Nga fryn era!

Nga fryn era!
Nga Juela Meçani

Pavarësisht se arti dhe sporti nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikën, është më se e pranueshme që, si njerëz të lirë që janë, edhe artistët ose sportistët, të njohur ose më pak të njohur, të kenë preferencat e tyre politike. Dikush prej tyre zgjedh, madje, të shkojë edhe më tej, të angazhohet në vetë të parë; dikush zgjedh, thjesht, të ketë preferenca e ta shprehë me votë ose me ndonjë reagim publik në rrjetet sociale. Deri këtu, jemi të gjithë në rregull!

Artisti, sportisti, fytyrat publike të ekranit apo modës, kanë në të gjithë spektrin e ndodhive shqiptare, një avantazh të madh, madje, mund ta quaja luks. Ata mund të jenë të pavarur shpirtërisht, mund të jenë gjykues me të gjitha krahët, ata mund dhe duhet të jenë rebelë. Mund t’i shmangin shumë mirë klanet e komplotet. Ose t’i minimizojnë të paktën se t’i anulojnë plotësisht, është utopi. Por, ndërkohë, këtë luks e avantazh nuk duan ta vlerësojnë e kjo ndodh sa herë jemi në prag të fushatave elektorale. Sipas kaheve të pushtetit, ndërrojnë edhe preferencat e artistëve dhe sportistëve, ose edhe më keq, e figurave të ekranit. Ju do të thoni, po a nuk ndodh me të gjithë kështu?

Sigurisht që ka ndërrime preferencash politike, sepse ndryshe do t’ishim në diktaturë, por tek një pjesë e artit dhe sportit vihet re se kjo ndodh tamam me ndërrimet e pushtetit, rrjedhimisht, të administratës, të projekteve; pra, të aseteve. Me ajër nuk mund të rrojnë as artistët e as sportistët, e kuptueshme kjo gjë. Por në rastin e tyre, ata janë një ndikues drejtpërdrejtë i masës, kanë një rol edukues më direkt e të rëndësishëm. Sigurisht që politika i përdor, vetëm kaq. Por ndërkohë që i përdor dhe ia lejojnë t’i përdori. Në një masë të gjerë, krijohet ideja se është normale që koka pragmatiste t’i diktojë dorës se ku të hedhë votën.

Një artist apo figurë ekrani, atëherë, pse e do lirinë e tij? Ku shkon deontologjia e artit pa parti, pa fe e pa gjini? Teksa i shikoj edhe portrete ekrani që nuk kanë pasur kurrë lidhje me politikën, shpërthejnë në reklama pro pushteteve e, më pas, çuditërisht, i shohim të kenë arritur ndonjë aset, mendoj, me shumë keqardhje, se sa keq kur edhe i fundit bastion i lirisë që është artisti, shkuaka nga fryn era!

Masa e gjerë dhe e varfër si dhe presioni i pushtetit, e marrka artin me vete dhe jo e kundërta! Ky është dorëzim dhe përdorim tek i vetmi grupim njerëzor superior (se arti dhe sporti superior janë), që e ka fatin dhe luksin t’i thotë jo manipulimit.

Në çastin kur edhe arti dhe sporti dorëzohen përpara interesit, e ndërrojnë bindje - që ndoshta kurrë nuk i kanë pasur - siç ndërrohen fustanet, atëherë shoqëria është në krizë të rëndë dhe bëhet shumë i vështirë çdo moralizim, mbi të gjithë pjesën tjetër që lufton për mbijetesë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: