Jolanda Dhamo: S’do lutem kurrë për të kënduar diku, si shumë të tjerë

Jolanda Dhamo: S’do lutem kurrë për të kënduar diku, si shumë të tjerë
Me durrsaken Jolanda Dhamo kishim kohë pa u takuar, por duke e ndjekur në rrjetet sociale, gjithmonë e kam admiruar për pasionin për këngën dhe për një mënyrë shumë të veçantë të menaxhimit të aktivitetit të saj.

Ajo ka mbi 35 vjet karrierë si këngëtare, një dhjetëvjeçar të suksesshëm në festivalet e RTSH-së në vitet ’80, disa albume e hite pas. Por është një zonjë ekstravagante në dukje, por e thjeshtë në sjellje, modeste, - gjatë tregimit ndaloi, disa herë, duke më shprehur se nuk i pëlqente të numëronte sukseset.

Në një rrëfim shumë personal, na zbulon për Albanian Free Press jetën e saj midis Tiranës, Durrësit dhe Greqisë, përballjen e re me botën e artistëve këtu, brezin e ri të kompozitorëve dhe këngëtarëve, si dhe sfidat që ka një këngëtare e një brezi të artë të muzikës dhe festivaleve.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Jolanda, e fillove vetëm 16-vjeçare karrierën. Ishte dakord familja?

Ne na lajmëruam se do të këndonim në festival. Ishim dy këngëtare nga zona ime, Parashqevia nga Kavaja dhe unë nga Durrësi. Kënduam të njëjtën këngë, ajo me orkestrën e madhe e unë me formacionin e vogël orkestral. Prindërit nuk donin sigurisht. Ishin njerëz të ngritur, por dëshironin të shkollohesha. Pas suksesit u bindën shumë shpejt. Më pas, unë kam kënduar në 10 festivale rresht, duke marrë edhe disa çmime.

Kishe një zë të rrallë, pak “blues”. E pate të vështirë të pranohej kështu?

Jo dhe aq. Unë kisha dhe kam një zë të veshur, të ngjirur pak. Në fillim mendonin se imitoja këngëtaret e huaja, ato italiane ose franceze. Më pas u bindën se ishte natyral. Pata nderin të punoja me kompozitorët Maksim Shehu, Tasim Oshafi dhe Gazmend Mullai, - këngë që edhe sot mbahen mend.

Por ti ishe nga Durrësi, të pengoi kjo?

Në ato vite, pavarësisht talentit, këngëtaret që vinin nga rrethet shikoheshin pak si të dorës së dytë, për ndarjen e këngëve dhe çmimeve. Kujtoj që në festivalin e 23-të, u bë një testim i natës së fundit, nga një grup francez. Mua as që donin të më çonin. Më pas mësova se ata kishin pëlqyer pikërisht këngën time dhe zërin tim. U ndjeva mjaft e vlerësuar.

Ishin kohë plot pasion për muzikën, kishte vlerësim për ne, respekt. Kishte një veçori. Asnjë këngëtare nuk i ngjante tjetrës. I zgjidhnin kështu. Kishim vokal e fizik të ndryshëm. Jo si tani, që duken të tëra njëlloj.

Kthehemi në kohë, si vendosët të largoheshit jashtë kufijve?

Unë u largova nga Shqipëria në vitet ’91, si shumë shqiptarë të tjerë, drejt Greqisë. Për 10 vjet nuk shkela fare në Shqipëri. Shumë njerëz menduan se e kisha lënë karrierën time muzikore. Këtu dua tu tregoj një kujtim. Si emigrante punova rreth 9-të muaj në një restorant. Kjo më trishtoi pa masë! Në Greqi, në vitet  e para, e pata shumë të vështirë ta konceptoja jetën pa këngën, pa muzikën. Ishte një vuajtje e jashtëzakonshme për mua. Nëna ime jetonte në Zvicër dhe unë i telefonoj. I them: Mami, unë kështu nuk duroj dot më, pa kënduar! Ajo menjëherë më ndihmoi të shkoja në Zvicër ku fillova të këndoj atje, në Gjermani, në Angli, kudo ku kisha oferta për të kënduar. Në emigracion kuptova se, me pasionet e tua, nuk bëhet kompromis, se këngën e kisha në gjak e pa të nuk mund të jetoja.

Më pas, bëra rikthimin tim të parë me një album ku këngët ishin disi të thjeshta dhe që po ta isha menduar më mirë, do të kisha sjellë krijime më të bukura. Gjithsesi, pas albumit të parë, pati dhe një të dytë, dhe të tretë…. Por, realisht, aktivizimet e mia që u bënë këtu, ishin jo ashtu si i doja. U gjenda përpara një tregu muzikor të cilin nuk e njihja, apo nuk e pranoja. Vija me mendësinë se talenti vlente, por jo gjithmonë ishte kështu.

Kush ka qenë Jolanda e para viteve ’90-të?

Për kohën atëherë, kam një nostalgji të madhe, për momentet e bukura në skenë. Shpesh, pyes pse kompozitorët me emër nuk i favorizojnë këngëtarët e mirëfilltë?! Është fatkeqësi për ne të detyrohemi të marrim dhe përkthejmë pastaj këngë të huaja bullgare, greke, apo turke, dhe t’i këndojmë. Sot është e vështirë të gjesh edhe miq mes artistësh. Vë re që artisti i ri nuk ka respekt për më të madhin. Gjithsesi, profesionalizmi i ndan këngëtarët, sepse kur vjen puna për të kënduar live, nuk i sheh asnjë nga ato këngëtaret e bukura në skenë.

Nostalgjia për atë kohë, mos ka qenë për faktin se ishit “e privilegjuar”?

Të gjithë artistët kanë qenë të privilegjuar, sepse ishin të vlerësuar. Ju duhet të kuptoni se ne kalonim në një seleksionim të rreptë, derisa arrinim skenën. Këndohej “live” dhe bashkëpunohej me kompozitorë apo udhëheqës artistikë që ishin korifenj të muzikës.

Ka ekzistuar rivaliteti mes artistëve atëherë? Si e shihnin këngëtaret?

Po ka ekzistuar, por jo kaq sa sot. Atëherë nëse nuk mund të ishe këngëtare, nuk mund të bëheshe. Ndërsa sot, studiot elektronike, marketingu, kanë bërë që këngëtare të shumta të dalin në skenë më zërin e përpunuar në kompjuter, por pa pasur zotësi të vërteta.

Kush ka qenë mikesha juaj më e mirë në art?

Këngëtarja e brezit tim, ka qenë Parashqevi Simaku. Ne kemi dalë në të njëjtën kohë në skenë në vitin 1981. Kam qenë 16 vjeçe. Ajo nga Kavaja, unë nga Durrësi. Kemi qenë shumë shoqe. Ajo është rritur në shtëpinë time në Durrës. E ruaj afeksionin dhe dashurinë për të, na ndajnë oqeanet, por vendin e saj tek unë nuk e zë asgjë.

Jeta juaj, familja, nuk njihet shumë. Më tregoni për të?

Unë jam bija e dy njerëzve të njohur në Durrës. Nëna ime, Pina Thani, ka qenë atlete dhe hedhëse gjyleje, disku, ka thyer disa rekorde brenda dhe jashtë Shqipërisë. Më pas, ajo ka jetuar 20 vjet në Zvicër. Ndërsa babai im, Petraq Dhamo, ishte një nga këngëtarët shumë të njohur të estradës së Durrësit dhe unë kam punuar me të. Ata nuk jetojnë më, prej disa vitesh, pasi janë ndarë nga jeta. Veçanërisht, nëna më mungon shumë! Njeriu më i afërt që më ka mbetur tashmë nga familja, është motra Marina.

 

Po jeta juaj aktuale cila është?

Unë vazhdoj të jetoj midis Durrësit, Tiranës dhe Athinës, ndërkohë, gjatë gjithë vitit, jam në koncerte nëpër botë dhe gjithë Shqipërinë. Punës nuk i them jo. Sot mund të them se nuk këndoj më vetëm për pasion, por, mbi të gjitha, për të ardhura. Jetoj në mënyrë dinjitoze me punën time. Nuk jam e pasur, por jetoj mirë.

Pasioni juaj më i madh jashtë muzikës?

Motorët, i adhuroj! Shumë e dinë këtë. E kam zbuluar këtë pasion në Greqi ku motori përdoret gjerësisht. Më pas mu shtua dëshira dhe sot kam motorë me cilindratë të madhe. Edhe në Shqipëri, udhëtoja me motor, por këtu ka mentalitet ende të ndryshkur. Më shikonin shtrembër e m’u desh ta “parkoja” e të merrja makinë. Motori është personifikim i saktë i asaj që ndihem në shpirt, e lirë, me pasion, rebele!

Ju jeni gjithmonë e veshur sport. Një zgjedhje kjo?

Një tjetër pasion i madh, fiksim madje, shpesh i dëmshëm. Unë kam një pasion të çmendur pas shoping-ut, veçanërisht në rroba sportive, marka veshjes sportive. Tentova njëherë të bëj një pauzë, ha ha ha, por ju riktheva përsëri. Nuk janë pjesë e natyrës time veshjet femërore, elegante, me fustane e funde. Vetëm në skenë i përdor ato.

 

Festivali i fundit për ju në  RTSH, ka qenë në ’89. Ke menduar të rikthehesh?

Vetëm nëse do të këndoja një këngë shumë të bukur. Por prapë them se nuk e shoh të arsyeshme, pasi këngëtarët me karrierë si unë, nuk mund t’i vlerësojë një juri e caktuar. Nuk më duket normale. Ashtu siç nuk më duket normale që këngëtarë të njohur, edhe të brezit tim, të luten apo ta kërkojnë si favor të këndojnë nëpër aktivitete apo spektakle televizivë. Ne kemi vendin tonë në artin shqiptar, të fituar me djersë e talent. Kurrë, kurrë nuk do të lutem për të kënduar diku, si shumë të tjerë! Unë jam Jolanda, publiku e di, njerëzit e artit e dinë dhe dinë ku të më gjejnë.

Keni arritur të jepni gjithçka në skenë. Cili ka qenë maksimumi juaj?

Them se nuk ka mbaruar arti për mua, nuk ka ende një maksimum. Në skenë vazhdoj të jem Jolanda e ëmbël, me zë karakteristik të veshur dhe që tashmë njerëzit më njohin e unë përpiqem të jap maksimumin për ta.

Ka një peng sot, Jolanda?

Në fakt e kam. Një nga dashuritë e mia më të mëdha, është qyteti im i lindjes, Durrësi. Janë dhënë disa herë çmime e tituj nga Presidenti i Republikës dhe e vlerësoj mundin e çdokujt. Por asnjë këngëtare nga Durrësi, nuk e ka marrë. Në aktivitet të plotë, sot, nga ai qytet, jam vetëm unë. E them duke lënë mënjanë modestinë, se e meritoj një titull nga Presidenti i Republikës. E meritoj unë dhe Durrësi. I kam shkruar Presidentit Nishani, të cilin e kam edhe patriot, për mënyrën se si ndihem dhe i kam kërkuar ta shqyrtojë kandidaturën time. Asnjë përgjigje. Më ka ardhur shumë keq, sepse Durrësi është qytet i madh e me tradita dhe e meriton më tepër. Por do të vazhdoj ta kërkoj këtë të drejtë, në presidencën e ardhshme.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: