A DO TË VOTOJNË TË DJATHTËT E ZHGËNJYER NR. 17, APD?-NGA EDUARD ZALOSHNJA

A DO TË VOTOJNË TË DJATHTËT E ZHGËNJYER NR. 17, APD?-NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Kur Aleanca Popullore për Drejtësi (APD) zhvilloi konventën e saj themeluese në Pallatin e Kongreseve, të gjithë folësit, duke filluar me disidentin e njohur antikomunist, Viktor Martini, e duke përfunduar me kryetarin e APD-së, Bilal Kola, theksuan se kjo parti do të përfaqësonte më së fundi të gjithë të persekutuarit dhe të shpronësuarit nga regjimi komunist, të cilët janë zhgënjyer nga partitë që e mbajnë veten për të djathta.

Duke paraqitur një program puro të djathtë e duke nënshkruar një pakt publik me 31 intelektualë nga familje të persekutuara dhe/ose të shpronësuara nga regjimi komunist, si dhe nga diaspora antikomuniste, APD-ja ka zhvilluar një fushatë kapilare në të gjithë vendin, për të marrë votat e kësaj shtrese të zhgënjyer, në mënyrë që t’i përfaqësojë ato drejtpërdrejt në Kuvendin e Shqipërisë.

Por sa zgjedhës i përkasin kësaj shtrese?

Nga një sondazh që zhvillova para 2 vjetësh për fondacionin e djathtë Konrad Adenauer, rezultoi se 30% e zgjedhësve shqiptarë janë nga familje që janë persekutuar nga regjimi komunist për shkaqe politike ose pronësie (çereku i tyre ishin nga familje që kishin patur fillimisht raporte të mira me regjimin komunist, por më vonë ishin persekutuar prej tij). Duke e përkthyer përqindjen e mësipërme (shihni grafikun 1), mund të thuhet se rreth 660 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj shtrese (s’mund ta dimë se sa jetojnë jashtë vendit).

Dhe sa prej këtyre zgjedhësve kanë votuar për partitë që e mbajnë veten për të djathta?

Nga sondazhi i sipërcituar, rezultonte se gjysma e tyre, rreth 330 mijë, votuan për këto parti në zgjedhjet e para katër vjetëve, rreth 120 mijë votuan për koalicionin e majtë dhe 210 mijë nuk morën fare pjesë në votim (shihni grafikun 2).

Janë pikërisht këta të fundit (220 mijë) që mund të konsiderohen si zgjedhës vërtetë të djathtë, të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura të partive që pretendojnë se janë të djathta.

Teorikisht, ky përbën dhe rezervuarin e parë të mundshëm të votave për APD-në. Ndërkohë, APD-ja mund të kërkojë edhe votat e atyre që para 4 vjetëve votuan djathtas, por janë zhgënjyer aktualisht me opozitën zyrtare.

Sidoqoftë, teorinë nga praktika e ndan një hendek i madh, të cilin kandidatët për deputetë të APD-së, në mungesë të aksesit që kanë patur në mediat kryesore, janë munduar ta kapërcejnë duke trokitur derë më derë, për të sqaruar pikat e programit të tyre. Dhe në fakt, ato pika janë të djathta deri në palcë. Konkretisht:

DEKOMUNISTIZIMI - Ndërmarrja e iniciativave ligjore për dënimin dhe korrigjimin e krimeve komuniste, heqjen e titujve dhe dekoratave të diktatorit komunist, nomenklaturës së lartë si dhe të gjithë shpurës të sigurimit të shtetit, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me lustracionin.

MUZEALIZIMI, KURRIKULAT SHKOLLOR dhe VLERSIMEVE HISTORIKE –Krijimi i muzeve të kujtesës në vendet e vuajtjes, ballafaqimi i nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si me anë të ekskursioneve, ndërtimin e memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë së bashku me murin e Nderit, përmbyllja e plagës së gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe martirëve të lirisë, caktimin e një date përkujtimore, ku i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare në mënyrë solemne të nderojë e respektojë viktimat e regjimit komunist si dhe martirëve të lirisë.

REHABILITIMI - Përmirësime gjithëpërfshirëse të ligjit të cungët të dëmshpërblimit (përfshirja e dosjeve jashtë afatit, zgjerimi i datës nga 9 nëntor ’41, përfitimi i dëmshpërblimit të internuarve, mos-zbritja nga dëmshpërblimi i vlerës së shtëpive të privatizuara dhe e letrave me vlere, konvertimi në vlera monetare ose asete të letrave me vlerë), përcaktimi i kuotës (15% - 20% të përcaktuara me ligj në programet e punësimit, strehimit dhe arsimit, pension nderi, personave të burgosur politikë dhe të internuar)

PRONA - Rivendosja e të Drejtës Kushtetuese e shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur nga shteti diktatorial, duke i kthyer pronën subjekteve të shpronësuara në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës duke eliminuar  pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual si dhe duke mbyllur konfliktet ndërmjet familjeve dhe hequr përfundimisht pengesat për investimet e huaja private, me qëllim realizimin e stabilitetit social dhe ekonomik.

DIASPORA - Krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën (aksesi prioritar i diasporës që disponon know-how dhe mjete financiare në ekonominë e vendit, si p.sh: projekte me partneritet të bizneseve të diasporës në turizëm, infrastrukturë, bujqësi, energji, industri dhe shërbime), si dhe propozimi i një kuote fikse  (jo me pak se 5%)  për përfaqësimin e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.

SIPËRMARRJA - Synojmë vendosjen e taksës së sheshtë për biznesin në nivelin rreth 7.5%, dhe në çdo rast jo më shumë se 9 %, ulja e vlerës së TVSH prej 5-7% për të gjithë produktet bazë të shportës ushqimor, si dhe krijimin e kushteve lehtësuese për investimet rishtazi ose ato me burime nga fitimi/dividente te bizneseve ekzistues të cilat do të përfitojnë lehtësira sipas programit tonë politik në uljen e tatim fitimit dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore ne 5 vitet e para.

SHTETI LIGJOR -  APD do mbështesë fuqishëm Vetingun dhe të gjithë paketën e reformës në Drejtësi, sipas kërkesave të partnereve tanë strategjike (SHBA dhe BE), si kusht themeltar për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në shërbim të interesave të publikut.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: