TË JESH A TË MOS JESH… DELE!-NGA SONILA MEÇO

TË JESH A TË MOS JESH… DELE!-NGA SONILA MEÇO
NGA SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Sa më pak ide të ketë në qarkullim, aq më pak të zellshëm jemi për t’i ndryshuar. Këtë qasje të elektoratit ndaj ofertës politike e kanë tretur mirë për këtë fushatë strategët e saj, derisa në fjalimet që përcëllojnë neuronet në zheg, ka vetëm hakërrime, sharje, fyerje, denigrime dhe, thuajse, asnjë ide. Sidomos nga ata që konsumuan pushtet në katër vitet e fundit.

Përpos mungesës totale të bilancit qeverisës, programet as nuk diskutohen, përballen apo analizohen. Gara bëhet për batutat, shakatë me dhe pa kripë, ndërsa vëmendjen e tërheqin aksesorët dhe simbolet në veshjen e atyre që kanë pushtuar foltoret. Sipërfaqësore sa për të thyer kafkën, nëse i hyn me kokë programeve, tashmë pranohet pa pikën e turpit se kjo fushatë elektorale nuk është çështje përmbajtjeje, por sistemi, se nuk është çështje motori ekonomik, por timoni pushteti.

Kryeministri na ftoi t’i hyjmë arkivave të kongresit për të lexuar manifestin e PS-së për katër vitet e ardhshme. Por edhe në mungesë të bilancit, që reforma dhe shtet serioz nuk është bërë në këto katër vjet, e pranon vetë kreu i qeverisë gjysmë politike e gjysmë teknike. Duke ia faturuar pa asnjë pendesë dështimin aleatit qeverisës, por që, në fund të ditës, është dështim në radhë të parë i atij që ka drejtuar kabinetin. Atij që, me sa duket, duhej të kish ngritur vetë një çadër para selisë së aleatit për shtetin që nuk e la të ndërtonte e për largimin e tij nga koalicioni.

Sistemi i premtuar katër vite më parë, i mbështetur me 1 milion vota nga shqiptarët, pranohet nga vetë kryeministri si i dështuar tashmë; madje, një sistem i kapur, duke mos lejuar që administrata të funksionojë si një makineri shtetërore. Kësisoj, aleanca e 1 milion shuplakave të cilën e votuan shqiptarët me bindjen për të bërë ndryshimin, dështoi në bërjen e shtetit. Pra, pavarësisht se e ka konstatuar këtë avari në sistem, kryeministri, deri para dy muajsh, jepte siguri - me dhjetë gishta - se do ta vijonte mbajtjen në këmbë të tij, duke e tërhequr edhe zvarrë po të jetë nevoja për katër vite të tjera. Megjithatë, duke ia lënë benefitin e dyshimit deri në fund, se ka kërkuar t’i rezistojë diametrit të “tepsisë” - pagëzimi i shtetit sipas fjalorit kryeministror - kreut të qeverisë ende nuk i bëhen pyetjet bazike që nisin e mbarojnë me tepsinë(ekonominë) që iu dha shqiptarëve për katër vjet. Ja një nga produktet e kuzhinës së pushtetit, servirur nga kazanët - mediat sipas fjalorit kryeministror - që citojnë institucionet ndërkombëtare:

Të ardhurat e Shqipërisë për vitin 2016, ishin sa 30% e mesatares së BE-së, po aq sa në vitin 2012. Teksa vendet e tjera të rajonit shënuan rritje të ndjeshme, duke e lënë shumë pas vendin tonë. Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia, duke zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit, në raport me Bashkimin Europian. Përmirësime me 3 pikë përqindje, bëri edhe Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Vetëm Serbia ka shënuar ulje me një pikë përqindje. Prej vitit 2012, procesi i konvergjencës - që nënkupton një rritje më të shpejtë të Shqipërisë në raport me shtetet europiane, në mënyrë që t’i afrohemi gradualisht mesatares së BE-së - është përkeqësuar. Që prej vitit 2016, në renditjen totale të vendeve të BE-së dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes së përbashkët europiane, Shqipëria është e fundit. Edhe Bosnje-Hercegovina që ishte e fundit në këtë renditje, e ka lënë pas Shqipërinë në vitin 2016. Shqipëria ka ndërkohë dhe pagën minimale më të ulët në Europë, jo vetëm në vlerë absolute, por edhe të matur sipas fuqisë blerëse.

Do të mjaftonte një tregues si ky, që bilanci katërvjeçar të alarmonte çdo drejtues qeverie e të shqetësonte çdo shqiptar. Do të mjaftonte kjo “tepsi” e mangët që nuk shuan dot urinë e shqiptarëve, që çdo drejtues qeverie të mbante përgjegjësi në emër të përveçëm e më pas si pjesë koalicioni. Por shtuar edhe pranimin duarlart të dështimit të sistemit që u premtua të ndërtohej katër vjet më parë, atëherë elektorati nuk ka nevojë as për manifest e as për t’u përvëluar në zhegun e qershorit për të dëgjuar premtimet e radhës. Ka dështuar shteti, politikisht, ligjërisht, ekonomikisht!

Mirëpo, në këtë dështim të vërtetuar tashmë, çfarë lëngon është mënyra si na trajtojnë si popull, si elektorat. Herë të vetëstigmatizuar, çdo herë të fyer e mashtruar, ndajmë në panoramën e fshatit tonë të madh, herë imazhin e deles e herë të pulave.

Kjo është shndërruar tashmë në profeci vetëpërmbushëse, duke qenë strategjia e vetme elektorale për të bërë votën të parëndësishme për ata që demokracinë e llogarisin vetëm në marifetet e numërimit. Një lloj vetëbindjeje që na është krijuar nga mënyra se si e kanë programuar sistemin tonë të të menduarit e gjykuarit, duke kapur median dhe mjetet e tjera të komunikimit. E kemi bindur veten se sillemi si turmë, se jemi dele përballë të cilave ujqit vendosin se ç’do hanë për drekë, se jemi të paaftë për të ndikuar politikat, se meritojmë qeveritë që kemi mbajtur në këmbë dhe kjo feste e shkalur, i rri më së miri kësaj koke populli.

Por, nëse nuk i nënshtrohemi programimit malinj të mënyrës sonë të të votuarit, mund të dallojmë arsyet pse perceptimi për veten po zhbën rëndësinë e votës. Sjellja elektorale, mënyra si gjykojmë teksa bëjmë zgjedhjen tonë, është e ndikuar fort si nga periudha e diktaturës, ashtu edhe nga tranzicioni që ende nuk ka mundur t’i japë fund kapjes së shtetit. E në këtë kapje, gjithë makineria propagandistike ndërtohet për të projektuar sjelljen elektorale, në atë mënyrë që fajtori i situatës ku ndodhemi, të ndihemi ne. Siç e thosh një kokë e mençur dhe e urtë: Nëse gjykon një peshk nga aftësia për t’u ngjitur në një pemë, do të besojë gjithë jetën se është budalla. Të kredhur në varfëri, me arsimin dhe kulturën në lëngim, na kanë lënë si peshku pa ujë, për të ngjitur një pemë pa kokrra, duke u vetëstigmatizuar si budallenj, si popull i mbrapshtë e i keq.

Një elektorat i frustruar nga trashëgimia e diktaturës, - një tranzicioni që përmbysi çdo sistem vlerash, që shkatërroi arsimin e kulturën me improvizimet e një amalgame politikash neoliberale në një shtet të varfër, të korruptuar e të kapur, - nuk ka mundur të orientojë zgjedhjen e tij. Në një vend tjetër ku demokracia funksionon e nuk është një krijesë e shfytyruar si jona, elektorati vendos mbi bazën e politikave publike, rezultateve të qeverisë, karakteristikave personale të kandidatëve, orientimit ideologjik, gjendjes së ekonomisë, klasës sociale së cilës i përket... I informuar nga mediat, ndikuar edhe nga sondazhet ku gjithsesi edhe prej kulturës së gjatë të tyre, sërish, mbeten objekt i fortë debati për besueshmërinë.

Përpos mungesës së një procesi të ngjashëm në sjelljen elektorale shqiptare, sot, në mbulimin mediatik të fushatës, njerëzit dëgjohen më pak, ose aspak. Në takimet elektorale zë vend fyerja, sharja, kërcënimi, hakërrimi prej gojës së liderëve që në katër vjet i provuan të tëra, bashkimet e pamundura, ndarjet plot urrejtje, tundimet e paimagjinueshme. Asnjë mundësi për elektoratin të shprehet, të marrë pjesë në ballafaqime. Asnjë mundësi të shohë një përballje kandidatësh, duke u shurdhuar mes zhurmnajës së akuzave në distancë të palëve dhe parashikimit të analizave të përnatshme, në studio televizive.

Bredhja e liderëve kryesorë nga një skenografi në tjetrën, vetëm sa forcon perceptimet mbi atë çfarë dihet, duke mos i lënë asnjë vend syhapjes së publikut ndaj ofertës elektorale. Lideri kërkon vëmendje, shfaq ekzibicionizëm, mashtron hapur, shmang përballjet, manipulon, fokusohet tek loja politike dhe jo rezultatet e punës. Fitorja është gjithçka e në funksion të saj, është i gatshëm të negociojë gjithë çfarë mbetet. Paranojak, - nuk i beson askujt, - duke fshehur kësisoj një sens inferioriteti. Sikur të mos mjaftonte kjo sjellje e liderit që vendos edhe për përfaqësuesit e tjerë në listat e mbyllura të deputetëve, duke mos i lënë mundësi publikut të ndjehet pjesëmarrës në proces, elektorati nuk përfshihet në debate publike, nuk merr informacionin e duhur për partitë, politikat, kandidatët, për të bërë një zgjedhje në kushte mirëinformimi.

Në këtë situatë që ka tejkaluar çdo afat teorik e praktik të konsiderimit tranzicion, që mban ende në skenë politikanë të hurit e litarit, pa një bosht ideologjik, të krimbur nga një sistem i ndryshkur, i pranuar tashmë edhe nga njeriu që ka në pushtet prej 1998-ës, me një shkëputje vetëm dyvjeçare 2011-2013, elektorati i është nënshtruar profecisë vetëpërmbushëse se është ai problemi i vërtetë i demokracisë në Shqipëri. Se ai prodhon liderë autokratë, pa një program, pa ide, pa vizion, por vetëm si pushtetmbledhës, të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, votë, ideologji, aleatë e miq në emër të pushtetit, tashmë atij absolut. Asnjë rol nuk ka qytetari në kontrollin e pushtetit, as pyetet e as dëgjohet, nuk ka të drejta, injorohet, përbuzet. Mes tij dhe pushtetit, nuk funksionojnë as media, as shoqëria civile, nuk dëgjohen as ekspertë. Një errësirë e lodhshme ku dallohet vetëm një siluetë, ajo e liderit, pa asnjë dritë mbi ekipin e tij, platformat, kandidatët për deputetë, pa audio për njerëz me mend që mund të artikulojnë ide. Ndaj, nuk ka mënyrë tjetër veçse të dalim nga ky qerthull i ndërtuar makiavelisht, të mësojmë veten të pretendojmë më lart, më shumë. Asnjë kompromis me çfarë na takon për një jetë dinjitoze. Nuk jemi turma, por individë. Me pritshmëritë dhe jetën tonë! Me të drejtën për tu respektuar e dëgjuar! Me lirinë e zgjedhjes së më të mirës e jo të keqes më të vogël, me mundësinë e pjesëmarrjes si privilegj që e garanton demokracia, - sado hibride, e paplotë, me vese e moral të shprishur. Me idenë se delet rreshtohen lehtë, do të jemi një letër më shumë në kutinë e votimit.

Çdo pushtet absolut që kërkon të ndërtohet përmbi maskaradën e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e bën edhe më të pavlefshme votën prej arrogancës dhe shpërfilljes që krijon ndaj publikut, duke e numëruar si dele në vathën që ruan vetë. Ndaj, përpara se të na përzënë nga ky vend si individë, për të na mbajtur në rresht thjesht si turmë, le t’ua kujtojmë atyre që duan pushtet absolut, shprehjen e famshme se “Politikanët janë si pelenat, duhen ndërruar rregullisht dhe për të njëjtën arsye”. Përndryshe, kush percepton veten si dele, do të jetojë gjithë jetën me frikën se do ta hanë ujqit të cilët nuk shqetësohen kurrë për numrin e deleve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: