Pse u dënuan udhëheqësit e partisë si armiq të popullit

Pse u dënuan udhëheqësit e partisë si armiq të popullit
Çfarë ndodhi një ditë përpara se të vriste veten Mehmet Shehu dhe a kishte një sulm të organizuar në kupolën e Partisë së Punës për njeriun që konsiderohej numri 2 i regjimit komunist? Pse e bëri një pyetje në korridor Kadri Hazbiu mbrëmjen kur diskutohej në Byronë Politike? A e vrau vërtet veten Mehmet Shehu? Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, zbardh dilemat e dhjetorit të vitit 1981

Për shumë vite, ngjarjet e dhjetorit të vitit 1981 janë konsideruar si një enigmë. Çfarë ndodhi me njeriu më i fuqishëm të regjimit komunist pas Enver Hoxhës” Vrau veten apo ish-Kryeministrin e ekzekutuan? Një dilemë që mundohet ta zbardhë një nga protagonistët e mbledhjeve të gjata të Byrosë Politike ku diskutohej fati i Mehmet Shehut. Në rrëfimin e tij, në pjesën e tretë të intervistës ekskluzive për “Albanian Free Press”, ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, tregon bisedën me Kryeministrin përpara mbledhjes ku “u kryqëzua” nga shokët. A ishte një goditje e planifikuar? Ndoshta përgjigjja gjendet në një pyetje të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, në korridorin e Komitetit Qendror...

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Në kohën e komunizmit, janë dënuar shumë udhëheqës partie, madje edhe me vdekje. Si i mendonit atëherë këto dënime dhe si e mendoni sot?

Atëherë mendoja se ishin armiq. Sot jam i bindur se shumica e ish-udhëheqësve të dënuar në kohën e Partisë së Punës, janë dënuar sepse nuk ndiqnin vijën e Enver Hoxhës. Se Enveri të thërriste e të këshillonte herën e parë, edhe herën e dytë. Pastaj po të vazhdojë në atë rrugë, të çonte në burg apo në plumb.

Po marr rastin e goditjeve në ushtri. Ishte vendosur në Këshillin e Mbrojtjes që drejtonte Enver Hoxha që, në rast sulmi nga armiku (dhe kishte të dhëna që mund të ndodhte), të mos i lëmë asnjë pëllëmbë armikut. Dhe u ndërtuan shumë qendra zjarri, u shpenzua shumë për mbrojtjen.

Teoritë e Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, ishte që të evakuohej qyteti. U bë edhe stërvitja për t’i rrëshqitur armikut.

Ndërsa Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo ishin të mendimit që duhej rezistuar në çdo qendër zjarri. Në atë kohë kishim rezerva ushqimore për një vit, që freskoheshin çdo vit.

Po ku ishte këtu tradhtia?

Beqir Balluku kishte marrë një studim, sipas të cilit, populli duhet të largohej nga qytetet dhe t’ia linte armikut. Kur e morri vesh Enver Hoxha, u kërkoi hesap: Si është e mundur të përpunohet një doktrinë në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Mbrojtjes? U tha të ndryshonin tezat, i thirri edhe Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo dhe i kritikuan, por ata vazhduan në të njëjtën linjë.

Unë nuk kam qenë i pranishëm kur janë thirrur nga Enver Hoxha për t’u kritikuar dhe këshilluar, por në mbledhjet e Pleniumit të Komitetit Qendror, në të gjitha rastet e dënimeve të mëdha, ka dalë se ata janë thirrur dhe këshilluar paraprakisht nga Enver Hoxha. Edhe mua më ka ndodhur në disa raste që kam marrë vërejtje, më ka thirrur dy herë Enver Hoxha dhe më ka dhënë porosi që të mos e bëja një veprim të caktuar. Një herë ka qenë në Shkodër, me zgjerimin e stadiumit, dhe një herë tjetër në Durrës, për një bllok të ri banesash. Po pse, isha budalla unë që ta vazhdoja kur më fliste Enveri?

Edhe nëse këto janë të vërteta, a duheshin pushkatuar ata njerëz?

Në rastet e tradhtisë, ata dërgoheshin përpara gjykatës dhe merreshin organe të tjera. Ne në Komitetin Qendror apo Byronë Politike kishim vetëm kompetencën për t’i përjashtuar nga partia. Kjo ishte masa më e rëndë që ne mund të merrnim.

Atëherë isha i bindur se partia gjykonte drejt dhe po ashtu gjykata që i dënonte. Sot jam dakord me dënimet në nivel partie, edhe me shkarkimet nga funksionet drejtuese, por për pushkatimet nuk jam. Nuk duhet të ishin dënuar ata njerëz me burgime të gjata apo me vdekje.

Ka patur dy nga drejtuesit e partisë në atë kohë për të cilët ju jeni shprehur se kishit dobësi. Njëri prej tyre ishte Mehmet Shehu...

Në kohën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut isha ministër shteti në qeveri dhe punoja ngushtë me Mehmetin. Isha edhe sekretar i byrosë së partisë së Kryeministrisë dhe Komisionit të Planit të Shtetit në atë kohë. Një ditë më vjen në zyrë Mehmet Shehu. Ai ishte shumë i rregullt, edhe ku paguante kuotat shkonte vetë te zyra e sekretarit, nuk shkonte sekretari tek ai. I njihte rregullat, se ka qenë për shumë vite sekretar organizativ i Komitetit Qendror. “Muho, më tha, propozoj të bëhet një mbledhje jashtë radhës e organizatës së partisë, sonte”. E pyes: “Përse, shoku Mehmet?” Më pa një çast. “Pse, nuk e di ti?” “Jo”, iu përgjigja. “Kam një problem familjar, djali im është fejuar me vajzën e Turdiut”. “Nuk di gjë”, i thashë. Më shikoi përsëri në sy. “Vërtet nuk di gjë”. I thashë: “Shoku Mehmet, nuk jam marrë kurrë me thashetheme dhe nuk e kam dëgjuar këtë gjë”. “Ta mbledhim organizatën. Dua të sqaroj shokët dhe të them fjalët e mia”, kërkoi përsëri Mehmeti. I thashë: “Shoku Mehmet, po pyes në aparatin e Komitetit Qendror, sepse nuk mund të bëjmë një mbledhje të jashtëzakonshme duke qenë ju anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror dhe Kryeministër”. “Mirë, mirë”, më tha dhe doli nga zyra.

Mora në telefon Simon Stefanin dhe i kërkova takim. Në atë kohë kishte filluar të dilte ndonjë sekret dhe ne nuk i bisedonim gjërat e rëndësishme në telefon. Më priti dhe i tregoj bisedën me Mehmetin dhe kërkesën e tij për mbledhje. “Po ne kemi nesër mbledhjen e Byrosë Politike për këtë çështje, nuk e di ti?” “Jo, i thashë, nuk jam lajmëruar”. Normalisht në të tilla raste duhet të kisha marrë njoftim jo vetëm për mbledhjen, por edhe për rendin e ditës. Simoni thirri ndihmësin e tij. “A ja ke dërguar Muhos rendin e ditës?”, “Po, ja kam dhënë sekretares së administratës”. Ndihmësi mori në telefon sekretaren, një grua e vjetër po shumë e përkushtuar. Ndodhi që atë ditë ajo kishte harruar të më sillte shkresën, e kishte në sirtar.  Simon Stefani më udhëzoi t’i ktheja përgjigje Mehmet Shehut se nuk kishte kuptim të bëhej mbledhja e organizatës, përderisa të nesërmen do të mblidhej Byroja Politike. Shkova dhe i ktheva përgjigje Mehmetit. “Mirë, mirë”, tha ai dhe nuk bëri zë.

Të nesërmen u bë mbledhja e Byrosë Politike. Ngjarjet e mëpasme janë të njohura për publikun. Shokët para meje për gabimin në rastin e kësaj fejese dhe e kritikuan për arrogancën dhe disa shfaqje mendjemadhësie në disa raste.

A kishte sinjale për një “sulm” të organizuar ndaj Mehmet Shehut në atë mbledhje?

Ka vetëm një detaj që më ka bërë ta kem këtë dyshim. Në atë mbledhje fola edhe unë duke e marrë në mbrojtje Mehmetin për aftësitë organizative dhe përkushtimin në punë. I tregova Enverit se ne në Kryeministri kishim abuzuar me Mehmet Shehun. Ai zakonisht nuk ndërpriste, por këtë herë Enveri nuk e mbajti. “Pse?” pyeti. I thashë se kur kishim raste problematike apo me pikëpyetje, ja çonim Mehmet Shehut, se ai i jepte drejtim dhe kështu i shmangeshim përgjegjësisë se i dilte për zot Mehmeti.

Në pushim të mbledhjes, më afrohet Kadri Hazbiu i cili, të them të drejtën, më donte. “A ke luajtur mendsh që fole ashtu?”, më pyet. Iu përgjigja: “Të vërtetën thashë, në rast se kam gënjyer, ngrihu ti dhe më kundërshto. Nuk foli më Kadriu.

Të nesërmen e vetëvrasjes, Enver Hoxha solli në mbledhje zarfin që kishte lënë Mehmeti ku shkruhej se duhet ta hapte vetëm Enver Hoxha. Na e tregoi të gjithëve letrën. E kishte si praktikë pune që t’i sqaronte gjërat. Në çengel po të më varin, e them edhe sot se ishte shkrimi i tij. Kisha dy vjet e gjysmë që punoja me Mehmetin dhe shkrimin e tij e njihja mirë. Të gjithë pohuam njëzëri se ishte vërtet shkrimi i Mehmet Shehut.

Ajo që dua të them është se nuk kam asnjë dyshim për faktin se Mehmet Shehu ka vrarë veten. Kishte një karakter të ashpër dhe nuk e duroi “lumin” e kritikave në Byronë Politike. Ishte mësuar që e kritikonte vetëm Enveri dhe, deri në vitin 1979, ndoshta Hysni Kapo. Por të tjerët rrinin “sus” përpara Mehmetit. Pse jo, kam menduar edhe se ndoshta Mehmeti ka patur frikë se mund të ndëshkohej dhe ka kujtuar fatin e Koçi Xoxes dhe të tjerëve dhe ka zgjedhur ta pushkatonte vetë veten, në dyshimin se mund t’i kishte ardhur atij radha për pushkatim.

Nuk besoj se Enveri kishte vendosur ta hiqte qafe Mehmetin. Madje mund të them se ai u shfaq i rrënuar në mbledhjen e Byrosë ku foli për vetëvrasjen e tij. Aq sa jam i bindur se pas kësaj ngjarjeje nuk e morri më veten, si pasojë e tronditjes që pësoi. Mehmet Shehu ishte garanci për pushtetin komunist. Ishte krahu ekzekutiv, ndërsa Enveri ishte krahu politik. Enveri jepte direktiva, Mehmeti i zbatonte.

Po ti vetë, a ke qenë i bindur atëherë dhe a je i bindur sot se Mehmet Shehu ishte armik?

Ka patur shumë gjëra që unë nuk i dija në atë kohë dhe nuk i di as sot. Unë dija aq sa duhet të dija dhe për këtë fakt kam marrë edhe një leksion nga Enver Hoxha. Ishte rasti kur e pyeta për Mihallaq Ziçishtin, paraardhësin tim në Durrës, një njeri me të cilin kisha patur marrëdhënie të mira. Mihallaqi, edhe pse kishte dalë në pension, me vinte çdo ditë në zyrë. Pyeta Kadri Hazbiun: “Pse u shkarkua Mihallaq Ziçishti?” Në atë kohë ishte e pazakontë që kuadrot e lartë të dilnin në pension me të mbushur moshën, por pensioni i Mihallaqit ishte perceptuar si shkarkim. “Lëre atë çështje, Muho. Shiko punët e tua”, më përgjigjet Kadriu, me të cilin kishim marrëdhënie të ngrohta. Nuk më pëlqeu kjo përgjigje. Në mbledhjen e radhës të Byrosë Politike, kishte edhe një çështje në rendin e ditës që quhej “të ndryshme”. E ngrita këtë çështje, duke e justifikuar me faktin që kërkonin shpjegim shumë shokë të vjetër partie, madje edhe komunistë të ’41-shit.

Enver Hoxha e nisi me disa pyetje: “Kur u emërove në Shkodër, e dije ti mbrojtjen bregdetare?” “Jo”, u përgjigja. “Po mbrojtjen kundër Jugosllavisë, e dije përpara se të shkoje në Kukës?” “Jo”. Ka folur Enver Hoxha pothuajse një orë për të na treguar se ne të gjithë duhet të dinim aq sa duhet të dinim, sipas detyrës.

Flasim për personazhin e dytë të rëndësishëm për të cilin ju keni patur dobësi. Më thatë në intervistën e kaluar se, që student, kishit dëshirë të parakalonit me portretin e Kadri Hazbiut...

Po, është e vërtetë. Edhe kur u emërova në detyra të rëndësishme, me Kadriun shkoja mjaft mirë. Në rastin e Kadri Hazbiut, ka një detaj që më ka mbetur në kujtesë. Kishte patur një informacion se disa nga agjentët më të mirë të kundërzbulimit shqiptar jashtë vendit, po vdisnin në rrethana të dyshimta. Kryesisht punonjës të ambasadave. Pati edhe raste që janë kthyer mbrapsh nga qeveritë e ndryshme si persona të padëshiruar. Kjo ndodhi pas Mbledhjes së Moskës. Kadri Hazbiun e thirri Enver Hoxha dhe e pyeti për këtë pyeti për këtë çështje. “Ta shikoj”, u përgjigj Kadriu. “Shikoje, por hajde dhe na informo”, i tha Enveri.

Kadriu më pas i tregoi se kur kishin qenë në mbledhjen e 81 partive në Moskë, Gorbaçovi, që në atë kohë ishte ministër i Jashtëm, i kishte kërkuar listën e punonjësve të Sigurimit të Shtetit në ambasada të ndryshme. “Unë ja dhashë”, tha Kadriu. “Si ore ja dhe?, pyeti Enveri. Po kë pyete?” Kadriu i tha se kishte pyetur Mehmet Shehun. “Më tha jepja, se është përfaqësues i Traktatit të Varshavës”. “Po mua pse nuk më informove?”, pyeti Enveri. “Të them të drejtën, nuk doja t’u shqetësoja, pasi mendova që përderisa më tha shoku Mehmet, ai e di mirë këtë punë. Pastaj unë jam ministër, edhe në linjë varësie raportoj te shoku Mehmet”. “Kjo është e vërtetë, por unë jam Sekretar i Parë, jam edhe kryetari i Këshillit të Mbrojtjes. Por edhe si shok mund të ma tregoje.” Kadriu u përgjigj: “Të them të drejtën, mendova se duke qenë gjithë kohën bashkë me shokun Mehmet, do t’ua ketë informuar ai për këtë ngjarje”.

Po ju vetë, e keni kundërshtuar ndonjëherë Enver Hoxhën?

Po, madje edhe në mbledhje. Por Enveri nuk ishte inatçi apo hakmarrës. Të këshillonte një herë, herën e dytë të jepte vërejtje, pastaj po të vazhdoje në kundërshtim me porositë e tij, duhet t’i bëje vetë llogaritë e pasojave, se bëheshe kundërshtar i tij.

Ka qenë një mbledhje e jashtëzakonshme në vitin 1979, kur diskutohej për likuidimin e pasojave të tërmetit në Shkodër. Enver Hoxha kishte rënë dakord me një relacion paraprak ku parashikohej se banesat që do të ndërtoheshin duhet të ishin sa më të thjeshta, me tavan me kallama, me mure të formuara jo me tulla, por me lesa balte, siç ishin dikur shtëpitë e vjetra në fshatra. Në relacion kjo u argumentua me traditën popullore të ndërtimeve në fshat.

Unë e kundërshtova këtë relacion që e kishte pranuar Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Relacionin e mbronte ministri i atëhershëm i Ndërtimit, Spiro Koleka. Përdora një argument teknik: Janë tharë kënetat dhe nuk ka më kallama. Spiro Koleka ishte shkëputur prej vitesh nga terreni dhe doli bllof. Enveri ishte për të kursyer, por u tërhoq përpara disa argumenteve që sillja unë si njeri i terrenit.

Enveri më shikoi e më shikoi për minuta të tëra. “Edhe me mua nuk je dakord?”, tha. “Nuk jam, shoku Enver, se nuk bëhet”, i thashë. Enveri u tërhoq dhe u bë siç kërkova unë. Kështu sigurova edhe ndryshimin në projekt duke i pajisur shtëpitë me dy dyer, njëra kryesore dhe një tjetër nga mbrapa, për të hyrë njerëzit që vinin me baltë nga fushat.

Më pas patëm një tjetër përplasje, sërish në të njëjtën kohë, për stadiumin e Shkodrës. Përfitova nga fondet e shumta që u dhanë atëherë në Shkodër dhe, me pretekstin e riparimit, u mundova të zgjeroj stadiumin e qytetit. Enveri e mori vesh dhe më urdhëroi të ndaloja punimet. Këtë radhë u tërhoqa unë dhe zbatova urdhrin, nuk vura më asnjë tullë. Siç e lashë unë, mbeti deri vjet kur u rikonstruktua dhe u zgjerua.

Këto dy përplasje ndodhën në vitin 1979, ndërsa në vitin 1981 u zgjodha anëtar i Byrosë Politike. Enveri të vlerësonte kur e kundërshtoje me argumente, por, në fund të fundit, ishte ai që vendoste dhe nuk mund të mos bindeshe. Enver Hoxha të dëgjonte, por vinte i përgatitur, pasi konsultohej me specialistë përpara se të vendoste.

Një tjetër rast kur u përplasa me shokun Enver, ishte në Durrës, kur kisha vendosur të ndërtoja një bllok të ri banesash në hyrje të qytetit, duke planifikuar të vazhdoja deri në Shkozet, për të sistemuar kryesisht punonjës të ndërmarrjeve, një pjesë e madhe e të cilëve punonin pikërisht në Shkozet. Kishim bërë aty edhe shkollën e mesme profesionale. Kishte hapësirë bosh, por mendova që edhe vendin e punës ta kenë afër me shtëpinë.

Mora fonde sa desha në atë kohë. Vija nga detyra e ministrit të shtetit dhe i dija ku ishin fondet. Ashtu si sot, shteti ka plane investimesh dhe ndodh shpesh që, për arsye nga më të ndryshmet, këto investime të mos kryhen dhe fondet “digjen” dhe rikthehen në buxhet. Unë shikoja se cili rreth nuk i kishte harxhuar dhe ndërhyja për t’i marrë unë, që në këtë mënyrë të plotësohej edhe plani i investimeve. Në fillim, Kryeministri, Mehmet Shehu, ngurronte. Madje edhe më kërcënoi: “Po t’i jap këto fonde, por po nuk i realizove investimet, do të kërkoj të të përjashtojnë nga partia”. Kur e pa që investimet u kryen, nuk thoshte më gjë dhe unë merrja gjithnjë e më shumë fonde.

Por rikthehemi te ngjarja e Durrësit, Në atë kohë kishim planifikuar zgjerimin drejt Shkozetit. Vjen Mehmet Shehu dhe fillon bërtet: “Çfarë ke bërë kështu? Ke dalë nga plani rregullues, po merr nga toka e bukës” e plot të tjera. Por unë nuk u binda dhe njoftova Enver Hoxhën. Ai kishte ardhur në plazh në Durrës dhe shkova ta takoj. “Të ka thënë Mehmeti kështu? Po pse?” pyeti Enveri. I shpjegova arsyet e Mehmetit. U ngrit dhe erdhi me mua me një automjet “Fiat” që përdorte Nexhmija, bashkë me Sulo Gradecin. Erdhi dhe pa vendet ku po ndërtohej. I shpjegova se, përveç kësaj zone, ishte piketuar edhe lagjja në kodrat pas mauzeleumit të Dëshmorëve, ku ne atëherë kishim filluar një lagje të re. Enveri më tha: “Te ky vend vazhdoni, por atje ku thotë Mehmeti të ndaloni, përderisa nuk është parashikuar në planin rregullues. Dhe ashtu bëra.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: