Ish-aviatori, Niazi Nelaj: Si u rebeluan oficerët e aviacionit shqiptar në Kinë

Ish-aviatori, Niazi Nelaj: Si u rebeluan oficerët e aviacionit shqiptar në Kinë
INTERVISTA/ Ish-aviatori, Niazi Nelaj, tregon historinë e bojkotit të stërvitjes nga pilotët shqiptarë për kushtet e jetesës. Hakmarrja e regjimit komunist që e shkriu gjithë grupin ushtarak

Pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me ish-BS në vitin 1961, shumica e studentëve ushtarakë që ishin në këtë vend u zhvendosën në Kinë. Kina ishte një vend ende pa atë shkëlqim ekonomik dhe me bujqësi të prapambetur. Studentët ushtarakë u ndeshën me shumë problem si në akomodim por edhe në ushqim. Rusia ndryshonte si nata me ditën me Kinën. Për të pasur një panoramë më të qartë se si studionin, akomodoheshin dhe stërviteshin studentët tanë ushtarakë në Kinë, biseduam me ish-pilotin, në atë kohë student në Kinë, Niazi Nelaj.

Ish-Piloti rrëfen edhe një detaj interesant dhe thuajse të pabesueshëm në kohën e një regjimi të ashpër. Disa nga oficerët-pilotë të aviacionit ushtarak shqiptar, refuzuan kushtet e jetesës në Kinë dhe braktisën stërvitjen. Ata u sollën në grup në Shqipëri dhe u përjashtuan nga aviacioni, duke përfunduar në punë të rëndomta.

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. Zholi

Pas prishjes së marrëdhënieve me BS, ju çuan për të mësuar në Kinë. Si ju pritën në këtë vend dhe si ishte klima në raport me Rusinë?

Po, është e vërtetë. Aty shkuam dhe pse askush nuk e kishte dëshirë. Ishte 8 janar i vitit 1962. Me të mbërritur në shkollën e aviacionit, vendasit na rezervuan një ceremoni mirëseardhje, fantastike. Në jetën tonë nuk kishim parë të tillë pritje.

Të gjithë qeshnin, apo na dukej neve sikur qeshnin, mbasi dhëmbët i mbanin përjashta.

Ajo që më shokoi ishte uniforma që kishin veshur ata që na pritën. Kishim parë e kishim veshur uniformën e ushtarakëve sovjetikë, shqiptarë e të vendeve të tjerë "miq" dhe ishim mësuar të shikonim ushtarakë të cilët e donin shumë uniformën dhe kujdeseshin që të ishin sa më të pashëm. Ata që na pritën ishin të veshur, siç kishin mundur dhe uniformat e tyre dukeshin si një mozaik, me ngjyra e forma të çuditshme. Aty pashë, për herë të parë uniformë "hibrid"; gjysma e ushtarakut ishte veshur me uniformë ushtarake; gjysma tjetër me rroba civile.

 

Po kushtet e jetesës si ishin?

Në mjediset ku do të flinim gjetëm atë që nuk na e kapte as fantazia më e shfrenuar, të cilën nuk do ta donim kurrë. Edhe mua, fshatarit, që jam rritur në fshat, në kushte tejet të vështirë, pa as më të voglin komoditet, më bëri përshtypje ajo mënyrë jetese. Disa oficerë të lartë, të shkollës, mes tyre dhe komandanti i saj na bënë shoqëri e na prezantuan me kushtet e jetesës. Ishim në një sallon, i cili shërbente si paradhomë e fjetinës. Shtatë studentë shqiptarë, për pilotë dhe 5-6 oficerë të lartë kinezë.

Oratori, me pathos u thurte lavde dy arkitektëve të kësaj miqësie: Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës. Ai, me një zë lutës, dukej sikur kërkonte ndjesë që ne, miqtë e shtrenjtë, të ardhur nga Shqipëria Socialiste, ndodheshim në vendin e tij në një kohë krize ekonomike, kur nuk kishte patur reshje shiu, gjatë tre vjetëve të fundit. Këtë lloj justifikimi e dëgjova shpesh gjatë kohës që qëndrova në Kinë.

Po si e shpjegoni që ju pritën me brohorima dhe ju vunë të studioni dhe të stërviteni në ato kushte?

Ishim të përzënë nga Bashkimi Sovjetik, ku, për të thënë të vërtetën gjetëm kushte jetese më të mira nga ato që lamë në vendin tonë dhe rusët përkujdeseshin për ne që të mos na mungonte asgjë. Kinezët, të kujdesshëm, ndaj mysafirëve, nuk donin të ulej “piaca”. Nuk donin as që të tregonin se ishin shumë më të varfër se sovjetikët. Ne e shikonim që ishin në hall.

Më vonë mësuam se për këtë duhet “t’ia dinim për nder” komandantit tonë të aviacionit, Edip Ohri. Ai kishte qenë në Kinë pak pasi mbërritëm ne dhe, mes porosive të shumta që kishte lënë, u kishte thënë autoriteteve kineze të aviacionit: "Studentët dhe oficerët shqiptarë të aviacionit, t’i trajtoni njëlloj si tuajët"!

Porositë e komandantit të Aviacionit shqiptar u mirëpritën e u vlerësuan nga vendasit, studentët dhe oficerët e të cilëve stërviteshin e jetonin në kushte, në të cilët, ne e kishim të vështirë t’i përballonim.

Kur studionim në shkollën sovjetike të aviacionit, ishim të përkëdhelurit e regjimit. Ishim mësuar "ta lironim rripin "e të notonim në bollëk; tani duhet "ta shtrëngonim rripin" përsëri, e të përjetonim kufizime, të cilat edhe në Shqipërinë e varfër të asaj kohe, nuk i ndeshje shpesh.

Ushtari kinez, krahasuar me atë sovjetik, përjetonte kufizime ekonomike të papara. Por edhe oficerët kinezë nuk e kishin jetesën më të begatë.

 

Edhe oficerët ishin në të njëjtat kushte?

Ata pretenduan trajtim të diferencuar, në krahasim me ne, studentët, dhe përftime materiale, sipas avantazheve që u jepte grada e oficerit. Nëse nuk mund të trajtoheshin si oficerët sovjetikë, së paku të kishin përftimet që u takonin si oficerë të vendit të tyre. Mirëpo menaxherët kinezë që merreshin me këto punë e kishin marrë udhëzimin nga komandanti aviacionit shqiptar për trajtimin tonë, prandaj na futën "në një thes". Oficerëve nuk u dhanë as pagat, jo vetëm në Kinë, por as familjeve të tyre, në Shqipëri. Ky trajtim i pamerituar i revoltoi oficerët tanë të aviacionit, të cilët bënë disa përçapje, pa rezultat dhe më në fund refuzuan, në grup të nisnin programin teorik dhe atë praktik. U revoltuan e protestuan oficerët që studionin për pilotë por përballë këmbënguljes kineze dhe kokëfortësisë e vendosmërisë të qeverisë tonë, ata preferuan të ndërprisnin apo të mos nisnin stërvitjen ajrore, për pasojë u kthyen në Shqipëri, ku disa u liruan nga ushtria e disa të tjerë u caktuan në detyra të ndryshme, jo fluturuese.

 

 

Po si vijoi fati i atyre që u rebeluan?

Për t’u bërë presion oficerëve të të revoltuar e për të na dhënë mësim ne, studentëve, që të mos ndiqnim shembullin e tyre, autoritetet e Ministrisë tonë të Mbrojtjes urdhëruan kthimin në Shqipëri të grupit të oficerëve për pilotë, pa përjashtim. Ai grup, në përbërje të të cilit kishte talente që premtonin shumë në fushën e pilotimit, “u krasit “pa kriter dhe u shpërbë keqas. Vetëm njëri, Servet Murati, pas disa viteve, me këmbënguljen e tij, iu kthye fluturimit në aeroplanët reaktivë për të cilët kishte mësuar dhe arriti në sferat më të larta të drejtimit të aviacionit, madje u emërua komandant i shkollës së lartë të aviacionit. U rikthye në fluturim edhe Baftjar Metaj, por në helikopterët Mi-4 dhe Gëzim Picari, instruktor, në avionët fillestarë mësimorë, me helikë, Tip-61. Një vendim i nxituar e i pathelluar si duhet, bëri një dëm të pallogaritshëm për armën e aviacionit tonë. Plot me halle ishte aviacioni shqiptar; mediokriteti i shtoi edhe një telash të madh. Më shkojnë mornica nëpër trup, edhe sot, kur kujtoj se piloti i talentuar (paçka se i pa diplomuar) Bilush Imeraj, jo vetëm që u lirua nga ushtria, por, kur u kthye në Shqipëri autoritetet inatçore të ushtrisë e të aviacionit, nuk i dhanë asnjë lloj pune, të paktën si shokëve të tij, të të njëjtit hall. Bilushi, i papërkrahje, për të përballuar jetën u detyrua të shkonte çoban, me dele, në tufat e dhenve të Kooperativës Bujqësore të fshatit “Asim Zeneli”. Çfarë ironie!

 

Po thoni se për një protestë në lidhje me kushtet e jetesës u ndërpre karriera ushtarake e oficerëve të aviacionit?

 

Refuzimi për të vijuar shkollën dhe revolta e kolegëve tanë oficerë ishte futur në kanale politike. Dikush e quajti dezertim, në rrethe të tjerë ushtarakësh e krahasonin me tradhtinë ndaj atdheut etj.

 

Po si reagoi shteti shqiptar ndaj jush në atë kohë?

 

Na mblodhën në sallën e një hoteli luksoz. Nuk e dinim përse na kishin thirrur, as se kush do na fliste. Kur hymë në sallë, pamë se radha e parë e platesë ishte e rezervuar për anëtarët e delegacionit ushtarak, nga Shqipëria. Ata ishin në funksione drejtuese, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në njësitë e ushtrisë tonë. Me grada e funksione të larta, të kapardisur e me çanta lëkure, fine, në duar. Ne, studentët për pilotë, të dy grupeve mësimorë, zumë vend pas tyre dhe qëndruam në pritje të shtetarit të rëndësishëm.

Në sallë hyri shefi hijerëndë, gjenerali Petrit Dume. Si me komandë, u çuam në këmbë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me atë trup jo të gjatë, më tepër rrumbullak, me flokë të rëna përpara e me ca cullufe të gjata të cilat i kishte hedhur anash, për të mbuluar tullën, u ul i vetëm përballë nesh, në një kolltuk një vendesh. E parashikonim se do të kishim një bisedë të vështirë.

Bisedën e nisi shefi. Atij i merrej goja. U bëmë sy e veshë, të gatshëm të përpinim çdo fjalë të tij, me shpresë mos na dëftonte ndonjë gjë të re nga Shqipëria, për të cilën kishim mall. Fjalët e para të shefit të madh ishin tepër të rënda e ç'orientuese për ne. Ai, mes asaj qetësie të frikshme, me zë të fortë por duke belbëzuar tha:

"P...o... j.. u... q... u... rr... a... sh... e...ve, përse nuk u pëlqen Kina?”

Fjalët e tij ishin sikur të binte rrufeja, në qiell të hapët. E dëgjuam akuzën e tij dhe u strukëm në karriget ku ishim ulur. Shefi na ftoi t’i përgjigjeshim por ne nuk na e mbante të flisnim. Heshtje. Pas pak u ngrit studenti për pilot, i grupit të shturmanëve, Jorgo Tabaku, nga fshati Hiçisht i rrethit të Korçës.

“Shoku gjeneral, tha kurajozi, ne na pëlqen Kina por kërkojmë të na plotësohen disa kushte, për të cilat ka mundësi të plota, por diçka pengon".

Atëherë, Petrit Dume, pa gjetur fjalët që ta kundërshtonte logjikën e shokut tonë, kërkesat e të cilit ishin dhe tonat, me një gjest prej kapadaiu, i dha urdhër shoqëruesit të tij të bindur: "Këtë bashibozuk kthejeni menjëherë në Shqipëri"! Dikush nga shoqëruesit e shefit, i cili rrinte me fletore në dorë, shpejt e shpejt dhe me përunjësi, diçka shkroi në atë palo fletore dhe e vendosi atë në çantën e tij elegante. Ajo që dëgjuam na shokoi, megjithëse, siç u zhvilluan ngjarjet, urdhri nuk u zbatua kurrë dhe Jorgo "bashibozuku" vazhdoi e përfundoi programin mësimor, tok me shokët.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: