Kohë miqësorësh: Skënderbeu 2-2, Partizani pret Prishtinën, nesër Tirana-Kukësi

Kohë miqësorësh: Skënderbeu 2-2, Partizani pret Prishtinën, nesër Tirana-Kukësi
Ekipet shqiptare pjesëmarrëse në Kupat e Europës, përveç merkatos janë duke zhvilluar apo kanë planifikuar gjatë fundjavës ndeshje miqësore. Kjo me qëllim që trajnerët të njihen me gjendjen e lojtarëve, sidomos emrave që sapo kanë ardhur, ndërkohë që UEFA ka përcaktuar edhe oraret e ndeshjeve të para për ekipet tona pjesëmarrëse në Europa League.

Nesër në “Selman Stërmasi” miqësore, Tirana-Kukësi

Trajneri i Tiranës Ze Maria, nga seanca e sotme e stërvitjes

Tirana vijon përgatitjet për ndeshjen e parë të Europa Ligë, në kryeqytet. Tirana pret të përballet me Maccabi Tel Aviv, ndërsa është grumbulluar dhe po zhvillon dy seanca stërvitore në ditë. Nesër ora 17:00, bardheblutë do të  zhvillojnë një ndeshje miqësore me Kukësin, në stadiumin “Selman Stermasi”. Kjo ndeshje do t’iu shërbejë dy ekipeve para takimeve zyrtare, si test në Kupat e Europës. Kukësi do të luajë në javën e dytë të korrikut, në raundin e dytë kualifikues të Champions, ndaj Sheriff Tiraspol. Disa blerje të rëndësishme të fundit të Kukësit do të testohen në miqësore përballë Tiranës. Hair Zeqiri, Rustem Hoxha, apo edhe mbrojtësi spanjoll Albert Serran, pritet të luajnë ndeshjen e parë me fanellën e kampionëve para përgatitores që nis javën tjetër në Austri.

Tirana do të luajë në ora 20:00 me me Maccabi Tel Aviv, në Netania dhe po në të njëjtën orë do të luajë një javë më pas edhe ndeshjen e kthimit në “Selman Stërmasi”.

Në Laç, të shtunën miqësore Partizani-Prishtina

Partizani, nga ditët e fundit të përgatitjeve në Ohër 

Kapiteni dhe portieri Alban Hoxha i është bashkuar sot pasdite ekipit në stërvitje. Edhe Partizani mbyll nesër përgatitjet në Ohër dhe do të rikthehet në kryeqytetet. Të kuqtë do të luajnë para ndeshjes me ekipin bullgar në Europa League edhe një miqësore me Prishtinën në Laç. Ndeshja miqësore do të luhet më 24 qershor në ora 17:00.

Të besuarit e Starovës do të luajnë në ora 17:00, ditën e enjte, më 29 qershor në “Selman Stërmasi”, ndaj Batev Plovdiv ndeshjen e parë kualifikuese të Europa League.

Skënderbeu e mbyll me barazim përgatitoren në Slloveni  

Skënderbeu-Domzale, 2-2, ekipet sot para miqësores

Trajneri Ilir Daja testoi sot ekipin në miqësoren e katërt, gjatë përgatitjeve në Slloveni, duke shënuar edhe një barazim në minutat e fundit falë golit të Sebino Plakut. Pas kësaj miqësore Skënderbeu do të kthehet për të vijuar përgatitjet në Durrës, në pritje të ndeshjes së parë të Europa League.  Skënderbeu ndeshjen e parë me Sant Julia të Andorës do ta zhvillojnë në ora 20:00, në stadiumin e Korçës.

Miqësorja: Domzale-Skënderbeu:

Shënues: Dobrovolje 7’ Firer 14’ / Lilaj 55’, Plaku 89;

Formacioni bazë i Skënderbeut ndaj Domzale: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani, Lilaj, Shkodra, Gavazaj, Latifi, Vujoviç. ( U aktivizuan: Dita, Nimaga, Abazi, Chitiza, Gripshi, Plaku)

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: