Llalla, prokurorive lokale: Bashkëpunim mes strukturave

Llalla, prokurorive lokale: Bashkëpunim mes strukturave
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka udhezuar prokuroritë e rretheve për angazhim maksimal për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Në udhëzimin e Llallës Prokurorive të Rretheve Gjyqësore kërkohet që të hartojnë shërbimet e gatishmërisë për të mbikqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë.

“Në bazë të komunikimit që ka zhvilluar Prokurori i Përgjithshëm, strukturat lokale të Prokurorisë Shqiptare kanë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë, të cilat janë në funksion duke filluar nga dita e Shtunë (dt. 24.06.2017) deri ditën e Hënë (26.06.2017). Strukturat e gatishmërisë përbëhen nga prokurorë dhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë”- njofton zyra e Llallës.

Sipas saj, në një komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit lokalë të Prokurorivë, Llalla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese, si edhe orientimin e saktë dhe të shpejtë të hetimit për çdo problematikë të mundshme penale që lidhen me procesin zgjedhor.

Kështu, drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore kanë informuar Prokurorin e Përgjithshëm se po zhvillojnë në mënyrë dinamike veprime proceduriale mbi kallëzimet penale të përcjella pranë tyre gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka hartuar grafikun e saj të gatishmërisë, me qëllim koordinimin sa më të shpejtë dhe të plotë të të gjithë strukturës për menaxhimin e duhur të problematikave të mundshme.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme po vijon të zhvillojë komunikim intensiv me Task-Forcen e krijuar nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e situatës zgjedhore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: