Portugalisë i mjafton Kristiano Ronaldo kundër Rusisë

Portugalisë i mjafton Kristiano Ronaldo kundër Rusisë
Një gol i Kristiano Ronaldos i ka mjaftuar Portugalisë për të mundur 1-0 Rusinë organizatore në Kupën e Konfederatave dhe për t’iu afruar më shumë gjysmëfinaleve të turneut.

Sulmuesi shënoi që në minutën e 8 golin që vendosi ndeshjen ku Portugalia dominoi dhe vetëm në fundin e saj u rrezikua nga skuadra vendase, e cila me formën që po kalon mund të kthehet në një nga zhgënjimet më të mëdha jo vetëm të këtij turneu, por edhe të Botërorit që pret në shtëpi në vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, Ronaldo vazhdon të prodhojë statistika të frikshme, të cilat konfirmojnë se ndoshta ky është viti më i mirë i karrierës së tij. Goli i shënuar sot për të ishte i 31-ti i vitit 2017, në 31 ndeshje të luajtura, një mesatare prej një goli për ndeshje që është e rrallë të arrihet në nivelet në të cilat luan portugezi. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: