NDARJE APO PËRMBYSJE TEPSIE?-NGA PLATOR NESTURI

NDARJE APO PËRMBYSJE TEPSIE?-NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ish aleatët janë shndërruar në kundërshtarët më të ashpër gjatë kësaj fushate. Ndonëse ende në bashkëqeverisje, e që deri dje quhej makinë me dy timona, tashmë PS dhe LSI kërkojnë çmontimin e gjithë çka kishin të përbashkët në gjithë mandatin katërvjeçar. PS dhe kryeministri Rama kërkojnë, më së paku, të heqin një timon si të tepërt nga qeverisja.

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që dy parti të të njëjtit spektër, edhe pse aleate pak më parë, gjatë fushatës elektorale të përdorin tone të ashpra dhe të merren më së shumti mes tyre sesa me kundërshtarin tradicional të së djathtës. Në fund të fundit, të dyja forcat politike operojnë brenda të njëjtit spektër dhe i kërkojnë votat dhe mbështetjen pikërisht tek elektorati i majtë. Votat e kësaj fashe të qytetarëve që e hedhin votën majtas, mbeten po ata, e numri i tyre nuk ndryshon. Ajo çfarë ndryshon është raporti dhe forca e partive të majta me njëra-tjetrën. Rritja e dikujt është ulje për tjetrën dhe anasjelltas. Ndaj, beteja e ashpër elektorale midis PS dhe LSI, më së pari, do të jetë se sa timonë do të ketë më së pari në elektoratin e majtë. Fuqizimi i njërës do t’i hiqte mundësinë tjetrës për të patur timonin e saj elektoral. Ca më tepër, pastaj, për qeverisjen. Jo vetëm timoni, por edhe frenat do të mbeteshin për muze.

Lufta për mbijetesë dhe se kush do të ketë dominimin e së majtës, është në fakt pjesa qendrore dhe ajo çka i bën të veçanta këto zgjedhje parlamentare. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë, pa asnjë, ekuivok synimin e tij. Kërkon një sistem bipolar të pastër, i pa bezdisur nga askush, ku përballë të ketë vetëm PD-në si përfaqësuese të së djathtës. Të tjerët s'kanë pse të jenë më pjesë e tepsisë qeverisëse.

Që pushteti ishte shndërruar si tepsi me pizza 4 stinët, me ndarje sipas shijeve të ndryshme, këtë e dinim prej kohësh, por çka nuk dimë është se si do të jetë më tej, pasi askush nuk e thotë. Do të jetë vegjetariane, proshutë kerpudha, apo të dyja bashkë. Dimë që nuk duhet ndarë tepsia më, por jo ajo çka do të jetë brenda.

Gjithsesi, tonet e ashpra nuk janë ndonjë risi në fushatat shqiptare. Ajo çka është e re dhe e bën më serioze, është padia në prokurori që ka bërë LSI-ja ndaj kryeministrit, si dhe kërkesa për të mbledhur Këshillin e lartë të Sigurisë për deklarata e tij. Kurrë më parë nuk ka patur një iniciativë të kësaj natyre. Betejat më Berishën kanë qenë të ashpra e plot tension në fushatë, por asnjëherë nuk është shtyrë kaq lart dhe me objektiv të drejtpërdrejtë, kryeministrin. Sulmet e LSI-së ndaj krerëve të Policisë së Shtetit, kanë ditë që artikulohen. Nuk është e re kërkesa për shkarkimin e kreut të saj, Haki Çako. Incidentet e ndodhura në fushatë që, kryesisht, kanë patur protagonistë anëtarë e simpatizantë të PS-së dhe LSI-së, janë shoqëruar me akuza për përdorim të policisë në favor të njërës palë, madje dhe si pjesëmarrëse direkte të efektivëve të uniformave blu në fushatën zgjedhore. Nëse provohen, janë vërtet akuza të rënda që do të hidhnin hije dyshimi mbi atë që quhet reformë e suksesshme në radhët e policisë. Por në rastin konkret, padia në prokurori nuk është ndaj krerëve të policisë, por ndaj vetë kryeministrit për deklaratën e tij në Kuçovë, si mbrojtëse të këtyre akteve, - çka sipas LSI shkel ligjin dhe vetë VKM-në e miratuar nga qeveria Rama.

Ndonëse kërkesa për të mbledhur Këshillin e Lartë të Sigurisë duket e tepruar, pasi kemi të bëjmë thjesht me një deklaratë, padia në prokurori është një akt që mbetet e që sidoqoftë mund të përbëjë një cassus në të ardhmen, për të prishur së paku imazhin e zgjedhjeve. Gjithsesi, pavarësisht marrjes në konsideratë të kësaj çështjeje nga prokuroria, ky është tregues se ditët e fundit të fushatës zgjedhore, do të jenë të mbushura me konfliktualitet brenda spektrit të majtë, - konfliktualitet jo më deklarativ, çka mund të ndezë për keq situatën. Pasi, siç duket, lufta nuk po bëhet më për të ndarë tepsinë, por për ta përmbysur atë, me gjithë çka brenda.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: