Luan Zhegu: Komercializmi po cënon shenjtërinë e muzikës

Luan Zhegu: Komercializmi  po cënon shenjtërinë e muzikës
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh” i muzikës: Konkurrenca është gjëja më e mirë, rritja e numrit të këngëtarëve është stimul, por jo deri aty sa të dalin të tillë pa i lidhur gjë me muzikën

 

“Muzika është e shenjtë dhe askush nuk duhet ta cënojë këtë shenjtëri në emër të asgjëje. As të fitimit, as të komercionalizmit, as të bukurisë fizike, as të bukurisë shpirtërore. Sepse muzika e vërtetë i përket hyjnizimit profesional”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, mjeshtri i madh i skenës, Luan Zhegu... Ai ecën rrugëve të Tiranës duke marrë përshëndetjet e qindra njerëzve që takon. I thjeshtë, i dashur, miqësor, i qetë, ai mbetet një personalitet i padiskutuar i muzikës shqiptare si kompozitor, por edhe si këngëtar.. .

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Sot në Shqipëri ka shumë këngëtarë e këngëtare, siç ka edhe shumë rryma muzikore. Si do ta komentonte këtë fakt Luani?

Jetojmë në një kohë ku muzika ka një përhapje të gjerë mjaft të kozmopolitizuar. Rrymat e shumta, hapja drejt botës, dëshira për të bërë muzikë bashkëkohore, por dhe për të ruajtur traditën, disa herë ndeshen me njëra-tjetrën në raporte të zhdrejta dhe me ide krejt të kundërta. Të gjitha këto e bëjnë muzikën sa interesante, por edhe befasuese. Sigurisht, në gjithë këtë zhvillim muzikor do të dalin talente, do lulëzojnë rryma dhe gjini të ndryshme, por unë jam i mendimit se nuk duhet të abuzohet shumë me traditën dhe folklorin. Jam i mendimit që konkurrenca është gjëja më e mirë, është sinjal pozitiv, rritja e numrit të këngëtarëve është stimul, por jo deri aty sa të dalin të tillë pa i lidhur gjë me muzikën. Muzika është e shenjtë dhe ka shenjtorët e vet që nuk lejojnë  fyerjen e kësaj zukame shpirtërore, apo deformimin në kufijtë e absurdit. Pra, është një gjë që të duash të këndosh dhe është gjë krejt tjetër, të dish të këndosh. Këto janë si dy anë të një medaljeje që nuk takohen kurrë. Pra, kënga e mirëfilltë, muzika e vërtetë, profesionalizimi nuk takohen kurrë dhe nuk përqafohen me diletantizmin. Shenjtëria nuk takohet me pseudo. Këto janë ato që na çojnë në divergjenca dhe në shprishjen e shpirtit të bukur muzikor. Askush nuk duhet ta cënojë këtë shenjtëri në emër të asgjëje, as të fitimit, as  të komercionalizmit, as të bukurisë fizike, as të bukurisë shpirtërore. Muzika e vërtetë i përket hyjnizimit profesional.

Vetë do të këndoje vetëm në funksion të parasë?

Kurrsesi jo nëse nuk do të përcillja art. Të gjithë e duam paranë, të gjithë jemi nevojtarë, por të shesësh diçka që nuk i përket muzikës si muzikë, për mua do të ishte dëmi më i madh njerëzor. Unë kam kënduar dhe do këndoj edhe për para’, por kurrsesi duke dëmtuar muzikën që përcjell, artin që më mban gjallë, fisnikërinë dhe madhështinë e muzikës. Do këndoj edhe për të fituar në emër të muzikë së bukur, muzikës që përcjell mirëfillti art dhe bukuri arti. Këtu është ndryshimi. Nuk do të këndoja kurrë një këngë që nuk lidhet me këngën, vetëm në emër të fitimit. Kjo është jashtë imagjinatës time. Sot  është  ekonomi tregu   dhe duhet  që  të  ndryshonin  edhe pak  rrymat. Tjetër  rrymë  e kërkon  këngën  një  i ri, tjetër  rrymë kërkon  një  moshë më e madhe. Unë  p.sh. kam  luajtur  me  rrymat  muzikore. I kam bërë  edhe një këngë  Aleksandër  Gjokës  ku ka  marrë  edhe çmim  të parë. Ledinës i kam  bërë këngën “San Valentino”. Por kam  bërë edhe “Jeta  nuk  është  Lodër” të Irma Libohovës  dhe balada  të ndryshme. Realisht, jam  më  tepër i  dhënë pas  baladave sepse  edhe vetë unë si këngëtar kam qenë pranë kësaj gjinie.

 

Por të arrije deri në këto mendime, deri në këtë stad sigurisht ke pasur një rrugë të vështirë?

Po, është e vërtetë, kam pasur një rrugë të vështirë, por shumë të bukur. E kujtoj si sot veten time kur isha në  moshën 12-vjeçare, moshë në të cilën u përballa për herë të parë me publikun shqiptar dhe nëse do flasim me gjuhën muzikore, në atë moshë mua do të më quanin ‘tenor’.

Nuk e kuptoj, si ka mundësi që ke filluar këngën si tenor dhe në atë moshë?

Po, po është e vërtetë. Pikërisht në atë moshë dhe kur as vetë nuk e kisha menduar kurrë, më është besuar një rol nga regjisori i madh Viktor Gjoka, i cili sot nuk jeton, që e kujtoj gjithmonë me respekt të madh. Në kohën për të cilën flas, Gjoka po vinte në skenë një operetë, e cila titullohej “Bilbili  dhe kanarina” me  muzikë të  Llazar Nurçkës. As vetë nuk e besoja që do të më jepnin  rolin e bilbilit. Shtanga, nuk e besoja. Kur erdhi dita e shfaqjes kisha shumë emocion, shumë. Më kujtohet fare mirë  që shfaqjen e parë e  kemi dhënë në Pallatin  e Kulturës “Ali Kelmendi”. Kur do dilja përpara publikut shihja me vëmendje skenën, e cila më pëlqeu shumë me bukurinë e saj për kohën. Ishte dalja ime e parë para një publiku të madh. Salla ishte mbushur plot. Ajo mbante rreth 250 veta. Kur mbarova pjesën mora duartrokitje. Dola me sukses. Pra, një dalje krejt ndryshe, e cila u pasua po me një dalje të tillë në një operetë  tjetër.

Skena, këngëtarë, humoristë, instrumentistë, etj, kush të bënte më shumë përshtypje mes kaq shumë njerëzve të artit?

Më bënin përshtypje bateristët, loja e tyre. Më tërhiqte si me magnet ai lloj instrumenti dhe kënaqesha në pafundësi kur shikoja lëvizjet e tyre. Kjo bëri që unë të filloja  të  ushtrohesha  me nota dhe me pentagram. Kjo dëshirë, kjo gjë ndryshe bëri që të largohem nga kantoja. Fiks në  moshën 17-vjeçare e lashë kanton dhe  inkuadrohem në  Cirkun e Tiranës me  udhëheqës  artistik Ismail Rekën në bateri. Realizova një dëshirë, një ëndërr, një sadisfaksion shpirtëror. Në Cirk punova dy vjet si  instrumentist, që për mua ishte një shkollë e madhe, një shkollë specifike.

Por kur përkon dhuntia jote si kompozitor? Ku dhe kur e kompozove këngën e parë?

Eh! Më çove në kohë tjetër. Janë vite të bukura, vite që i kujtoj me nostalgji, vite që më rrëqethin kur i kujtoj. Ishte viti 1969. Kisha mbushur moshën për ushtar. Pikërisht në atë moshë, më kërkojnë të shkoja në shkollë për oficer. Nuk pranova. Nuk isha mësuar me disiplinë, me rregulla, me rripa, me urdhra me veshje të blertë tërë jetën. Familja më thoshte “shko ushtar”. Unë e kisha vendosur. Nuk do të shkoja për oficer. Atëherë zgjidhja ishte e përgatitur, më marrin ushtar dhe më çojnë në marinë. Marina atëherë ishte më e vështira. Shërbime pa fund, gatishmëri, alarme, me këto ishte mbushur jeta ushtarake. Si për çudi, më caktuan në Pashaliman. Emrin ia kisha dëgjuar “Pashait” siç i thoshim ne ushtarët, por nuk kisha shkuar kurrë.  Shkuam me makinat tip “Zis” që kishte atëherë ushtria jonë. Meqë vija nga Tirana, më caktuan përgjegjës të grupit të rojeve të “Pashait”. Ishte një vend i magjishëm. Vend piktoresk, edhe pse larg komunikimit rrugor. Deti, historia e vendit, anijet, më tej malet me pemë, mistika e këtij vendi të bënin vërtet të frymëzoheshe. Këtu fillon dhe krijimtaria ime si kompozitor. Unë në mbrëmje bashkë me shokë dilnim në breg të detit dhe këndonim. Kështu thyenim dhe mërzinë. Kënaqeshim mes atij vendi piktoresk. Mendoja se mund të shkoja më tej se të kënduarit. Fizarmonika më jepte shkëndija për të kompozuar dhe një ditë ja arrita. Në këtë vend unë krijova këngën time të parë, këngën që u bë aq e dashur, këngën që më ofroi shumë shanse në jetë, këngën  “Vajza  dhe  deti”.

 

A kishte një shtysë reale kjo këngë, një ngasje, një inicim, apo thjesht duke kënduar dhe duke menduar të krijosh?

Po, kishte. Nuk erdhi fare rastësisht. Në ditët e plazhit në verë, aty afër repartit unë me disa shokë shikonim një vajzë të vinte për plazh. Rrallë mund të vinte vajzë tjetër në atë vend. Ishte koha kur plazhi nuk ishte bërë masiv dhe vajzat plazhiste ishin të rralla. Kur vinte ajo vajzë në plazh, dukej sikur bota ndryshonte. Ne gëzoheshim dhe e shikonim me admirim. Na dukej si shtojzovalle. Na dukej si një qenie jashtëtokësore që vinte të na hiqte mërzinë. Shok të ngushtë në atë kohë kisha Naum Gogon nga Durrësi, i cili ka ndërruar jetë në moshë shumë të re. Ai vazhdimisht thurte vargje të bukura që m’i lexonte dhe unë mrekullohesha. Kur vinte ajo vajzë për plazh, Naumi e ndiqte me vëmendje në çdo hap. Shikonte çdo lëvizje të saj deri në imtësi. Pas disa ditësh, më thotë “na lexoji këto vargje dhe bëj një këngë”. Dukej i ngazëlluar. E mora letrën me vargjet dhe fillova ta lexoj....

Bregut të detit  një  vajzë  e menduar,

Flokët  era  lehtë  ia  përkëdhel,

Rreze  dashurie   hedh   në  zemër,

O det, o  det  i kaltri  det,

Ti këngën  time  ma dëgjon

Ju ison  mbamëni o  valë,

Për  dashurinë  zemra  këndon”.

 

Këto vargje më mrekulluan. Ishin vargje plot patos dhe muzikalitet. Më nxitën menjëherë të krijoj. Mora fizarmonikën “Parot”, një e kuqe që ishte pjesë e jetës time dhe fillova t’i bie. Kështu mori udhë kënga “Vajza dhe deti”. Kënga ime e parë si kompozitor, por edhe si kantautor.

 

Kush e ka kënduar dhe ku është kënduar për herë të parë kjo këngë?

Këtë këngë e kam kënduar unë vetë për herë të parë me grupin tonë të repartit të Pashalimanit. Për herë të parë e kam kënduar pikërisht në sallën e repartit ushtarak, pastaj në plazhet e Orikumit dhe pas disa ditësh e këndova në Vlorë, në një konkurs mes reparteve dhe grupeve muzikore. Ne me këtë këngë zumë vendin e parë. Ishte një gëzim i madh. Atëherë  dhe pse ishim ushtarë, kur  këndonim, visheshim civilë dhe përfaqësonim uzinën “Kraft”, kantieri i riparimit të Flotës Detare që ka qenë në “Pashaliman”. Sa isha ushtar, isha përgjegjësi artistik i grupit të “Pashait”, ku kisha një piano me të cilën  punoja  shumë me  marinarët, me zërat e rinj ushtarë, me  vajzat që punonin në uzinë etj.

 

Pra, tashmë ishte hapur rruga, u thye akulli si kantautor?

Po. Kjo këngë më bëri të njohur. Këtë e them me bindje se dhe sot kjo këngë është shumë e përhapur, shumë e kërkuar. Madje edhe kur ftohem në studio të ndryshme, kjo këngë është e para që më kërkojnë ta këndoj. Për mua mbetet një këngë rinore, një himn rinor për dashurinë, që nuk do të njohë kurrë pengesa. Pasi mbarova ushtrinë dhe erdha në Tiranë, pashë që tashmë hapësirat ishin më të mëdha. Në vitin 1972, fillova  punë në Estradën e Tiranës si baterist.  Kjo estradë në atë kohë ishte në kulmin e shkëlqimit. Një vit më pas, me  këngën “Këngët e tua Memo” mora pjesë në  Festivalin e  Zërave të Rinj, ku mora çmimin e  dytë. Ishte viti 1973, kur kënga, muzika dhe artet në Shqipëri ishin në kulmin e lulëzimit. Në  estradë nganjëherë çohesha nga bateria e këndoja ndonjë  duet. Por nuk isha i njohur ende si këngëtar. Por të jem korrekt me lexuesin, deri në atë kohë nuk njihesha   si Luan Zhegu këngëtar, por  si kompozitor.

 

Si erdhi lidhja juaj me të madhen Vaçe Zela? Si i mori ajo këngët tuaja për t’i përcjellë në skenë?

Ah, ka një histori dhe kjo lidhje. Pikërisht kur unë u futa si  baterist  në Estradën e Tiranës, e madhja Vaçe Zela  ishte  këngëtare në teatrin e Estradës. Unë sa herë kompozoja, ua jepja këngët drejtuesve të Estradës. Ata ishin dashamirës me mua. Në një nga krijimet e mia “Nusja e lirisë” me tekst të  Sulejman Matos që ia dedikuam Margarita Tutulanit, Vaçja u tregua shumë kurioze. Pasi e dëgjoi, e mori vetë për interpretim. Këtë këngë për herë të parë ajo e këndoi në  Teatrin  e Operas dhe të  Baletit. Për të thënë dhe një detaj, veçoj atë që Vaçja atë natë u vesh si Margarita, me një bluzë  të kuqe dhe me një fund të zi, si flamuri  shqiptar kuq e zi. Si flamur ngjante dhe ajo vetë. Unë në atë kohë kam qenë në  sallë dhe dridhesha i tëri. Si të mos emocionohesha, kur një  djaloshi të ri si unë, t’i këndohej kënga nga një artiste e madhe si Vaçe  Zela. Kur mbaroi ajo së kënduari, e gjithë salla u ngrit në këmbë duke brohoritur. E kthyen dy herë. Salla nuk ulej. Një emocion i paparë. Unë isha mbledhur i tëri dhe pa dashje nga sytë më dolën lot gëzimi. Ishte një sukses i paparashikuar për mua. Kjo këngë mori çmimin e

“Dekadës”, se ashtu ishte atëherë, zhvilloheshin çdo maj për nder të festave të punëtorëve “ Dekadat e Majit”!.

 

Por me sa kam dëgjuar, mes kompozitorëve një sukses ka patur dhe kënga “Do të  dal malit”.?

Po, edhe kjo këngë pati të njëjtin sukses. Luftës në ato vite i këndohej shumë dhe krijimet e poetëve për Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të shumta. Këto dy këngë bënë që unë fillova  të bëhem i njohur si krijues, si kompozitor dhe fillova të kem  oferta nga të gjitha rrethet (se të gjitha  rrethet kishin estradat  e tyre) dhe në festivale të ndryshme. Në vijimësi, në  festivale  kam fituar çmime si në Festivalin e Këngës në radiotele-vizion dhe nga aktivitete nga më të ndryshmet që bëheshin.

 

Të ndalemi tek këngët si kompozitor,përveç Vaçe Zelës, nga cilët këngëtarë janë kënduar këngët e tua?

Këngët e mia janë kënduar nga këngëtarët më të mirë shqiptarë në të gjitha kohërat. Janë kënduar nga ata këngëtarë që i jepnin tonin muzikës shqiptare. Këtu kujtoj me shumë respekt dhe lot në sy të madhin Tonin Tërshana, por po me kaq respekt flas për Luljeta Simonin, Arta  Babaramon, Sazan Meçanin, Nikolin Gjergjin.

 

Festivalet ishin festë e madhe e muzikës shqiptare. Cilët këngëtarë ishin ata që ngjisnin në këtë skenë gjigante këngët e tua?

Festivalet i kujtoj me nostalgji të madhe. Ato vërtet ishin festa të mëdha. Bëhej një përgatitje serioze për to. Nuk luhej me Festivalet në RTSH. Kërkesat ishin në maksimum, pasi çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Unë në këto festa kisha shansin e madh të prezantohesha nga emra të mëdhenj si Ema  Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi, Irma Libohova. Në shumë festivale ishin një pesëshe e fortë që përcillnim   krijimtarinë time si kantautor.

 

Po si këngëtar, kur ke marrë pjesë në Festivalet e RTSH?

Për herë të parë si këngëtar kam marrë pjesë në vitin 1975. Ky vit përkonte me Festivalin e 14-të në RTSH. Isha me shumë fat pasi së pari isha i ftuar nga vetë udhëheqësi  artistik i Festivalit, Gjon  Simoni, por së dyti pata një  fat  shumë më të  madh,  sepse  këngën  “Shokët” që  këndova  unë  e këndoi dhe Artistja e Popullit Vaçe Zela. Atë kohë kënga këndohej në  dy  variante e njëjta këngë, pra nga dy këngëtarë. Dua të them se kjo paraqitje ishte një përgjegjësi  shumë  e madhe  për  mua. E mbaj mend si sot pasi ishte një  këngë  shumë e bukur  me  muzikë të Shaqir  Kodrës me tekst  të  Betim Muçës. Kënga  u mirëprit.  Kur mbaroj Vaçja duartrokitjet zgjatën  rreth  6 minuta. Dua të thekso se duartrokitjet shënuan një rekord me vete. Në fakt kjo  këngë  mori  çmimin  e dytë. Çmimin e  parë  e pat marrë  kënga  “Buka  e duarve  tona”. Në  festivalin e 15-të, në  vitin 1976, marr pjesë  me një  këngë  shumë të  bukur,  por  me  një  trishtim  për  mua. Kjo ishte një këngë e Agim  Krajkës “Këngët  e rinisë” me tekst  të Zhuljana Jorganxhi.  Këtë këngë  e këndova  bashkë  me Alida  Hiskun. Kënga  u  prit   shumë  mirë, por  qe  një  fatkeqësi  e madhe  se kënga  nuk  futet  në  natën e  tretë. Ishin  ato sulmet  që i  bënin  Krajkës  në  atë  kohë si  kompozitor i ritmikës. Krajka  shihej në  atë  kohë  me një sy  si modernist.

 

Pas këtij Festivali, në sa festivale more pjesë?

Pas këtij festivali, unë mora pjesë edhe në pesë festivale si këngëtar.

 

Zakonisht, ju këndonit këngët e Agim Krajkës?

Po, më shumë kam kënduar këngët e mjeshtrit Krajka, ku jam nderuar me çmime të dyta dhe të treta. Dua të theksoj se me këtë kompozitor të madh unë fitova një eksperiencë të  madhe, po ashtu si edhe me kompozitorët Tish Daia, Hajg  Zaharian, Gazmend Mullai dhe pastaj me Aleksandër Lalon.

 

Po nga këngëtarët e rinj, kush i ka kënduar këngët e tua si kompozitor?

Sa këngëtarë të vjetër, po dhe aq të rinj, i kanë kënduar këngët e mia si Leonora Jakupi, Ledina Çelo dhe shumë “Ethe-istë”  si Musabelliu etj. Pra, kjo ndërthurje brezash, artistin e mban  të gjallë. Kjo është njëlloj si politika e re dhe ajo e vjetër. Mund të jesh 80 vjeç dhe ke vizione të një politike të re, por  mund të jesh i ri dhe nuk  mund t’i kesh këto vizione.

Rreth 48 vjet si kompozitor,sa këngë ke në repertorin tën si kompozitor?

Të them të drejtën ka dy vjet që s’i ruaj si numër. E kam lënë numërimin kur kisha krijuar 280 këngë.

 

Me cilin poet ke bashkëpunuar më shumë?

Me poetin e madh Jorgo  Papingji.

 

 

 

 

 

 

 

KOINÇIDENCA

 

“Si e mora prapë çmimin e

dytë në festival pas 20 vjetësh”

 

“Këto punë bëhen ndonjëherë me syrin dhe zemrën e Zotit. Ndoshta rastësi, ndoshta domosdoshmëri, ndoshta habi, mund t’i vendosësh shumë emra, por ishte dhe mbetet koinçidenca më e madhe e jetës time që nuk do të përsëritet më. Në këtë ditë dhe në këtë vit, 1995, unë kam kënduar një duet me  Ledina Çelon. Pra, ishte 23 dhjetor i vitit 1995. Kënduam këngën “A e doni dashurinë?”. Kompozitor i kësaj kënge ishte Osman Mula, me tekst të Jorgo  Papingjit. Dua të vë në dukje se me këtë këngë unë kthehesha në skenë pas 7 vitesh pa marrë pjesë në Festivalet e RTSH. Isha në ethe dhe mendoja si  do  të  më  priste spektatori. Po ku ishte koinçidenca e jashtëzakonshme? Ka  qenë 23 dhjetor i vitit 1975, kur  Luan Zhegu këndon në skenën e Teatrit dhe të Baletit dhe merr  çmimin  e dytë me këngën “Shokët”. Dhe më datën 23  dhjetor 1995, fiks mbas 20 vjetësh, në të njëjtën orë, Luan  Zhegu, këndon përpara publikut shqiptar dhe prapë merr çmimin e dytë. Ndryshimi ishte se u  këndua  në Pallatin e  Kongreseve. E veçanta tjetër, 6 minuta duartrokitje në vitin 1975 dhe 7 minuta e 2 sekonda në vitin  1995! Duartrokitjet nga fansat e mi ishin frenetikë. Në këtë kohë, del në skenë dhe Osman Mula. Të gjithë në këmbë. Entuziazëm i paparë. Një rast unik. Dy këngë në kohë të ndryshme por në të njëjtën orë, datë por edhe me të njëjtën kohë entuziaste. Besoj nuk do të ketë binjake kjo ditë. Rastësia? Mbase dhe jo. Mbase ishte domosdoshmëri në jetën time si këngëtar të përjetoja diçka të rrallë, magjike të papërsëritur”.

 

TAKTIKA

 

“Këngët ua jepja të tjerëve

nga frika se mos më dënonin”

 

Festivalet sa të lartësonin, po aq dhe të fundosnin. Shihja se si miqtë e mi, emra të mëdhenj si Sherif Merdani, Françesk Radi, Aleksandër Lalo, që filluan të dëmtoheshin nga ato të ashtuquajtura ‘pleniume’ të atyre viteve. Në festivale çdo gjë shihej me lupë zmadhuese, shikohej deri tek qimja e flokut. U dënuan këngëtarë dhe kompozitorë të mëdhenj kjo bëri që unë të tërhiqem. Nuk doja të dënohesha, ndaj fillova t’ia jap këngët e mia një këngëtari tjetër e unë të marr këngën e një  kompozitori tjetër. Kjo mënyrë bënte që unë të mos isha në qendër të shënjestrës së shfaqjeve të huaja, moderne. Nga ana tjetër, kur këngët e mia do t’i këndonin të tjerët, nuk do të sulmonin Luanin, por nuk mund të sulmonin as Vaçen, që kishte këngën time, nuk do të sulmonin Tish Dainë, ose   Agim Prodanin etj. Kjo ishte një taktikë e imja. Por kjo ishte edhe një eksperiencë e madhe, sepse të marrësh eksperiencën e Vaçe Zelës apo të Tish Daisë nuk është pak”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: