E MAJTA KA RËNË... (Edhe sikur të fitojë më 25)- NGA FRROK ÇUPI

E MAJTA KA RËNË... (Edhe sikur të fitojë më 25)- NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk mund të them se e majta nuk do të fitojë shumicë edhe kësaj here, më 25... Ashtu sikurse edhe nuk mund ta pohoj. Ka një ‘bombë’ fitimtari që ka sjellë me vete e Majta që nga origjina e vet në Shqipëri, aty nga viti ‘39 e pastaj ‘41 i shekullit të kaluar...

‘Bomba’ që pruri me vete e Majta jonë, më ekstremistja dhe më e dhunshme se kudo në botë, në më të shumtën e herës e ka ndihmuar edhe të Majtën ‘e re’ të tanishme që të fitojë në popull. Fitorja më e garantuar që vjen nga thellësia e kohës, bazohet pikërisht mbi të keqen e prodhuar prej vetë të Majtës. Edhe pse thuajse është ndryshuar brezi i popullsisë që nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste, përsëri ‘komunistja’ ka rrënjë të thella edhe te brezi i pastajmë; jo vetëm te partizanët dhe sigurimsat e betuar... Por kjo është ‘bomba’ me dy funksione: E para se i josh njerëzit që dashurojnë ‘perënditë e vdekura’; dhe, e dyta se iu tregon ku e mbështesin forcën.

Të majtët, edhe pa e ditur, forcën e tyre e mbështesin te numri më i lartë i të devotshmëve majtistë përballë të tjerëve që janë: o të djathtë, o kundërshtarë të tjerë politik për shkak të vuajtjeve nga diktatura komuniste. Këta thonë herë pas here se ‘populli shqiptar është i majtë’ (e keni dëgjuar); herë thonë se ‘kemi një milionë shuplaka më shumë’ (e keni dëgjuar). Por kjo është ajo gjëja e tmerrshme që ka prodhuar e Majta. Vetëm në një diktaturë të egër sa ç’ishte diktatura komuniste këtu; vetëm aty mund mbeten rrënjë kaq të thella majtizmi. Vetëm në një diktaturë të egër si kjo, njerëzit nuk mund të dalin ‘mbi ujë’ për një kohë të gjatë. Në një diktaturë të egër, oponenca ndaj diktaturës mbetet numerikisht e dobët, natyrisht.

E Majta ka numër të madh njerëzish! Kjo është e vërtetë; por kjo është fatkeqësia dhe bomba që i pëlcet të majtës, me sot e me nesër. Aq më keq që po ndodh që liderët e të majtës lavdërohen me ‘bombën’ fatkeqe. Ata janë të lumtur që kanë qëlluar në atë anë me trashëgimi ‘shumice’, prurë nga periudha e diktaturës.

Efektet e para të ‘bombës’ së prurë nga diktatura kanë nisur të duken. Efekti i parë është konflikti mes pjesëve të të Majtës. Mes dy ‘dashnorëve’ politik të famshëm, më të nxehtit e katër vjetëve, ka nisur konflikti ‘për jetë a vdekje’. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, (herë i njëjti trup e herë e njëjta zemër) ndodhen në betejën ‘finale’. PS e ka akuzuar LSI-në që e kishte në koalicion, për dështimet e qeverisë dhe të vendit; e ka vënë para murit si ‘nepotike’ dhe si ‘blerëse votash’. Krahas kësaj po i heq njerëzit nga punët shtetërore dhe po i dhunon fizikisht aktivistët në rajone, të paktën sipas lajmeve, sipas policisë dhe sipas LSI. LSI ka kërkuar deri ‘armatosjen’ e popullsisë për të shpëtuar nga PS... Por a do të jetë kjo lufta ‘finale’?! Kjo mund të mos jetë luftë finale, sepse e majta e ka në natyrë riciklimin e konfliktit brenda vetes dhe brenda species. Kjo e rrënon. Që kurse u krijua Partia Komuniste, u krijua përmes konflikteve. Edhe gjatë rrugës për pushtet, liderët hëngrën kokën e njëri tjetrit, deri në eliminimin fizik. Vetë socializmi hëngri vetveten. Kësaj here, e Majta dëshmoi se ‘u turpërua’ para popullit; i doli kallaji. Kjo është humbja; edhe sikur të fitojë zgjedhjet e  datës 25. E majta nuk mund të besohet më.

E Majta ka ardhur me një ‘bombë’ tjetër në duar nga ‘epoka e fundit’- kjo e mbajtjes së pushtetit për katër vjet. Kjo është ‘trofeja’ e pushtetit. Gjatë pushtetit prej katër vjetësh, me dy aleatë të majtë, u krijua gjithë klima e përshtatshme për korrupsion dhe krim ‘brenda llojit’. Këtë lloj krimi, dmth., edhe korrupsioni, nuk ka zot në botë që ta zbulojë gjatë kohës që zhvillohet nën të njëjtën ‘besnikëri’ të llojit. Tani ka plasur mes dy pjesëve Majtiste të qeverisjes. Çfarë nuk ka ndodhur për katër vjet aty brenda ‘bunkerit’ të Majtë?!. Janë vjedhur shuma marramendëse nga pasuria publike..., është ndarë territori dhe natyra e vendit në pak duar..., është vënë pasuria në emër të dikujt tjetër..., është vrarë një bankier i famshëm dhe ishin bërë gati shumë vrasje politike..., ishte mbushur shteti me kriminelë..., është vënë pasuri e madhe në off-shore..., është mbytur vendi në drogë...

Deri tani akoma nuk është thënë asgjë mes PS dhe LSI. Ajo çfarë do të ndodhë pas datës 26 qershor, ajo do të jetë ‘pjesa e luanit’. Secili do të tregojë ‘mëkatin’ e tjetrit. Pronarët e rremë të pasurisë nuk do të kthejnë paratë që krerët e pushtetit kanë kaluar në duar ‘të të besuarve’. Si ndodhi në kohën e Kominternit?... Ali Kelmendi i plaçkiti Petro Markos paratë e luftës, që i ishin ‘mirëbesuar’... Kjo është. Ideja e lançuar për një ‘Vetting të suksesshëm’ mund të zëvendësohet nga një vetëgjyqësi mes dy pjesëve të të Majtës... Partia Socialiste, menjëherë pas 25, do të shkarkojë presidentin e zgjedhur Meta (edhe ky i Majtë). Do të jetë akti i parë i këtij lloji: Presidenti akoma pa marrë detyrën do të shkarkohet. Kryetari i PS ka përmendur edhe ‘gjyqin për korrupsion’ të Metës.... Po çfarë di Meta për palën tjetër?... Pastaj pasojat e tjera...

Edhe sikur më 25, e Majta të fitojë zgjedhjet, megjithatë... ka rënë. Skemat e lëshuara nga analistë pranë të të Majtës ose edhe nga vetë kryetari i PS për një ‘qeverisje me të djathtën’, ose për ‘gjysmë mandati PS e gjysmën PD’, tregojnë se dikush e ndien se ‘të Majtës nuk i mbajnë gjunjët’.

Edhe sikur të fitojë zgjedhjet e 25 qershorit, e majta ka rënë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: