë kanë zgjedhur të mos flasin rreth tyre, apo detajeve konkrete sesi do t’i zgjidhin ato në katër vitet e ardhshme. Nga ana e tyre, përfaqësues të mazhorancës së majtë mjaftohen duke përmendur vetëm faktin se ata kanë nisur të zbatojnë reforma dhe të realizojnë ndryshime në këtë sektor, porse nuk shkojnë më tej se kaq, për të thënë se kur do të ketë vërtet një shëndetësi falas në vend dhe se si do të përmbyllet njëherë e mirë reforma shëndetësore si e tillë.

SEKTORËT

Sporti, kultura, madje edhe turizmi, pak të përmendura

Sporti dhe kultura, janë dy sektorë të tjerë, të cilëve liderët e politikës u kanë dhënë një pozicion “në stol rezervë” gjatë kësaj fushate elektorale. Të zënë më shumë me termat ekonomike, duket se ata i kanë anashkaluar ato, për të mos u marrë konkretisht në bisedat me elektoratin se çfarë do të bëjnë konkretisht gjatë katër viteve të ardhshme për përmirësimin e tyre. Duke i konsideruar ndoshta si sektorë të cilët nuk “prodhojnë para”, apo edhe “vende pune” me të cilat mund të joshin qytetarët, sporti dhe kultura mbeten kësisoj terma të munguar të fjalimeve elektorale. Madje, edhe kur është folur për turizmin, mund të thuhet se kjo është bërë më shumë duke përmendur arritjen e uljes së TVSH-së për këtë sektor në masën prej 6% sesa për strategji apo planifikime sesi ky sektor i rëndësishëm i ekonomisë do të zhvillohet në mandatin e radhës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: