Sot festa zhvendoset në Bulevardin e Ri të Tiranës

Sot festa zhvendoset në Bulevardin e Ri të Tiranës

I konsideruar si “stolia e Tiranës së gjeneratës tjetër”, segmenti i parë i Bulevardit të Ri sëbashku me parkimin nëntokësor ka përfunduar dhe është gati për t’u hapur sonte në orën 20:00 përmes një koncerti fantastik të organizuar nga Bashkia e Tiranës .

 Organizatorët kanë menduar që festa të zhvendoset sot nga sheshi “Skënderbej” ku çdo natë ka pasur aktivitete të pasura muzikore, tek Bulevardi i Ri.

 Në koncert do të marrin pjesë tre nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, Juliana Pasha, Olta Boka dhe Kejsi Tola që sëbashku me bandën muzikore që i shoqëron, garantojnë një spektakël të vërtetë.

 Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë sot të pranishëm në një tjetër mbrëmje të paharrueshme për kryeqytetin.

"Një kryevepër për Tiranën tonë, takohemi të gjithë aty bashkë me Juliana Pasha, Olta Boka e Kejsi Tolën!", shkruan Veliaj.

 Bulevardi i Ri sjell zgjidhje afatgjatë për zhvillimin e qytetit, në lidhje me transportin, trafikun, infrastrukturën urbane. Projekti i Bulevardit Verior dhe Parkut Qëndror të Tiranës është një ndër projektet më të rëndësishme strategjike të Bashkisë Tiranë dhe administrata e re i ka vendosur nivelin maksimal të vëmendjes, duke e kthyer në një projekt real, të prekshëm dhe me impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe komuniteti i biznesit. Gjithashtu, një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor me kapacitet mbi 300 vende i pajisur dhe me pikë të karikimit të makinave elektronike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: