Basha: Timonin e qeverisë nuk do ta ketë Rama, por populli

Basha: Timonin e qeverisë nuk do ta ketë Rama, por populli
Në mitingun përmbyllës në Fier, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lëshoi një apel për Ramën dhe Metën.

Basha tha se timonin e vërtetë që e kërkojnë të gjithë, nuk do ta ketë as Rama, as Meta dhe asnjë politikan tjetër, por populli.

“Këtu nga Fieri le ta dijë Edi Rama, Ilir Meta dhe çdokush tjetër se reformën në drejtësi nuk e ndal dot më askush. Se institucionet e forta shtetërore të cilat ndihmojnë dhe nuk godasin qytetarët do të jenë edhe më të forta në republikën e re. Me 25 qershor çështja është do të kemi një ekonomi të fortë me taksa të ulëta apo do kemi një shkatërrim tjetër si këto katër vite, me taksa të larta dhe shpenzime fasadë. Nuk është më dhe nuk do jetë më çështje timoni, është çështja e motorit që është ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurt. Timonin e vërtetë kurrë nuk do ta ketë as Edi Rama dhe asnjë politikan tjetër”.

Basha iu referua Ramës si kryeministri i premtimeve të pambajtura që sipas tij po vë në jetë shfaqjen e fundit nga estrada 16 mld euro e katër viteve.

“Edi Rama i premtimeve të pambajtura dhe premtimeve të gabuara ka nisur turin e fundit të gënjeshtrave duke bërë të njëjtat premtime si para katër viteve. Por ai nuk ka plan dhe nuk guxon të përballet as me planin tim as me mua në debat sepse është i humbur dhe e di fare mirë. Do t’i harxhojë këto ditë të fundit me shfaqen e fundit të shëmtuar, estradën e fundit. Sikur të ishte falas do ishte mirë, por mos harroni estradën e Edi Ramës e keni paguar shtrenjtë plot 16 miliardë euro në katër vite. Mos ia falni, ndëshkojeni me votë”. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: