Camolese pasuesi i De Biazit? Trajneri i ri i Kombëtares pranë zyrtarizimit

Camolese pasuesi i De Biazit? Trajneri i ri i Kombëtares pranë zyrtarizimit
Një tjetër italian pritet të jetë në vend të Gianni de Biasi, ndërsa mbetet të përzgjidhet dhe të zyrtarizohet emri i trajnerit të ri të Kombëtares së Shqipërisë.

Presidenti Armand Duka, pas largimit të De Biasi-t, e bëri të qartë dëshirën për të pasur një tjetër italian në stolin kuqezi. Giancarlo Camolese mund të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë.

Sipas asaj që raporton “Sky Sport”, por nuk përgënjeshtrohen as nga FSHF, ditën e djeshme ka pasur kontakte dhe bisedimet kanë shkuar në një fazë të avancuar me trajnerin Giancarlo Camolese.

Trajneri 56-vjeçar, ka qenë herën e fundit në drejtimin e skuadrës zvicerane, Chiasso. Camolese gjithashtu ka drejtuar skuadra të njohura në Itali, Torino, Reggina, Vicenza, Livorno dhe Pro Vercelli.

Kandidati kryesor për stolin kuqezi, Giancarlo Camolese

Kontrata me trajnerit e ri do të jetë e ndarë në dy pjesë, për këtë vit ku do të përfshihen ndeshjet e mbetura kualifikuese, me të drejtë rinovimi për dy vitet e ardhshme, ku përfshihen kualifikueset e Kampionatit Europian 2020.

Në bisedime me FSHF-në për trajnerin e ri të kombëtares ka qenë edhe 55-vjeçari italian, Masimo Pisheda. Por pas bisedimeve për arsye të ndryshme ai nuk ka pranuar të marrë drejtimin e Kombëtares.

Pisheda ka qenë trajner i grupmoshave të reja të Italisë.

Ish-portieri dhe trajneri i njohur Valter Zenga, gjithashtu një nga të kontaktuarit e FSHF-së për postin e zëvendësuesit të Gianni de Biasi, por momentalisht ai shihet me shanse më të pakta.

Edhe një emër tjetër i shquar italian, Zaccheroni, ishte propozuar si emër i mundshëm i stolit kuqezi.

Detyra e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare është që të drejtojë kuqezinjtë në katër ndeshjet e mbetura kualifikuese të Kupës së Botës “Rusi 2018”, kundër Lihtenshtejnit dhe Italisë në fushën tonë, si dhe ndaj Maqedonisë e Spanjës në transfertë, me objektiv për të mbajtur vendin e tretë.

Aktualisht Shqipëria pozicionohet e treta në Grupin G, me 9 pikë, aq sa ka edhe Izraeli, 7 pikë pas kryesuesve të Spanjës dhe Italisë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: