Basha në Tiranë: Të dielën votojmë për ekonominë, jo për Ismail Qemalin

Basha në Tiranë: Të dielën votojmë për ekonominë, jo për Ismail Qemalin
Në bulevardin Dëshmorët e Kombit, aty ku disa javë më parë u mbyll çadra e protestës së opozitës, PD zhvilloi sot mitingun përmbyllës të fushatës elektorale, nga ku lideri i demokratëve tha se të dielën shqiptarët do të themelojnë republikën e re.

Lulzim Basha u kërkoi shqiptarëve të mos e besojnë Edi Ramën, kur flet për të dielën si një udhëkryq ku do të vendoset për flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut.

“Ismail Qemali, babi i pavarësisë, është në zemrat tona. Skënderbeu është identiteti ynë kombëtar, por të dielën le t’i themi Edi Ramës nuk votohet për Skënderbeun, nuk votohet për Ismail Qemalin, por votohet për ekonominë. Dhe ka dy zgjidhje, ose do të zgjidhni të mbani këto taksa me Edi Ramën ose do të votoni për ekonominë e fortë me taksa të ulëta, me planin tim ekonomik”, tha Basha.

“Iu premtova se së shpejti do mblidheshim përsëri këtu për të tretën të vërtetën. Këtu nga kjo çadër ka ushtuar ditë për ditë e le ta dëgjojë sot e gjithë Shqipëria se çfarë keni vendosur për në datën 25 për Edi Ramën. Erdhi në pushtet para 4 vitesh duke premtuar 300 vende pune, erdhi në pushtet duke premtuar rend e siguri, shëndetësi falas, asnjë vend të ri pune nuk hapi dot, Shqipëria u mbulua nga droga, bandat bënin ligjin, arsimi është në kaos”. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: