Constandinides: Objektivi i madh i Shqipërisë, kualifikimi në Eurobasket 2021

Constandinides: Objektivi i madh i Shqipërisë, kualifikimi në Eurobasket 2021
Antonis Constandinides, trajneri i Kombëtares shqiptare të Basketbollit: Objektivat janë dy: kualifikimi në EUROBASKET 2021 dhe zhvillimi i lojtarëve të rinj në ekipin e të rinjve të kombëtares

“Shembulli më i mirë për mua dhe për lojtarët që drejtoj është skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë. Ata bënë një punë të shkëlqyer përgjatë viteve të fundit dhe arritën të kualifikoheshin në finalet e Kampionatit Europian (Francë 2016)”

Federata Shqiptare e Basketbollit për të ringritur basketbollin shqiptar që të ketë sukses në arenat ndërkombëtare, ashtu siç ndodhte vite më parë, i besoi gati një vit më parë një trajneri të huaj.   Antonis Constantinides, 43-vjeç, aktualisht trajner i Kombëtares shqiptare të Basketbollit, si dhe drejton njëkohësisht edhe ekipin qipriot të basketbollit APOEL. Edhe pse i ri në moshë, Antonis Constandinides, ka shënuar sukses në drejtim të shumë ekipeve, kudo ku ka shkuar, ndaj edhe nga kjo eksperiencë e tij, basketbolli shqiptar në nivelet kombëtare sapo ka nisur të zgjohet nga “gjumi letargjik”. Trajneri i ri me dy ndihmësit e tij shqiptar po eksploron kudo, ashtu si Gianni de Biasi me kombëtaren e futbollit, për të gjetur lojtarët e duhur për basketbollin. Antonis është zgjedhur trajner i vitit më 2010 dhe 2011 në Qipro, por ka edhe eksperiencë në Greqi, vende me basketboll shumë të zhvilluar në rajon, që ndryshe nga Shqipëria basketbollin e la për vite më radhë në mëshirë të fatit.  - “Disa vite më parë Shqipëria ka pasur traditë dhe kë bërë histori në basketboll ndaj edhe ne duhet ta rikthejmë basketbollin shqiptar në nivelin që i takon,” thotë në një intervistë për  “Albanian Free Press” Constantinides, i cili lidhur me të ardhmen zbulon edhe dy objektivat kryesorë në krye të Kombëtares shqiptare të Basketbollit:

Kombëtarja Shqiptare e Basketbollit para një ndeshjeje

“Shembulli më i mirë për mua dhe për lojtarët që drejtoj është skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë. Ata bënë një punë të shkëlqyer përgjatë viteve të fundit dhe arritën të kualifikoheshin në finalet e Kampionatit Europian (Francë 2016)”

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi

Zoti Constandinides, çfarë mendoni se i mungon ekipit Kombëtar Shqiptar të basketbollit për të qenë më konkurrues në nivelet ndërkombëtare?

Për fat të keq, për shumë arsye, Kombëtarja shqiptare ka qenë joaktive për disa vjet. Në fakt ky ishte një nga problemet më të mëdha që kam gjetur verën e kaluar kur u bëra trajner kreu i ekipit kombëtar. Ne ishim jashtë hartës evropiane të basketbollit për disa vite me radhë. Falë një fillimi të ri dhe tepër optimist që nisëm verën e kaluar, tani na duhet kohë që të krijojmë sërish një ekip kombëtar shumë të fortë për ta bërë atë pjesë të garave të një profili të lartë. Ne duhet të krijojmë një ekip të ri dhe të fortë që të jetë gati dhe të ketë sukses në nivelet më të larta evropiane. Sigurisht, kjo nuk është e lehtë. Kërkohet kohë e nevojshme dhe një punë e madhe nga të gjithë, por mund t’ia dalim. Shumë vite më parë, Shqipëria kishte traditë dhe histori në basketboll, prandaj duhet ta kthejmë basketbollin shqiptar në vendin që i takon. Jemi të lumtur me punën e bërë nga federata dhe presidenti i saj, Avni Ponari. Për çdo gjë që i kemi kërkuar (presidentit) për të përmirësuar kushtet e kombëtares, ai ka afruar ndihmë. Mos harrojmë që gjëja më e rëndësishme në sport, nëse duam një ekip që të ketë sukses, janë kushtet më të mira për lojtarët dhe trajnerët. Objektivi ynë kryesor është që të gjitha ekipet kombëtare shqiptare të luajnë në nivele profesionale.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari dhe trajneri Antonis Constantinides

Si do të mund ta përshkruanit gjendjen aktuale të basketbollit në Shqipëri?

Gjatë 5-6 viteve të fundit nuk ka qenë e mirë në termat organizativë të klubeve dhe ekipeve të çdo moshe dhe sigurisht kjo ka pasur ndikim në nivelin e basketbollit. Dikush që e njeh basketbollin lehtësisht e kupton këtë, kur ndjek ndeshjet. Në dy vitet e kaluara, të gjithë po bëjnë përpjekje të ringrenë basketbollin sërish, që nga klubet te Federata. Ditë pas dite ne jemi duke bërë një hap përpara. Të gjitha ekipet kombëtare janë kthyer aktualisht në ekipe aktive. Niveli i kampionateve në Shqipëri vit pas viti po vjen e po bëhet gjithnjë e më i lartë. Lojtarët e kombëtares që luanin deri tani në Kosovë po rikthehen që të luajnë sërish në Shqipëri. Vitin e kaluar ne pamë që kampionët e Shqipërisë, Tirana, morën pjesë në Ligën e Ballkanit. Për sezonin tjetër, i kam sugjeruar Federatës që njëra nga ekipet tona të ligës vendase të marrë pjesë edhe në kompeticionin “FIBA EUROPE CUP”. Do të ishte një eksperiencë e këndshme rreth nivelit të basketbollit si dhe do të ndihmonte në promovimin e basketbollit shqiptar. Të gjitha këto tregojnë se jemi në rrugën e duhur dhe po përmirësohemi gjithashtu dita-ditës. Në fund, gjëja më pozitive që më bën të lumtur është numri i fëmijëve, që janë të interesuar për basketbollin.

Cilat ishin pritshmëritë tuaja kur u bëtë trajner i kombëtares së Shqipërisë dhe a jeni tani i lumtur me këtë eksperiencë të re?

I kam kapërcyer në të kaluarën termat e objektivave, si trajner. Nuk besoj se mund të arrihen majat, nëse nuk i vë qëllim vetes për t’i arritur ato. Kam punuar si trajner për disa klube në Qipro, Rumani, Kosovë dhe Greqi, ku kam fituar tituj kampionë dhe kam nxjerrë kampionë. Kjo është detyra ime. Ky është edhe objektivi im kryesor në ekipin Kombëtar të Shqipërisë. Për ne synimi më i madh është pjesëmarrja në EUROBASKET 2021. Kjo nuk është e lehtë, sigurisht, por nëse vazhdojmë të punojmë sipas një plani dhe organizimi të mirë, shanset vijnë për ta arritur atë. Do të ishte fantastike një arritje e tillë. Objektivi tjetër i dytë është të trajnoj në ekipin kombëtar të të rinjve të Shqipërisë sa më shumë të rinj të talentuar, që të jetë e mundur.

Si e shihni të ardhmen e basketbollit në Shqipëri, nisur nga niveli dhe pasioni i të rinjve?

Objektivat janë dy që edhe i shpjegova: kualifikimi në EUROBASKET 2021 dhe zhvillimi i lojtarëve të rinj në ekipin e të rinjve të kombëtares. Gjenerata e re e lojtarëve të kombëtares së Shqipërisë, do të jetë e ardhmja e sigurt e basketbollit shqiptar për disa vite.

Antonis Constantinides, gjatë një ndeshje me Kombëtaren e basketbollit

Mendoni se ka nevojë për ndryshime në Kombëtaren shqiptare të Basketbollit, duke qenë se shumë nga lojtarët shqiptarë aktualisht luajnë jashtë vendit?

Një ndër problemet më të mëdha që kam parë gjatë këtyre viteve në ekipin kombëtar është fakti se lojtarët më të mirë kurrë nuk bashkohen të luajnë së bashku gjatë sezonit të verës. Kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën, për disa arsye. Sigurisht nuk jam shumë i interesuar se çka ndodhur në të shkuarën. Si trajner nuk shoh kurrë pas, vetëm para. Verën e kaluar dhe këtë verë jam përpjekur që të kem lojtarët më të mirë shqiptarë që luajnë jashtë, duke i ftuar këtu në Shqipëri. Fatkeqësisht ishte e vështirë që kjo të ndodhte vitin e kaluar. Këtë verë ne do të kemi një listë më cilësore me disa lojtarë të tjerë, që nuk ishin verën e kaluar. Padyshim që nuk mund të detyrojmë dikë të vijë dhe të luajë në ekipin kombëtar të këtij vendi, nëse nuk ka dëshirë. Dua që lojtarët e ekipit kombëtar që unë drejtoj ta duan ekipin dhe vendin e tyre, si dhe të jenë gati në çdo moment që të japin më të mirën e mundshme. Aktualisht unë dhe ndihmësit e mi jemi duke vëzhguar lojtarë që luajnë në liga të rëndësishme të huaja. Për shembull, ndihmësi im i parë, Afrim Bilali, është përgjegjës për lojtarët që luajnë në Shqipëri, në ligat vendase. Asistenti im i dytë, Endri Rumani, është përgjegjës për lojtarët shqiptarë që luajnë në Greqi, ndërsa unë vëzhgoj dhe zbuloj lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali, Gjermani, Angli dhe SHBA. Ne si staf drejtues përpiqemi të jemi në këtë drejtim profesionistë sa më tepër të jetë e mundur.

Constantinides dhe asistenti i tij Bilali, duke ndjekur një ndeshje të Vllaznisë në Shkodër

Ka ndryshuar jeta juaj mes Qipros dhe Shqipërisë, që kur morët drejtimin e kombëtares shqiptare?

Jam vërtet i gëzuar dhe krenar që jam trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Kjo do të më japë mua mundësi që me të gjithë njohuritë dhe eksperiencën e fituar gjatë punës së tërë këtyre viteve, të ndihmoj basketbollin shqiptar të rikthehet sërish në elitën e basketbollit Europian. Por kjo nuk mund të ndodhë përgjatë një nate. Kërkohet shumë punë dhe kohë. Shembulli më i mirë për mua dhe për lojtarët që drejtoj është skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë. Ata bënë një punë të shkëlqyer përgjatë viteve të fundit dhe arritën të kualifikoheshin në finalet e Kampionatit Europian (Francë 2016).

Në fund një mesazh për lojtarët e basketbollit në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë dhe tifozët e këtij sporti...

Për lojtarët e rinj kam vetëm një këshillë... shumë punë...shumë punë...shumë punë. Jeta nuk është e lehtë dhe basketbolli është si jeta. Nëse doni të keni sukses duhet të punoni çdo ditë, shumë e më shumë. Gjithashtu kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve në çdo rast. Me ta mund të bëjmë shumë gjëra të mundura dhe me sa kam parë, shqiptarët e duan basketbollin.

Atmosfera e festës së Tiranës pas titullit kampion të këtij sezoni, tregues se basketbolli në Shqipëri po ringrihet  

Shpërndajeni me miqtë tuaj: