Elis Bakaj në Bukuresht, zyrtarizimi i ekipit të ri çështje orësh

Elis Bakaj në Bukuresht, zyrtarizimi i ekipit të ri çështje orësh
Ish-mesfushori i Vllaznisë pas largimit me shumë bujë nga Shqipëria pritet të vendosë mbi dy oferta që ka në kryeqytetin rumun. Situatë e ngjashme edhe me Hamdi Salihin, në Austri 

Aranit Muraçi

Elis Bakaj ka rrëzuar çdo mundësi rikthimi në Kategorinë Superiore. Pas largimit të bujshëm nga Vllaznia, në mbyllje të këtij sezoni, teksa Bakaj refuzoi të luante ndaj Tiranës, janë të shumtë tifozët që i sugjerojnë mesfushorit të rikthehet te bardheblutë. Por Bakaj, 30-vjeç, pritet të ketë një përvojë të re në Rumani ose Qipro.

Mesfushori ndodhet prej disa ditësh në Bukuresh ku pritet të zyrtarizojë ekipin e ri. Ai pranoi për “Albanian Free Press”, se shumë shpejt brenda ditëve të para të javës do të vendosë për ekipin e ardhshëm. “Janë dy ekipe, me të cilat do të mbyll marrëveshjen, një rumun dhe një qipriot,” – theksoi Bakaj, duke qenë më afër nënshkrimit me skuadrën kryeqytetase rumune. Do të jetë Dinamo Bukuresht, ekip me të cilin ai ka luajtur disa sezone më parë, apo Apoel Nikosia, skuadra qipriote që kërkon shërbimet e tij, kjo mbetet për t’u mësuar në dy ditët e para të javës.

Bakaj, para se të zyrtarizojë marrëveshjen me ekipin e tij e ri,  renditi edhe klubet me të cilat ai ka luajtur deri tani. Mesfushori që ka provuar të mbrojë edhe ngjyrat e kombëtares e ka nisur karrierën me Partizanin, më pas kaloi te Dinamo. Përvoja e tij e parë jashtë ka qenë Dinamo e Bukureshtit, për të kaluar më pas te ukrainasit e  Chernomorets Odessa. Bakaj u rikthye te Tirana tre sezone më herët dhe kaloi sërish në një kampionat të huaj, Hapoel Raanana, në Izrael. Lëvizjet e tij kane në të shpeshta pasi provoi edhe një eksperiencë në Kroaci me Split për t’u rikthyer në pjesën e dytë të këtij sezoni në Shqipëri, ku luajti me Vllaznisë. Elis Bakaj nuk do të jetë futbollisti i vetëm i rëndësishëm i kampionatit shqiptar që ndryshon destinacion, për një ligë më të rëndësishme.

Edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut Hamdi Salihi pritet të zyrtarizojë shumë shpejt ekipin e ri, ku mësohet se më i mundshëm është rikthimi i tij në një nga dy ligat ku ka luajtur më parë, Austri ose Kinë. Kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi, ishte ndër futbollistët e parë të kampionatit shqiptar që zyrtarizoi largimin në një ligë të huaj, atë kroate.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: