KUR MBARON DASHURIA E VERBËR - NGA MERI DISHNICA

KUR MBARON DASHURIA E VERBËR - NGA MERI DISHNICA
NGA MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shumë marrëdhënie lindin në parajsë dhe zbresin në tokë pak nga pak. Ka raste që përplasen keq, të lodhur nga monotonia apo të ngatërruar në labirintin e pritshmërive të ndryshme. Kjo është mjaft e zakonshme, por jo e pashmangshme. Të ndërtosh një marrëdhënie të lumtur, është si të shpalosësh gjithë kapacitetin tënd për të jetuar bukur. Ne i ndërtojmë marrëdhëniet sipas tipit tonë, edhe pse presim më tepër shpeshherë. Personi para nesh, na shëmbëllen në shumë mënyra (në rastet më të mira).

Kapaciteti i të jetuarit mirë, është gjithashtu edhe kapaciteti i ndërtimit të kontakteve njerëzore të pëlqyeshme. Të gjitha kontaktet njerëzore mund të jenë të kënaqshme, nëse nuk je kundër “të mësuarit” dhe “të praktikuarit” të kënaqësive të të jetuarit bukur, me të zgjedhurin tënd.

Ne tentojmë ta sheqerosim nocionin e dashurisë, duke e përlyer me një formulë magjike dehëse, sikur kjo të na ishte dhënë nga dikush mbi të cilin ne nuk kemi asnjë kontroll; nga Zotët e dashurisë, - Kupidi, Venusi apo Erosi.

Por në fakt, marrëdhëniet e qëndrueshme duhet të kenë më shumë gjëra tokësore që të funksionojnë, sepse ti nuk je engjëll dhe as tjetri nuk është. Jemi thjesht dy tokësorë mëkatarë, të gatshëm të harrojmë çdo gabim që kemi bërë. Të fuqizuar nga eksperiencat e të bërë mjeshtër nga praktikat tashmë. Thuajse gati për ta bërë të funksionojë, ose aty afër...

Lidhjet e reja e kanë atë lloj magjie, kanë kapacitetin e mahnitshëm për të dhënë më të mirën, duke e bërë këtë përvojë të paharrueshme. Eksperiencë që do të të kujtohet me nostalgji, shpeshherë, gjatë lidhjes, kur magjia është venitur dhe realiteti të ka kapur me litarët e tij monotonë. Ajo/ai s’të duket më aq perfekt dhe ti s’po jep më të mirën.

Çështja është të vazhdosh të bësh atë sjellje që bëje gjatë periudhës së vardisjes, të sillesh siç bëje në fillim, nën magjepsjen hyjnore halucinante të ditëve të para. Të kesh atë kuriozitetin e ditëve të njohjes, ku je “sy e vesh”, duke kapur mesazhet e gjuhës së trupit. E, ndërkohë, duke dhënë mesazhe, duke joshur dhe duke i lënë të të joshin.

Duke u shfaqur perfekt dhe duke e parë atë si të ishte perfekt. Ndjenja, mendime, veprime të cilat, nga urgjenca për të fituar dashurinë e tjetrit, i kemi zmadhuar shumë shpesh. Është e çuditshme sesa gjëra mund të durohen gjatë kësaj kohe, tekat më ekstreme të shpalosura në luhatjet më fëmijnore. Është e çuditshme bindja si një ushtar i humbur, nën urdhrat e të vetmit komandant (thua se do të shuhej bota pas tij\saj).

Imagjino sa mirë do të ishte të mund të mbahej ai sensi romantik, vazhdimisht e vazhdimisht. Është ëndrra që kanë shumë, por që në fakt e ndjekin shumë pak. Për këtë mjafton vullneti dhe pak përpjekje. Duke shmangur çdo gjë që sjell stres, shpërqendrim apo edhe tundim.

Pse ikën “magjepsja?

Ikën sepse shumë nga ne, nuk kanë qenë të vërtetë nëpër “shfaqjet” e para. Duke u përpjekur të sillen më mirë, ndoshta kanë dalë nga vetja e janë shtirur tepër; e pastaj kur gjithçka bëhet kaq e afërt me partnerin, ata shfaqen siç janë! Nuk përpiqen më! Është komplikimi që sjell “të marrësh tjetrin të mirëqenë”, sepse sapo fitojmë dashurinë dhe sigurinë në një marrëdhënie, lejojmë të humbasë dhe vrulli i përpjekjes për të qenë perfekt. Copëza jo-perfeksioni shfaqen aty-këtu, ditë pas dite, natyrshëm…

Do të ishte perfekte që tjetri të vazhdojë t’u dojë, me të njëjtin intensitet, sikurse më parë. T’u dojë si jeni dhe gradualisht jeni “venitur” nën rrezet magjivrasëse të përditshmërisë. Kur ikën magjepsja, kujtohemi të shohim defektet e tjetrit, defekte me të cilat kemi qeshur edhe kur të tjerët na i kanë vënë në dukje.

E megjithatë, kur mbaron dashuria e verbër dhe dushi i ftohtë i realitetit të është përplasur në fytyrë, të duhet të paktën të mbash fort shtrënguar grimca të aspektit shpirtëror. Nëse një lidhje nuk rezulton të jetë sadopak shpirtërore, ajo çfarë përfundon të shohësh, është thjesht një grup me defekte, nga i cili pret të ikësh me padurim…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: