AMF i heq licencën “Stock International Albania”-s

AMF i heq licencën “Stock International Albania”-s
Shoqërisë “Stock International Albania”, kompani brokerimi për investime në tituj, i është hequr licenca nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Ky vendim i Bordit të AMF-së erdhi pas ushtrimit të inspektimeve në vend pranë kësaj shoqërie dhe mospërmbushjes së detyrimeve të lëna nga vendimi i mëparshëm i Bordit.

“Nga inspektimet e kryera në vend, që prej mesit të muajit mars 2017, AMF gjeti se shoqëria “Stock International Albania” sh.a., në funksionin e saj si agjent i brokerit të licencuar ka mbyllur zyrën ku zhvillonte aktivitetin, ka larguar stafin, si pasojë e vështirësive financiare të saj, nuk dispononte mjete teknike për të siguruar lidhjet mes klientëve dhe se shoqëria nuk ka raportuar pranë AMF-së pasqyrat financiare të vitit 2016 dhe ato lidhur me aktivitetin e kryer për periudhën 1 janar-31 mars 2017”, citon AMF-ja lidhur me një fakt të tillë.

Kujtojmë se kjo kompani ofronte ndërmjetësim për investime në bursë, përmes platformës stock.com., por prej muajsh kishte ndërprerë aktivitetin e saj.

AMF kujton edhe një herë se investimi në platformat online është një aktivitet i cili kërkon një shkallë të lartë të informacionit ekonomik dhe kulturës financiare.

/n.e/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: