De Biasi nderohet nga MAS: Pasuesi im te Shqipëria? Lippi, Capello, ose Trapattoni

De Biasi nderohet nga MAS: Pasuesi im te Shqipëria? Lippi, Capello, ose Trapattoni
Disa ditë pasi u largua zyrtarisht nga stoli i kombëtares shqiptare duke i dhënë fund një eksperience që zgjati plot 5 vite e gjysmë,

Gianni De Biasi është vlerësuar sot nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në shenjë mirënjohjeje për arritjet e kombëtares së futbollit. Pasi mori çmimin në zyrat e këtij instuticioni De Biasi u ndal të fliste për të ardhmen e tij. Ai tha se pas lënies së Kombëtares së Shqipërisë ende në drejtim të tij nuk ka ardhur asnjë ofertë për të vazhduar karrierën si trajner.

Përsa i përket pasuesit të tij në stolin e kuqezinjëve italiani theksoi se presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka do të dijë të bëjë zgjedhjen më të mirë.

“Presidenti Duka do të bëjë një kërkim të kujdesshëm dhe nuk do të lërë pas dore asnjë detaj. E rëndësishme është që trajneri i ri të jetë një zgjedhje e mirë që Shqipëria të rritet dhe të përmirësohet. E kam ende të nxehtë  telefonin, sepse Shqipëria është bërë një kombëtare interesante. Sot kuqezinjtë janë një skuadër që u jep mundësinë trajnerëve të reklamohen, sepse kanë mundësi të kualifikohet në Europianin e ardhshëm dhe janë të shumtë ata që interesohen”.

De Biasi i pyetur për pasuesin e tij përmendi edhe disa emra, në formë batute, se cili mund të jetë pasuesi i tij te kombëtarja kuqezi.

“Lippi, Capello, Trapattoni,” – tha De Biasi.

Të gjitha emra të të mëdhenj të futbollit italian, që aktualisht drejtojnë ekipe të tjera. Në stolin e Shqipërisë emri më i lakuar i momentit mbetet ish-sulmuesi i Milan, Filipo Inzaghi...

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: