MMSR: Konstatohen shkelje me shpërndarjen e ndihmës ekonomike në Korçë, do merren masa

MMSR: Konstatohen shkelje me shpërndarjen e ndihmës ekonomike në Korçë, do merren masa
Ministria e Mirëqenies Sociale  ka konstatuar shkelje të rënda në shpërndarjen e ndihmës ekonomike në Korçë duke filluar që me mospublikimin e listave të përfituesve.

Sipas ministrisë, kjo shkelje e qëllimtë bëhet për të katërtin muaj rresht dhe synon favorizimin e familjeve të ndryshme në fushatë.

Për këtë arsye, Ministria e Mirëqenies i kërkon Ministrisë së Financave nisjen urgjente të kontrollit mbi drejtoritë përkatëse.

Ministria e Mirëqenies Sociale sqaron se grupi i punës për kontrollin e fondeve të ndihmës ekonomike i ngritur nga ministrja Xhulieta Kërtusha ka konstatuar një sërë shkeljesh në këtë drejtim, ku për një periudhë prej 4 muajsh është konstatuar mungesa e listës së përfituesve të kësaj ndihme.

“Mungesa e listave të familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike ngre dyshime për keqmenaxhim financiar, shpërdorim të detyrës apo korrupsion nga ana e punonjësve të përfshirë në proces.

Nisur nga këto të dhëna Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave, nisjen urgjent te inspektimit financiar.

Gjithashtu, nisur nga dyshimi se mungesa e listave të përfituesve, dhe mos afishimi i tyre është bërë për të favorizuar individë në mbështetje të fushatës zgjedhore për subjekte të caktuara politike”, thuhet në njoftim.

Problematika të ngjashme janë vërejtur edhe në Qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, për të cilat po bëhen verifikimit e nevojshme përpara se të merren masat përkatëse.

“MMSR do të marrë masat e nevojshme për të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve në varësi, të cilët kanë toleruar shkeljet ligjore në përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike”, përfundon deklarata. /e.g/

Foto ilustruese: Ministria e Mirëqenies Sociale

Shpërndajeni me miqtë tuaj: