LSI mbyll fushatën në Fier: Mavia e tmerruar, kërkon ndihmë nga PD-ja

LSI mbyll fushatën në Fier: Mavia e tmerruar, kërkon ndihmë nga PD-ja
LSI zhvilloi sot mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Fierit. Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se qytetarët e gjithë vendit do të ndëshkojnë me votë abuzimin me pushtetin që bëri Rilindja.

“Ata që dikur thoshin mos votoni LSI se do të na shkojnë me PD, tani i thonë PD-së na votoni që të shpëtojmë nga LSI. Rilindja përfaqëson drejtimin më antipopullor dhe më përjashtues ndaj Fierit dhe gjithë Shqipërisë. Sepse mavia është në shërbim të oligarkisë, - tha Ilir Meta. - Mavia e tmerruar nga braktisja popullore për shkak të mashtrimeve dhe premtimeve të pambajtura dhe të pabesisë së pandreqshme. Besoj se e dëgjuat që dje i bëri thirrje PD për ta ndihmuar”

Meta tha se “Mavia i do shqiptarët të varfër që t’i blejë një herë në 4 vjet”.

Kreu i Kuvendit ftoi shqiptarët të votojnë masivisht kundër mavisë dhe papërgjegjshmërisë që ka drejtuar vendin në këto 4 vjet.

Duke iu referuar rastit të dhunimit të një 18-vjeçari në Zharrëz, Meta i çoi edhe një mesazh Ruçit, kur tha se fierakët nuk e durojnë dot dhunën.

“Këtu janë gjithë ata që e kuptuan se mavija punon për oligarkinë dhe xhepat e saj, ata që se pranojnë dot dhunën presionin për të mos votuar për alternativën që duan. Janë ata që dhuna ndaj një 18 vjeçari në Zharrëz, që u godit pabesisht nga kreu i mavisë atje në Zharrëz”. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: